• |
ide | kryesore

Merkato / Kosova po bën kërdinë në kampionatin shqiptar

Sport



Futbolli nuk ka gjeografi dhe kjo ishte e ditur, por klubet shqiptare duhet të bëjnë tashmë shumë kujdes nga një rival i pamenduar më parë. Kosova po vazhdon të tërheqë pas vetes emra të rëndësishëm të trajningut, por edhe lojtarë nga Shqipëria. Pesë trajnerë shqiptarë e mbyllën sezonin në Kosovë, edhe pse dy prej tyre Blendi Shkëmbi e Bledar Devolli nuk do të jenë më pjesë e Superligës së Kosovës edicionin e ardhshëm. Sulejman Starova, Gugash Magani e Mirel Josa megjithatë mund të mos mbeten vetëm. Samuel Nikaj trajneri që sapo ngjiti Kastriotin në Superiore dhe Gentian Mezani finalist i Kupës së Shqipërisë me Lacin mund të drejtojnë vitin e ardhshëm në Kosovë. “Kam dy oferta dhe brenda dy ditësh do takohem me drejtuesit e klubeve kosovare – pranon Nikaj. Bëhet fjalë për një skuadër në Kategorinë e Parë dhe një në Superligë”. Nikaj ka drejtuar më parë Flamurtarin e Prishtinës, skuadër që e ngjiti në elitën e Futbollit Kosovar një vit më parë. Kosova është tërheqëse edhe për vlonjatin Mezani. Pas një sezoni të shkuar deri në fund me finalen e Kupës së Shqipërisë, të humbur me Skënderbeun, por me arritjen e një vendi në Europa League me Lacin, Mezani është tashmë i lirë pas largimit me mirëkuptim nga klubi kurbinas, me të cilin beson se bëri më të mirën e mundshme. “Kam një ofertë nga Kosova por nuk më pëlqen të bëj të ditur detaje, përpara se të mbyllen bisedimet. Për momentin jam dukur menduar me qetësi të ardhmen” tregoi tekniku. Investimet që janë bërë në Kosovë dhe serioziteti me të cilin punohet kanë bërë që edhe nëse do ti duhej të zgjidhnin, mes Superiores dhe kampionatit kosovar, të dy tekniket do të preferonin vendin fqinj.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *