• |
ide | kryesore

INSTAT/ Si e llogariti papunësinë në nivelin minimal 12.5%

Lajme, Të fundit



Rekordi prej 12.5% në shifrat e papunësisë që shpalli Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj u shoqërua me arsyetimin euforik se kjo u bë e mundur falë modelit ekonomik që PS e nisi kur erdhi në pushtet, në 2013.

“Modeli i ri ekonomik, ai që ne nisëm së bashku në 2013-ën po funksionon. Pikë së pari rritje ekonomike me rritje punësimi, rritje ekonomike me ulje papunësie, rritje ekonomike me rritje të numrit të ndërmarrjeve, rritje ekonomike cilësore me rritje të fuqisë blerëse” tha Ahmetaj në konferencën për mediat.

Por si doli INSTAT në përfundimin se papunësia në Shqipëri është në minimumin historik? Disa nga pikat kryesore të anketës që doli në këtë përfundim sqarohen në metodologjinë, ku jepen detaje për konceptin e të punësuarve dhe luhatjet e shifrave ndër vite.

Si ndryshuan shifrat e punësimit në kohë

Nga grafikët e INSTAT vihet re se numri i të punësuarve në administratën publike dhe në bujqësi nuk ka ndryshuar shumë vitet e fundit. Të punësuarit në shtet kanë mbetur rreth 160 mijë vetë, ndërsa në bujqësi, njësoj si disa vite më parë numri luhatet tek 460 mijë.

Shifra që ndryshon është ajo e të punësuarve në industri, që sipas INSTAT, në fillim të këtij viti, kapi numrin e pak më shumë se 500 mijë të punësuarve.

Por që nga viti 2015, ky tregues ka disa kapërcime të forta mes tre mujorëve.

Ajo që bie në sy është se në janar, shkurt dhe mars të këtij viti janë të punësuar 418 veta më shumë, kurse në 3-mujorët e shkuar shifrat rriten me 10 mijë, 20 mijë apo deri 60 mijë të punësuar për çdo tre muaj.

Si pyeten familjet për të dalë në shifrat e papunësisë

INSTAT ka përzgjedhur 7944 familje për të matur nivelin e papunësisë në të gjithë Shqipërinë. Familjet janë përzgjedhur në mënyrë të tillë që “të sigurohen vlerësime sa më të sakta për treguesit kryesorë të tregut të punës” thuhet në metodologji. Një familje pyetet çdo 13 javë për 15 muaj rresht dhe nga këtu prodhohen rezultatet e anketës së INSTAT. Në familjet e zgjedhura u anketuan në intervistë të drejtpërdrejtë të gjithë pjesëtarët e moshës 15 vjeç e lart.

Cilët janë qytetet me papunësinë më të madhe

Ndryshe nga çfarë është perceptimi i përgjithshëm në opinionin publik, qyteti me papunësinë më të madhe në Shqipëri, është Vlora me një shkallë prej 24.5% për tre muajt e parë të këtij viti. Pas Vlorës, vjen një qytet tjetër bregdetar, Lezha me 18.2%, pastaj Tirana me 15%. Papunësia më e ulët regjistrohet në Dibër me vetëm 6%, sipas INSTAT.

Kush konsiderohen “të punësuar” nga INSTAT

Sipas anketës që organizoi INSTAT, të punësuar janë konsideruar personat që kanë kryer një punë qoftë dhe një orë kundrejt një page ose përfitimi gjatë javës së referencës.

Janë konsideruar si të punësuar edhe personat që marrin pagë për trajnimin gjatë punës, si dhe personat që kanë munguar përkohësisht në punën e tyre gjatë javës kur janë pyetur për arsye si leje lindje, sëmundje etj.

Të punësuar konsiderohen edhe të vetë-punësuarit që kanë ndërmend të rikthehen në biznesin/fermën/praktikën profesionale apo punëtoret pa pagesë që presin të kthehen në punë në tre muaj ose më pak.

Gjithashtu të punësuar konsiderohen edhe personat të cilët punojnë në fermën e tyre të vogël, të cilët nuk shesin produktet e tyre, por prodhojnë vetëm për vetë-konsum.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *