• |
ide | kryesore

Prokurori i Saimir Tahirit drejt kalimit të Vetingut, shtëpi dhe makinë 2 mijë euro

Lajme, Të fundit



Drejt rikonfirmimit në detyrë edhe prokurori i Krimeve të Rënda, Dritan Prençi. Ai ka dalë sot përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në një seancë dëgjimore. Kujtojmë se Prençi është edhe një ndër prokurorët që heton ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Sipas relatores Zhegu, nga të dhënat e marra nga ILDKPI, prokurori nuk ka probleme me pasurinë. Sipas KPK, në listën e pasurisë është deklaruar: një apartament 74 metra katrorë në Kashar, blerë në vitin 2008 i likuiduar me kredi 30 mijë euro. Autoveturë tip Golf 1998 blerë në 2011, me 50 mijë lekë dhe pas rregullimeve shkon 2 mijë euro.

Në adresë të tij ka patur një kallëzim në Prokurorinë e Kurbinit për shpërdorim detyre, por është vendosur mosfillim pasi s’ka patur vepra penale. Konkretisht shtetasi H.P. ka kallëzuar për shkelje të etikës së prokurorit, pasi sipas këtij shtetasi, Dritan Prenci ka nxjerrë nga zyra avokatin e tij.

***

SKEDA

Prençi ka në dorë edhe dosje si ajo e Orest Sotës, që është bashkuar më atë të ish-ministrit, si dhe ndiqte procedimin penal për llogari të Shqipërisë, të financierit të Habilajve, Nezar Seitit, i cili u ekstradua në janar të këtij viti mes shumë polemikash. Ndryshe nga shumë kolegë të tij, Dritan Prençi ka deklaruar ndër vite një pasuri modeste.

Kështu, sipas të dhënave të “Open Spending Albania”, Prençi ka deklaruar në ILDKPKI se në vitin 2008 është bërë pronar i një apartamenti banimi 78 metra katrorë në Tiranë, i cili është blerë atë vit në shumën 31,204 euro me kredi bankare. Në vitin 2011, Prençi ka deklaruar se ka marrë edhe hipotekën e apartamentit.

Gjithashtu, atë vit Prençi ka deklaruar në pronësi edhe një automjet që e ka blerë për 2,000 euro. Këto janë pasuritë e paluajtshme të prokurorit Dritan Prençi. Ai ka deklaruar edhe një kredi tjetër me interes 3 për qind, në shumën 2,596,000 euro me një afat prej 96 muajsh.

Ai ka paguar thuajse 30 % të vlerës së saj deri më tani. Në deklaratat e tij të pasurisë, Prençi nuk ka për të deklaruar shumë, veçse të ardhurat nga puna e tij si prokuror pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe pagën e bashkëshortes.

Në KPK Prençi do të përballet me trupën gjykuese që përbëhet nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Suela Zhegu. Kujtojmë se prokurori Prençi, së bashku me kolegun e tij, Vladimir Mara, janë nën hetim disiplinor nga Prokuroria e Durrësit pas ekstradimit të bujshëm të Nezar Seitit.

Në janar të këtij viti, Kryeprokurorja e përkohshme fajësoi në një farë mënyrë Prokurorinë e Krimeve të Rënda për ekstradimin e Seitit, që sipas saj, nuk ka komunikuar me Prokurorinë e Tiranës, e cila kishte në dorë dosjen e ekstradimit. Megjithatë, duket se ky hetim ka mbetur në vend. Përveç Dritan Prençit, më 5 qershor në orën 10:00, përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do të jetë edhe gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj. Ky i fundit ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë.

Ai ka qenë fillimisht gjyqtar në Durrës në vitin 1992 dhe një vit më pas është emëruar kryetar i Gjykatës së Sarandës deri në vitin 1995. Nga ai vit deri në vitin 1998, Islamaj ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Krujës dhe në vazhdim, deri në vitin 2002, ka qenë gjyqtar në Kavajë.

Në vitin 2002, Islamaj emërohet kryeinspektor i Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në vitin 2003 emërohet gjyqtar në Apelin e Tiranës. Në vitin 2011 ai emërohet gjyqtar në Gjykatën e Lartë. Po kështu, më datë 4 qershor, në seancë dëgjimore do të jetë edhe Anila Leka, prokurore pranë Prokurorisë së Përgjithshme.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *