• |
ide | kryesore

Dosja e plotë/ Si u organizua vrasja e komisarit të policisë Artan Cuku

Kryesore, Lajme



Këtë të martë Gjykata e Krimeve të Rënda miratoi marrëveshjen e bërë nga prokuroria dhe i riu Mikel Shallari i cili është ekzekutori i ish-komisarit të policisë Artan Cuku në 8 prill 2017, një ngjarje që tronditi Tiranën dhe jo vetëm. Në bazë të marrëveshjes, Shallari u dënua me vetëm 10 vite burg ndërsa ai rrëfeu se porositës i vrasjes ishte Bledar Jambelli i cili kishte premtuar 20 mijë euro për ekzekutimin. Shallari dhe Jabelli ishin lidhur nëpërmjet djalit të dajës së ekzekutorit, Kristaq Leci.

Në dosjen e prokurorisë së krimeve të rënda është zbardhur e gjithë dinamika e ngjarjes. Aty thuhet se për Artan Cukun ka pasur dhe një atentat tjetër, por që ka dështuar. Prokurorët ranë në gjurmë të Shallarit pasi gjetën rrobat e përdorura prej tij në krim të hedhura në një kosh.

Si u zbulua ekzekutori Mikel Shallari

“Pas kryerjes së krimit, nisur nga deklarimet e z. Alket Cakaj dhe nga pamjet filmike të siguruara nga kamerat e subjekteve private në atë zonë, u këqyr se autori i dyshuar e zhveshi pjesën e sipërme dhe të poshtme të veshjes sportive, të cilat i hodhi në një kazan plehrash, i cili ndodhej në cepin e rrugës “Zef Jubani”. Teshat u gjetën dhe u sekuestruan, si edhe iu nënshtruan ekspertimeve teknike. Duke qenë se i dyshuari u fiksua të largohej duke mbajtur duart në xhepat e pjesës së sipërme të bluzës sportive me zinxhir me ngjyrë blu dhe bojëqielli me mbishkrimin “Saller”, pikërisht nisur nga gjurmët biologjike të lëna në xhepat e tij u ndërtuar edhe profili gjenetik.

Profili gjenetik i ADN-së së personit mashkull i përfituar nga akti ekspertimit biologjik i sipërpërmendur u shpërnda nga ZK Interpol Tirana në zyrat homologe evropiane për të bërë krahasimin me të dhënat e bankave të tyre të ADN-së të personave të skeduar me precedentë penalë. Interpol Berna (Zvicër) konfirmoi se ky profil gjenetik ADN-je përputhej me atë të një personi të regjistruar në Zvicër në Kantonin e Zyrihut me të dhënat e mëposhtme: Mikel Shallari…

Të dhënat e dërguara nga Interpol Berna shoqëroheshin me kartelën daktiloskopike të personit i cili ishte dënuar në Zvicër dhe kishte vuajtur aty dënimin për shitblerje të lëndëve narkotike nga data 22.2.2016 deri më 23.6.2016.

Në këto rrethana, si i dyshuar në rolin e ekzekutorit të krimit u identifikua Mikel Shallari dhe prokurori urdhëroi vëzhgimin e tij në vendet publike. Kur oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore përcaktuan vendndodhjen e tij dhe konfirmuan sigurinë se ai duhet të ishte i dyshuari, në orën 23.00 të datës 10.6.2017 u urdhërua ndalimi i tij i menjëhershëm si person i dyshuar për vrasjen e Artan Cukut në rolin e ekzekutorit material të krimit. Urdhri i ndalimit u ekzekutua në orën 23.10 të së njëjtës datë. I ndaluari u pyet nga prokurori, por fillimisht e mohoi përfshirjen në krim.

Rrëfimi i Shallarit

Më 12.6.2017 i pandehuri Mikel Shallari shprehu vullnetin për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me prokurorin. Një ditë më parë, gjatë pyetjes së tij, ai dha deklarime të hollësishme lidhur me krimin e kryer prej tij dhe bashkëpunëtorët e tij në rolin e organizatorit dhe shtytësit të ciulët i identifikoi përkatësisht si Bledar Jambelli (alias Rikardo Muho) dhe Gerti Kajo (alias Kristaq Leci), ky i fundit është djali i dajës së të pandehurit. Shpjegimet e tij gjatë marrjes në pyetje u dokumentuan me procesverbal të mbajtur në mënyrë të përmbledhur pasi u shoqëruan me regjistrimin audio dhe video të të gjithë procesit të marrjes në pyetje.

Gjatë shpjegimeve të tij në cilësinë e e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, i pandehuri Mikel Shallari pretendoi se pas kryerjes së krimit të dyja armët e përdoruar prej tij i fshehu në një vend pranë unazës së re Tiranë dhe të nesërmen ua dorëzoi ato organizatorit të krimit. Ky pohim rezultoi pjesërisht i vërtetë, vetëm për faktin e fshehjes së armëve, por jo për dorëzimin e tyre te organizatorët. Rreth orës 23.00 të datës 12.6.2017 nëpërmjet oficerit të rojës i pandehuri kërkoi përsërit të kontaktonte me hetuesit. Në takimin që u krye të nesërmen më 13.6.2017 i pandehuri pohoi se lidhur me vendndodhjen e armëve kishte gënjyer dhe shpjegoi se ato i pati fshehur në rrethinat e Kuçovës, duke i paketuar dhe groposur në një vend te shtrati i lumit Devoll. U urdhërua këqyrja e vendit të pretenduar prej të hetuarit në praninë e këtij të fundit ku u gjetën dhe sekuestruan dy pistoleta” një pistoletë e markës Glock e kalibrit 9mm dhe një pistoletë e markës Zastava e kalibrit 7.65 mm.

Nga akti i ekspertimit balistik u konfirmua se armët e sekuestruara ishin armët e përdorura nga i pandehuri gjatë ekzekutimit të krimit të vrasjes së Artan Cukut.

Si u organizua vrasja

I pandehuri dha shpjegime të hollësishme mbi rrethanat dhe motivin e krimit të shtetasit Artan Cuku. Ai pranoi se për kryerjen e tij i ishin premtuar 20 mijë euro nga personi i interesuar, të cilin ai e pati njohur me ndërmjetësimin e djalit të dajës së tij Kristaq Leci i cili e konsideronte atë si person të rëndësishëm dhe e quante “I madhi” ose “Shefi”. Ky person u identifikua më pas prej tij si Bledar Jambelli. Përveç çmimit të mësipërm të krimit, organizatori dhe ndërmjetësi i premtuan të pandehurit se do ta ndihmonin të sistemohej në Gjermani, atje ku banonin ata. Ndonëse fillimisht hezitoi, i pandehuri pranoi ta kryente këtë krim duke qenë se ndodhej në vështirësi financiare, kishte një të dashur me të cilën bashkëjetonte në një shtëpi me qera, nuk kishte punë stabël për të siguruar të ardhura dhe përherë ishte në borxhe dhe në vështirësi ekonomike. Ai u josh nga premtimet e bashkëtëpandehurve për t’i siguruar një jetë më të mirë.

I pandehuri pranon se nuk e njihte viktimën Artan Cuku. Atë ia kishte treguar porositësi i krimit, duke shkarkuar një foto të tij nga interneti dhe duke u bërë të ditur automjetet me të cilat lëvizte viktima dhe vendin ku i parkonte para se të hynte në banesë. I pandehuri Bledar Jambelli kishte siguruar armët e krimit. Plani i krimit u thur nga dhjetëditëshi i tretë i marsit dhe fillimi i prillit 2017. Me porosi të organizatorit Bledar Jambelli, i pandehuri me ndihmën e Kristaq Lecit e vëzhguan territorin rreth banesës së viktimës dhe e ruajtën atë për ti gjetur rastin e volitshëm.

Atentati i dështuar

Një tentativë u synua të kryhej pasditen e datës 7.4.2017 ku rolin e ekzekutorit e pati marrë përsipër djali i dajës së tij, Kristaq Leci i veshur me të njëjtat tesha që të nesërmen i veshi i pandehuri. Të dy u pozicionuan te hapësira që me bar përbri parkimit, përballë Universitetit Marin Barleti ku mbanin të fshehura armët. E identifikuan viktimën, i cili u ul në një bar kafe aty pranë, i pandehuri Leci me armët në brez e ndoqi pas, por nuk e kreu aktin nga frika e identifikimit për shkak të lëvizjeve të shumta të njerëzve në atë orë. I pandehuri Shallari shpjegoi se si të dy vëzhgoheshin nga organizatori Jambelli i cili i nxiti të qëllonin. Në mbrëmje vonë të tre të pandehurit u takuan në një lokal ku organizatori me tone fyese shprehu pakënaqësinë ndaj tyre dhe i nxiti që ta kryenin krimin të nesërmen. I vënë përballë presionit dhe i detyruar për shkak të faktit se kishte pranuar para nga Jambelli, i pandehuri mori përsipër ta kryente ai ekzekutimin.

Ekzekutimi i Artan Cukut

Ditën e ngjarjes më 8.4.2017 ndërsa viktima po kthehej në banesë i pandehuri Shallari po e priste para pallatit. Në vendngjarje shoqërohej nga i pandehuri Leci i cili e priste te fusha me bar aty pranë dhe e orientonte në distancë me anë të SMS-ve. Pasi viktima u shfaq dhe u fut në një minimarket pranë hyrjes së pallatit, i pandehuri u pozicionua në te shkallët në pjesën e brendshme të hyrjes dhe me tu shfaqur viktima e qëlloi me të dyja armët njëherësh. Viktima mbijetoi dhe tentoi të hyjë në ashensor, por i pandehuri iu pas dhe e qëlloi edhe aty. Më pas, provohet se viktima doli nga ashensori dhe tentoi të përleshej fizikisht me autorin, por i pandehuri e qëlloi përsëri duke i dhënë goditjen fatale në pjesën e kokës.

Pas krimit i pandehuri u largua sipas itinerarit të paramenduar, duke dalë te sheshi Ëillson prenotoi një taksi dhe e cila e çoi pranë Astir në Unazën e Re ku e kishin të lënë të takoheshin me bashkëpunëtorët Jambelli dhe Leci. Në vendtakim u parqit vetëm i pandehuri Kristaq Leci kurse Jambelli nuk u paraqit. Pasi e pritën më shumë se një orë i pandehuri i telefonoi shokut të tij Xhenilo Gogo duke i kërkuar të flinte atë natë në apartamentin e tij në Paskuqan, ku banonte bashkë me shokët e tij Namik Xhindoli dhe Metjon Demiraj.

Të nesërmen pasdite ata u takuan edhe me organizatorin Bledar Jambelli i cili i dha 2 mijë euro si shpërblim për krimin e kryer. I pandehuri mësoi se po atë pasdite të pandehurit Jambelli dhe Leci do të largoheshin për në Greqi”.

Këto janë vetëm disa pasazhe në dojen e prokurorisë. Aty përshkruhen me detaje edhe pagesat që Shallari ka marrë nga jashtë pas kryerjes së krimit, por edhe lëvizjet e tij. ©LAPSI.al



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *