• |
ide | kryesore

Gjyqtarja Marçela Shehu kalon vetingun, me vetëm 1 shtëpi të palegalizuar

Lajme, Të fundit



Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i ka mjaftuar më pak se gjysmë ore seancë dëgjimore me gjyqtaren e Gjykatës së Kurbinit, Marçela Shehu, e cila është gjyqtarja e radhës që kalon në sitën e Vettingut.

Gjyqtarja nuk preferoi të perfaqësohet nga ndonjë avokat. KPK konstatoi se gjyqtarja justifikon pasurinë, nuk ka bërë fshehje të pasurisë dhe as deklarim të rremë. Gjyqtarja e Kurbinit, Marçela Shehu, është kandidate për në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

 

“Në lidhje me pasurinë, ILDKPI konstaton se deklarimi eshte i saktë, justifikon pasurinë, nuk fsheh pasurinë, as deklarim të rremë, nuk ka konflikt të interesit” është shprehur relatori i çështjes, Olsi Komici sipas të cilit “verifikimi i KPK konstaton se në deklaraten veting 2017 ka deklaruar shtëpi banimi 100m2 jo ne pronesi te saj, ende te palegalizuar, është e depozituar nga vjehrri. Makine Mercedes Benz 6000 euro, 50% pronare, para cash 1 350 000 lekë. Depozite kursimi per femije 100 304.51 lekë. KPK vlerësoi raportin nga ILDKPI, informacionet nga organet shteterore apo persona fizike ose juridike”.

 

Marçela Shehu, gjyqtare në Gjykatën e Kurbinit.

Marçela Shehu e nisi karrierën në gjyqësor në vitin 2006. Ajo ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës dhe pasi punoi për pak muaj në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare e Gjykatës së Kurbinit-pozicion të cilin e mban edhe sot.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Marçela Shehu nga viti 2006 deri në vitin 2016.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtarja Marçela Shehu zotëronte një pasuri familjare prej 1.3 milionë lekësh në vitin 2006. Në fund të vitit 2016, pasuria e saj është dyfishuar, duke kapur vlerën e rreth 2.7 milionë lekëve.

Pasuria familjare e zonjës Shehu ndahet në 200 mijë lekë llogari bankare, 1.5 milionë lekë kursime në cash dhe rreth 1 milion lekë automjete. Gjyqtarja ka gjithashtu në bashkëpronësi një shtëpi private të ndërtuar në vitet 1998-2000, të cilën e ka përfituar si rrjedhojë e martesës dhe e ka deklaruar atë në vitin 2007.

Të ardhurat e gjyqtares Shehu përbëhen vetëm nga paga e saj dhe ajo e bashkëshortit, të cilat kapin në total vlerën e 12.9 milionë lekëve. Përgjatë viteve në karrierë, zonja Shehu ka shënuar një rritje mesatare të pasurisë prej 133 mijë lekësh në vit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Në rastin e zonjës Shehu iu nënshtruan kontrollit aritmetik-logjik 11 deklarata pasurie, të cilat rezultojnë të gjitha pa probleme.



1 Comment

  1. Ju mendoni se kjo eshte pasuria e saj e vertete ? Atehere kur luani te ushqehet me bar, atehere kur luani te kete frik prehen e tij do jete e vertete qe nje gjykates apo prokuror kane pasurine qe deklarojne . Me i varferi prej tyre ka nje shume dyshifrore e shprehur ne miliona euro . Duhet te ikin te gjithe pa perjashtim .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *