• |
ide | kryesore

EURALIUS: Reforma në drejtësi po shkel afatet duke futur në ngërç sistemin

Lajme, Të fundit



Misioni i Bashkimit Europian në Tiranë, EURALIUS, publikoi një raport mbi projektin “Konsolidimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri”, që përfshin periudhën nga vera e kaluar deri në shkurtin e këtij viti.

Raporti thekson se gjatë reformës në drejtësi, periudha kalimtare nga institucionet e vjetra tek ngritja e institucioneve të reja është zgjeruar dukshëm përtej afateve kohore të caktuara me ndryshimet në Kushtetutë.
Për shkak të vonesave në zbatimin e reformës së drejtësisë, KLGJ, dhe KLD ende nuk janë reformuar.

“Themelimi i institucioneve të reja drejtuese të drejtësisë varet nga rivlerësimet e kandidatëve të gjykatësve dhe prokurorëve” – thuhet në raport.

Misioni EURALIUS theksoi në raport se Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka ndëshkuar gjyqtarët, të cilët sipas Ministrisë së Drejtësisë, u përfshirë në veprime të paligjshme dhe as nuk mori masa disiplinore ndaj tyre, edhe pse e ka detyrim ligjor.

KLD lejoi një vonesë të madhe për masat disiplinore të kërkuara nga Ministria e Drejtësisë ndaj disa gjyqtarëve, duke djegur afatet e vendim-marrjes, thuhet në raport.

Për shkak të vonesave në zbatimin e reformës së drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ende nuk është themeluar. Institucioneve që rekrutojnë apo zgjedhin anëtarët e rinj në qeverisjen e drejtësisë iu kërkohet që të sigurojnë krijimin e tyre sa më shpejt të jetë e mundur.

Euralius thotë se “Shkolla e lartë e Magjistraturës duhet të vazhdojë të jetë institucioni qendror për të përgatitur me cilësinë më të lartë profesionale gjyqtarët dhe prokurorët”.

Parlamentit i kërkohet të përfundojë punën me ligjet e reformës në drejtësi. KLD dhe KLP duhet të krijojë standardet dhe praktika të për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, me qëllim që të sigurohet një sistem i besueshëm dhe transparent i meritës.

Sipas Euralius, gjykatat duhet të vendosin këshillat gjyqësor brenda afatit të ri ligjor, e, pas themelimit KLGJ duhet të sigurojnë funksionimin e gjykatave në përputhje me ligjet e reformës.

Probleme janë edhe numri i madh i noterëve për çdo banor, sidomos në kryeqytet, gjë që ka ulur profesionalizmin, por kjo temë do të zgjidhen me një ligj të ri.

Institucionet e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve po japin rezultatet e para. Anëtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj, paraqitet të martën para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që është organi bazë i Vetingut, për t’u njohur me rezultatet e hetimit mbi ligjshmërinë e pasurisë së tij, kontaktet e mundshme me krimin dhe aftësitë profesionale.

Vendimi nëse pasuria e tij është e justifikuar, do të jetë përcaktues për fatin e gjyqtarit, nëse do të përjashtohet drejtësia apo do të konfirmohet në detyrë.

Krahas anëtarit të Gjykatës së Lartë këtë javë përballen me vetingun edhe dy prokurorë; Dritan Prençi, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë si dhe Anila Leka, prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme.

Prokurori Prençi është pjesëtar i grupit të hetuesve të dosjes së ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri.
Pas rrëzimit të disa gjyqtarëve nga vetingu dhe mbarime mandatesh, Gjykata Kushtetuese është praktikisht e mbyllur, ndërsa radhën e vetingut tani e ka Gjykata e Lartë.

Pjesa më e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shqyrtuar deri tani janë rrëzuar dhe janë nxjerrë nga sistemi i drejtësisë. /voa



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *