• |
ide | kryesore

Kolapsi i populistëve/ Italia në prag të një krize të re financiare

F1, Planet



Italia rrezikon të zhytet në një krizë të re financiare, pasi Banka e Italisë tha se udhëheqësit e vendit nuk mund të “shpërfillin” kufizimet fiskale dhe traktatet e saj.

Ignazio Visco, kryetari i bankës, tha se Italia ishte në rrezik të humbjes së “asetit të besueshmërisë”, pasi investitorët dhe politikanët e Brukselit janë alarmuar gjithnjë e më shumë për trendin anti-euro në Itali.

Kriza nisi në fund të javës së kaluar, kur udhëheqësit e partive më të mëdha populiste të vendit, Luigi Di Maio i Lëvizjes 5 Yjet, anti-establishment, dhe Matteo Salvini i Legas e ekstremit të djathtë, këmbëngulën që presidenti italian Sergio Mattarella të miratonte zgjedhjen e tyre për ministrin e financave, Paolo Savonan, i cili është një kritik i ashpër i euros. Mattarella vuri veton për të mos pranuar Savonan si ministër të Financave, një pushtet që presidentit ia jep kushtetuta italiane, por u ballafaqua me një reagim të menjëhershëm dhe rënien e qeverisë populiste para se ajo të merrte pushtetin.

Presidenti emëroi kryeministër një ish-drejtor në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Carlo Cottarelli, dhe e mandatoi atë për të formuar një qeveri të re. Cottarelli pritet të humbasë votëbesimin në parlamentin italian. Pritet që parlamenti të thërrasë zgjedhje të reja, ndoshta në fillim të muajit shtator.

Në Bruksel, politikanët mbështetën lëvizjen e Mattarellës, e cila shihej si mbrojtje e angazhimeve fiskale për të cilat Italia ka rënë dakord, dhe mbrojtjen e pozitës së saj në eurozonë.

Por, është edhe shqetësimi se presidenti italian mund të ketë shtruar rrugën për zgjedhje të reja, që do t’u lejonte partive populiste të fitonin një shumicë edhe më të madhe parlamentare, duke krijuar një rrezik më të madh për të ardhmen e eurozonës.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, ndjeu nevojën të godiste komisionerin gjerman të buxhetit, Günther Oettinger, lidhur me deklaratat e tij që sugjeronin se tregjet do t’i ilustrojnë votuesve italianë rreziqet në votimin e populistëve.

Në një ndërhyrje të pazakontë për të, Tusk shkroi në Twitter: “Apeli im për të gjitha institucionet e BE-së: ju lutem respektoni votuesit. Ne jemi këtu për t’u shërbyer atyre, jo për t’i mësuar ata. “

Oettinger u shpreh ashtu në një intervistë me rrjetin gjerman të lajmeve, Deutsche Welle, që u transmetua të martën në mbrëmje. “Zhvillimi ekonomik i Italisë mund të jetë kaq drastik saqë ky mund të jetë një sinjal i mundshëm për votuesit që të mos zgjedhin populistët nga e majta dhe nga e djathta”, tha ai.

Ambasada italiane në Bruksel iu përgjigj duke iu drejtuar Oettinger dhe Tusk: “Votuesit italianë nuk kanë nevojë për ndonjë mësim. Zgjedhjet e lira dhe #demokracia janë vlera kryesore europiane.”

Manfred Weber, kreu i Partisë Popullore Europiane, ku kancelarja gjermane, Angela Merkel është anëtare, tha se ai kishte besim në kushtetutën italiane dhe presidentin e saj.

Udhëheqësi i grupit socialist, Udo Bullmann, një eurodeputet gjerman, tha se Mattarella kishte bërë “një punë të shkëlqyeshme” dhe kishte “mbrojtur të ardhmen e brezit të ardhshëm”.

Por, eurodeputeti belg, Philippe Lamberts, udhëheqës i grupit Green, u shpreh kundër:

“Më lejoni të jem i qartë: nuk kam kohë për qeverinë që po formohej në Itali, por ju pëlqen ose jo, kjo ishte zgjedhja e bërë nga italianët dhe në një moment duhet ta pranojmë këtë. A do të ishte rrezikuar eurozona? Po, natyrisht, por ajo që kemi parë gjatë fundjavës [është] se tensionet në tregjet financiare nuk janë qetësuar por janë përkeqësuar “.

Ish-kryeministri i Belgjikës, Guy Verhofstadt, tha se kriza tregoi nevojën për një ministër financash të BE-së me një buxhet dhe një bashkim bankar për të lehtësuar presionin mbi eurozonën gjatë periudhave të tilla të paqëndrueshmërisë politike. “Gjithkush e di se çfarë duhet të bëjmë”, tha ai.

Mattarella është përballur me një stuhi politike brenda dhe jashtë vendit për vendimin e tij, duke përfshirë kërcënimet për dhunë, për shkak të akuzave se vendimi i tij ishte i motivuar politikisht dhe pohimet se dy partitë populiste që dolën si fituese të zgjedhjeve të 4 marsit kishin një mandat për të sfiduar euron. Në deklaratën e tij mbrëmjen e së dielës, Mattarella theksoi se ai kishte pranuar rekomandimet e qeverisë populiste, pavarësisht “shqetësimeve” rreth zgjedhjes së kryeministrit, me “një ndjenjë të madhe bashkëpunimi”.

 

“Kam pranuar të gjitha propozimet e bëra për ministrat, përveç atij për ministrin e ekonomisë” – tha Mattarella.

Deri në fundjavë, investitorët kishin mbetur të qetë për perspektivat e ekonomisë italiane dhe malit të borxhit të sektorit publik, i cili renditet si i treti më i madh në botë pas SHBA dhe Japonisë. Por, kjo ndryshoi këtë javë.

Lexo më tej nga Lapsi.al: 

Analiza/ Pse po përballet Italia me një krizë të re politike? 

Italia në kaos/ Presidenti nuk pranon ministrin “anti gjerman”. Bie kryeministri i sapo emëruar. Rrezikohet dhe tjetri 

Italia pa kryeministër, pse nuk e pranoi Presidenti Matarela qeverinë e Kontes 

Tregu i aksioneve të Milanos ra në nivelin më të ulët që nga korriku.

Investitorët i dhanë gjithashtu një votë mosbesimi tregjeve të bursave franceze dhe gjermane, duke i ulur ato më shumë se 1%, ndërsa euro, të cilën Italia e përdor si monedhën e saj së bashku me 18 vende të tjera, ra në nivelin më të ulët kundrejt dollarit në gjashtë muajt e fundit.

Fiona Cincotta, analiste e tregut në ‘City Index’, tha se politika e brendshme e pazgjidhur e Italisë kishte dëmtuar edhe bursën në Londër.

Ajo tha se euro po duket “e dobët” dhe “po vazhdon të ulet ndërsa grindjet e brendshme në Itali prishin marrëdhëniet e këtij vendi me Bashkimin Europian”.

Sipas Philippe Waechter, krye-ekonomist në ‘Ostrum Asset Management’, investitorët janë të shqetësuar pasi euroja nuk po pëlqehet më nga populli italian.

Sondazhi i fundit i Eurobarometrit të Komisionit Europian, në tetor, zbuloi se 40% e italianëve besonin se euro është një “gjë e keqe për vendin”, krahasuar me 25% të popullsisë në eurozonën si një të tërë.

“Vetëm 23% e spanjollëve mendojnë se monedha e përbashkët është e keqe për Spanjën” – shtoi ai.

The Guardian, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



4 Comments

  1. BE nepermjet nje plaku matuf si Mattarella po kerkon te bllokoje nje qeveri qe ka vota e kerkon te kaloje nje qeveri fantazem pa vota. Italianet votuan per ato qe Brukseli i quan “populiste”. Kolapsi pra vjen jo nga populistet por nga maskarenjte e Brukselit qe nepermjet nje palacoje si Mattarella kerkojne ti imponojne Italise nje qeveri qe ato nuk e kane votuar. KAQ.

  2. Le të dalin nga eurozona një orë e më parë, boll viktima u bënë. Të qëndrojnë francezët që e kërkuan me aq ngulm.

  3. Ka diçka që nuk shkon në llogjikën e demokracisë me këto propogandimet kundër “nacionalizmit” deri para do kohësh që është zëvendësuar tani me “te keqen” tjetër, “populizmin”.
    Nocioni DEMOKRACI ka në thelbin e saj respektimin e dëshirës së popujve, nacioneve (kombeve) se kush duhet të qeverisë. E cili na qenka ai popull që do të votokërka politikanë që nuk mendojnë për popullin e tyre, për kombin e tyre, por për kombet e tjera ?
    Etiketimi i politikës së djathtë konservatore nacionaliste me sens pezhorativ si “populizëm”, më duket jashtë llogjikës demokratike por edhe asaj historike.
    Ishte nacional-socializmi ai që polli diktaturat naziste e fashiste. Ishte komunizmi ai që polli diktaturat çnjerrëzore të “proletariatit”.
    Sistemi i tregut të lirë kapitalist me një shtet ligjor demokratik, u provua se ishte një sistem që solli progres ekonomik e kulturor në një kontrast të madh me regresin që solli sistemi socialist.
    Përse ?
    Sepse në themel të këtij sistemi është parimi i konkurencës së lirë të vlerave e aftësive, kurse sistemi socialist vë në plan të parë me hipokrizi internacionalizmin e në fakt duke abuzuar më së shumti me “populizmin” duke e paraqitur veten si “përfaqësues të popullit”
    A mundet një shtet të ndihmojë shtetet e tjera, nëse nuk është në gjendje të zgjidhë problemet ekonomike e sociale të popullit të tij ?
    Na dilka një piktor e politikan socialist mediokër si Edi Rama, e ndonëse e ka kthyer Shqipërinë si vendin e krimit të organizuar e trafikut gjigand të drogës, mer përsipër që të japë mënd se ciliët politikanë duhet të zgjedhin në udhëheqje popujt e vendeve më të zhvilluara të botës.
    E çfarë besimi mund të kenë popujt e vendeve më të zhvilluara të BE, kur politikanë të tyre “socialistë internacionaliste”, për hir të aleancave partiake, mbështesin një qeveri të narkotrafikut si ajo shqiptare.
    Ku shkon droga e trafikuar nga Shqipëria ?
    A nuk ju shkon adoloshenteve e të rijve, fëmijë të politikanëve europianë si të djathte e të majtë ?
    A mund ti bien gjoksit politikanët liberalë internacionalistë të majtë se po e luftojnë terrorizmin kriminal ekstremist islamik, kur ju hapin dyert e shteteve të tyre gjoja për solidaritet njerzor internacionalist, pikërisht këtyre terroristëve ?
    Nuk ndihmohen shtetet e shumta të kontinentit të Afrikës, duke pranuar si emigrantë miliona njerëz të varfër të këtij kontinenti.
    A mund të pranojë kontinenti i Europës që qindra milionë të varfër afrikanë të vijnë e të “shpëtojne” nga varfëria duke jetuar në Europë ?
    Ato para që harxhohen nga shtetet e zhvilluara europiane për të trajtuar emigrantët, do të kishin pesë herë më shumë vlera, nëse do të investoheshin direkt në këto vende, jo thjeshtë si ndihma të dhuruara, por si investime me leverdi të dy anëshme.
    Përse shpërtheu emigracioni gjigand nga vendet e Afrikës veriore e Lindjes së mesme drejtë Europës ?
    Sepse sistemet demokratike nuk mund të eksportohen artificialisht ashtu siç u bë me të ashtuquajturën “Pranverë arabe” që në vend të sillte sistemet demokratike, shtoi forcat e terrorizmit ekstremist islamik.
    Zgjidhjen e këtyre problemeve po kërkojnë ata që cilësohen me vlerësimin negativ si”populistë”

  4. Termi “populist” nuk perfaqson askend qe duhet ta zevendesoni me fjalen SOVRANIST ku “hyj” dhe une 100 % i bindur se jam ne rrugen time dhe kam votuar e do votoj Matteo Salvinin si i vetmi politikan guximtar qe eshte ne mbrojtje te Italise dhe jo ata te “te semures” se majte italiane qe kane 5 vjet qe e kane katandisur kete vend ne nivelet me te ulta. Perse i them une shqiptari i thjeshte qe rroj me djersen e ballit keto:
    -Per 4 vjet (po heq qeverin Monti 1 vit qe nuk ishte politike) te majtet italian edhe pse kishin 3 favore te medha siç ishin:
    a) Dollari ra nga 1 €=1,4 dollare ne reth 1,15 dollare d.m.th shume fitimprurse per Italine si eksportuese,
    b)Nafta nga 150 dollare pe fuçi ariti 50-60 dollare ku si vend importues te tij Italia pati fitime te medha,
    c)BCE ku drejtohet nga italiani Draghi ka 3 vjet qe po blen “spacaturat” e debitit te madh italian e te tjerve me 80 miliard çdo muaj.
    Pra me keto favore te majtet “e semure” italian jo vetem nuk e ulen debitin publik por e kane rritur me 300 miliard me teper qe aktualisht tani kalon shifren e “frikeshme” 2300 miliard!… (gati 133% te PIL-it italian).
    Kjo eshte Europa qe do dikush qe mbyllte syt per ritjen e debitit duke “i sygjeruar” italise se Renzit (adashit te Ram piktorit) qe te kthehej ne taksixhi deri ne brigjet e Libise te merte emigrantet qe ne fakt jane 90% klandestine pa mbrojtje nga konventa e Genevres.
    Nuk ka burre ne kete bote te na mbushi mendjen ne njerzve te thjeshte te ndjekim kete TIP Europe “te çmendur”!
    Me dramatike do jene per Europen zgjedhjet e ardheshme ku sondazhet e “çojne” Salvinin ne reth 27% (sot 30 maj 2018) dhe PD-ne e majte tek 15%!
    Ciao, “llogarit” ti bej gjithkush vet!…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *