• |
ide | kryesore

Itali, 63 vite burg për grupin e shqiptarëve, trafikuan kokainë me vlerë 2.5 milionë euro

Lajme, Të fundit



Gjykata italiane e Aostës ka dënuar me 63 vite burg grupin e shqiptarëve të arrestuar në kuadër të operacionit “Ilium” me akuzën e trafikimit të kokainës nga Hollanda në Itali.

Të dënuarit janë: 

-Gëzim Shoshi, 57 vjeç, i dënuar me 21 vite burg e 1000 euro gjobë

-Alfred Shabani, 43 vjeç, i dënuar me 11 vite burg e 1000 euro gjobë

-Lulzim Halili, 37 vjeç, i dënuar me 11 vite burg e 1000 euro gjobë

-Valentin Lleshi, 31 vjeç i dënuar me 11 vite burg e 1000 euro gjobë

-Si edhe shtetasi italian, shofer i automjetit tip TIR me të cilin transportohej lënda narkotike, Mauro Alvise Cauzzo 66 vjeç nga Venecia, i dënuar me 9 vite burg e 35 mijë euro gjobë.

Operacioni “Ilium” ka nisur hetimet më vitin 2011 pas informacioneve të marra nga operacioni “Shqiponja e bardhë” i sapo mbyllur nga policia italiane.

Hetimet e operacionit “Ilium” vërtetuan se vetëm brenda 15 ditëve grupi i shqiptaëve trafikuan nga Hollanda në Itali 25-30 kg kokainë.

Investiguesit italianë kanë zbardhur në sallën e gjyqit se grupi i shqiptarëve të arrestuar, vijnë të gjithë nga zona e Shkodrës në veri të Shqipërisë dhe thirreshin “malësorë” e flisnin një dialekt të fortë gjë që ka vështirësuar përgjimet ndaj tyre.

Elementi kryesor i këtij grupi kriminal ishte shqiptari Gëzim Shoshi, banues në La Spezia në Itali, i cili merrej me administrimin e parave për blerjen e kokainës në Hollandë, si dhe me shpërndarjen e saj në territorin italian kryesisht në rajonin e Lombardisë.

Kokaina futej në Itali përmes automjeteve të drejtuara nga korrierë të ndryshëm mes të cilëve dhe italiani 66 vjeçar Mauro Alvise Cauzzo. Mbi çdo pako kokainë ishte e shënuar me gërma emri i qytetit apo zona ku ajo do të shpërndahej.

Për të komunikuar mes tyre grupi i malësorëve përdorte një gjuhë të koduar ku kokaina quhej ndeshje futbolli.

“Po pres për të shkuar për të luajtur futboll. Më thuaj nëse vjen dhe ti për të zënë fushën,”-thuhej në një nga mesazhet komunikuese mes anëtarëve të grupit e ku vendodhja e ndeshjes së futbollit ishte vendi ku do të mbërrinte kokaina.

Gjatë operacionit “Ilium” janë vënë nën pranga 17 persona e 66 persona të tjerë janë vënë nën hetim. Ky operacion çoi gjitahshtu në 9 sekuestrime policore të kryera në provincat e  Aosta, Torino, Lodi, Vigevano, Vipiteno e La Spezia ku janë kapur rreth 23 kg kokainë në vlerë 2.5 milionë euro.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *