• |
ide | kryesore

Analiza/ Pse po përballet Italia me një krizë të re politike?

F1, Planet



Çfarë ka ndodhur? 

Italia ka qenë pa qeveri që nga zgjedhjet e 4 marsit, që prodhuan një parlament ku ishte e vështirë të formohej shumica për të qeverisur. Një krizë e re politike filloi pas dorëheqjes së befasishme të Giuseppe Contes, një profesori jurisprudence pak të njohur, i cili ishte zgjedhur nga partia që fitoi pjesën më të madhe të votave, Lëvizja 5 Yjet dhe Lega e ekstremit të djathtë, për të formuar atë që do të ishte qeveria e parë populiste e Europës Perëndimore.

(Giuseppe Conte) 

Conte dha dorëheqjen të dielën në mbrëmje pasi kandidati i preferuar i partive për të shërbyer si ministër i Financave, Paolo Savona, i deklaruar kundër monedhës Euro, u refuzua nga presidenti italian, Sergio Mattarella, i cili është pro Bashkimit Europian,.

A mund të zgjidhnin partitë një tjetër ministër Finance? 

Po. Savona ishte parë si shumë i diskutueshëm për shkak të pikëpamjeve të tij anti-euro dhe anti-gjermane. Por, partitë populiste, dhe veçanërisht Matteo Salvini, udhëheqësi i Legas, këmbënguli në kandidaturën e tij. Një analist tha kjo se ishte një përpjekje për të bërë presidentin Mattarella të ‘bindej’ dhe për të dërguar një mesazh populist në kundërshtim me pallatin presidencial. Mattarella e luftoi këtë përpjekje të koalicionit Lega – Levizja 5 Yjet.

(Luigi Di Maio dhe Matteo Salvini) 

Cilat janë kompetencat e presidentit? 

Si president dhe kryetar i shtetit, Mattarella ka kompetenca të kufizuara, por kushtetuta i siguron atij disa të drejta. Ai mund të emërojë zyrtyarisht një udhëheqës të qeverisë dhe të ministrave. Presidenti mund edhe të shpërndajë parlamentin. Kryetarët e shtetit Italian kanë bërë lëvizje të guximshme në të kaluarën. Paraardhësi i Mattarellës, Giorgio Napolitano, mbështeti shkarkimin e Silvio Berlusconit si kryeministër në vitin 2011.

     (Sergio Mattarella) 

A i kapërceu Mattarella kompetencat e veta? 

Kritikët, duke përfshirë Luigi Di Maion, kreun e Lëvizjes 5 Yjet, nxituan të akuzonin Mattarellën për abuzim me pushtetin dhe bënë thirrje për fajësimin e tij. Megjithatë, edhe presidentët e mëparshëm kanë vënë veton ndaj emërimit të ministrave individualë. Zhvillimi më i fundit ishte se udhëheqësit populistë këmbëngulën për Savonën, edhe pasi Mattarella kishte kundërshtuar kandidaturën e tij.

                                                                  (Paolo Savona) 

A mund të fajësohet presidenti? 

Edhe mundet, por është jashtëzakonisht e pamundur. Gjykata Kushtetuese e Italisë së pari duhet të pranojë se çështja do të merret nga parlamenti. Pastaj, parlamenti i kombinuar me rreth 950 anëtarë do të duhej të votonte me shumicë absolute për t’a fajësuar atë.

Çfarë ndodhi më pas? 

Mattarella i kërkoi Carlo Cottarellit, një teknokrati dhe ish-ekonomisti të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të formonte një qeveri, pas bisedimeve të hënën në pallatin presidencial në Romë. Megjithatë, ka shumë mundësi që Cottarelli të humbasë në votëbesim, sepse ai nuk ka as mbështetjen e Lëvizjes 5 Yjet dhe as të Legas.

(Carlo Cottarelli) 

Nëse Cottarelli i mbijeton një votimi të tillë, ai do të fillonte të formonte një qeveri të përkohshme të përbërë nga teknokratët, përpara zgjedhjeve në fillim të vitit të ardhshëm. Por, me partitë populiste që pritet të refuzojnë kandidaturën e tij, një palë zgjedhje të parakohshme të menjëhershme duken më të mundshme dhe ndoshta mund të thirren që në fillim të muajit shtator. I gjithë ky ngërç duket se po merr formën e një referendum jozyrtar mbi të ardhmen e Italisë: Nëse Italia ka apo nuk ka një të ardhme në eurozonë.

The Guardian, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *