• |
ide | kryesore

Pse nuk i bindi aktorët shfaqja e Erion Veliajt për projektin e teatrit

Arkiva, Kryesore



Mes artistëve që kundërshtojnë projektin e qeverisë për Teatrin Kombëtar, ranë në sy dy ide në dëgjesë. I pari ishte refuzimi për faljen e truallit ndaj privatit dhe shqetësimi se sa më më lart të ngriheshin kullat, aq më shumë do të mpakej Teatri Kombëtar. I dyti, ishin mosbesimi i hapur ndaj fjalëve të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Që në fillim, Veliaj doli garant se projektligji që ka përgatitur qeveria lë të hapur çdo opsion për teatrin dhe se prishja e Teatrit Kombëtar është një spekullim. Veliaj e krahasoi marrëdhënien me kompaninë private me atë që shumë familje të Tiranës kanë pasur me ndërtuesit, por nga sa u pa, nuk bindi askënd. Në fjalën e tyre, aktorët ia përmendën hapur gënjeshtrat, madje edhe kotësinë e dëgjesës, ku ishin të pranishëm.

Gënjeshtrën ia përmendi Kryetarit të Bashkisë, aktori Robert Ndrenika, kur nuk ia pranoi shifrën prej 30 milion eurosh si koston e një teatri të ri.

“Unë jam kundër këtij partneritetit public privat. Ndoshta ai projekti që ka paraqitur ai hollandezi është i mirë. Skenën nuk e kam parë. ¾ e teatrit është skena. Duhet të flasin regjizorët, arkitektët, aktorët, por skenën nuk e kemi parë. Mendoj se nuk ka ndonjë gjë të keqe të ruhet, siç është ai pazari i ri, që e ruan atë imazhin, pra, është i dikurshmi po i rregulluar, nuk i vjen më era… Zamira mund të na thotë që është bërë edhe ai pazari i Korçës, i ri i vjetër, si e quani që më thanë është bërë i shkëlqyer.

Pra, edhe ky kompleksi ynë, me të dyja godinat, edhe me oborrin, edhe pishat, edhe pishina, që është monument kulture mund të riparohet dhe të dalë i shkëlqyer dhe jo me 30 milion euro. Dhe kam bindjen z. Erion se të kanë gënjyer për ato 30 milionë eurot që duhen, se maksimumi mund të duhen 10 apo 15 milionë euro për atë teatër që duan të bëjnë”, tha Robert Ndrenika.

Regjizori Robert Budina e akuzoi hapur kryebashkiakun Veliaj se po tregohej i pasinqertë me artistët. Nëse nuk tërhiqet projektligji i marrëveshjes në parlament, fjala e aktorëve s’ka asnjë vlerë, sipas tij.

“Ju na e bëtë fakt të kryer ligjin dhe tani thoni “hajde diskutojmë për këtë ligjin”. Duhet të bjerë ky ligj, të tërhiqet ky draft që bëtë ju dhe të bëjmë diskutime sa të doni. Dhe këtë punë nuk e zgjidhim dot as ne, se do themi Eritrea, Koloseu, Kamboxhia. Duhet të ketë specialistë për këtë punë”.
Unë mendoj që ju nuk jeni i sinqertë. Do të më falni por nuk jeni i sinqertë propozimin që bëni se pas atij ligji shkelen 17 ligje dhe për këtë jam shumë, shumë, shumë i trishtuar për shtetin tim. Të bëhet një ligj, ku shkelen të gjitha ligjet e tjera… Me këtë arbitraritet jam i tronditur. Sigurisht që paraqitja juaj është e një djali që punon dhe e vlerësoj, por thelbi në krahun tjetër është.. Kshu e mendoj unë do më falësh dhe këtë e ke treguar me këtë moskomunikim. Të bëhet një ligj për një kontratë, ndërkohë që një ligj duhet të vlejë për 30 vjet” u shpreh Budina.

Thirrja për të mos e pranuar projektin Rama-Veliaj për teatrin erdhi e fortë nga Alfred Trebicka. Vite më vonë, tha ai do të kujtojmë si e hëngrëm këtë koqe ulliri.

“Thelbi ëhstë territori. Ajo hapësirë e lakmueshme në atë vend. Nëqoftëse shkojmë përmes bashkëbisedimit, debatit me njëri tjetrin, shkojmë deri në pikën që ai territor të mbetet i pacënuar dhe të mbetet vetëm për teatrin kombëtar, ne ia kemi arrit qëllimit të gjithë bashkë. Nëqoftëse aty, edhe nëqoftëse ne sot besojmë se nuk do të ndodhin ato që do të ndodhin, nesër për të gjithë ne që jemi këtu dhe që kemi qenë present do të jetë një turp i madh që: Si e hëngrën këta këtë koqë ulliri? Që e pranuan këtë gjë dhe nesër aty të ngrehen kulla dhe të ngrehen ku di unë se çfarë… në atë objekt. Targeti është ruajtja e këtij territori që i takon teatrit. Nëse pranojmë atashimin e këtij partneri që është i fuqishëm, na myti ne ai, ikëm ne” u shpreh Alfred Trebicka.

Kullat i përmendi edhe Reshat Arabana. “Do na duken sikur do bien mbi kokën e artistëve dhe të teatrit” tha ai, duke i qëndruar idesë së rikonstruksionit të teatrit.

“Por dua të them një gjë, si aktor i teatrit, kam 27 vjet që kam ik, por them që teatri duhet të mbetet aty. Nëse një pjesë e mirë e territorit qenka i Bashkisë, i lutem Bashkisë le t’ia lerë teatrit. Nuk jam i mendimit që duhen 1 milion dollarë rikonstruksion. Kollonat janë 10 me 10. E kemi parë të gjithë në ç’gjendje është teatri, si është katandisur. A bëhet një i ri komplet, nuk e di. As vlerën nuk e di. Po lërjani territorin e teatrit Tiranës. Përfundimisht nëse do vazhdoni të dëgjoni të gjithë, nuk do mbarojmë kurrë, merrni arkitektë dhe artdashë se me 200 vetë nuk do arrini të dilni në krye. Bëni një gjë të bukur se ato kullat, nëse do bëhen do na duken sikur do bien mbi kokën e artistëve dhe të teatrit. Restaurimi ndoshta do më shumë se 1 milion dollar. Isha në dhjetor. Nuk rrihej aty. Ishte një tmerr. Merrni arkitektë dhe regjizorë, skenografë. Por i ndjek ca skena të turpshme, kur bëjnë propozime”

Regjizori Altin Basha shpjegoi se partneriteti me privatin, në të gjitha rastet ka prodhuar rezultatet negative për artin dhe është normale që të paragjykohet nga artistët.

“Ne si komunitet kemi një paragjykim për atë problemin e PPP. Kemi një paragjykim. Pse? U nis të ndërtohej Kinema Republika, zoti Rama ishte ministër kulture. Për Shqipërinë e asaj kohe ishte një ngjarje. Çfarë ka sot? Një kullë. Po kinema 17 Nentori? Ka një kullë aty sot. Pra ne kemi të drejtë të paragjykojmë, që këto lloj partneritetesh cfarë rezultati na çojnë?” u shpreh Basha.

Mosbesimi i artistëve për Veliajn nuk është rastësi. Dëgjesa është e vonuar. Shansi për ta thënë fjalën për teatrin e ri, artistëve iu dha vetëm kur gjithçka duket se ka marrë fund. Në parlament është gati ligji i marrëveshjes me kompaninë Fusha që financon teatrin e ri, në këmbim të truallit ku do ngrihen kulla. Projekti i arkitektit Bjorke Ingels është prezantuar me bujë nga qeveria dhe Rama me Veliajn e kanë bërë të qartë se godina aktuale do të shembet. Për këtë arsye, artistët nuk kishin si t’i besonin Veliajt.©Lapsi.al



4 Comments

  1. Si shume te edukuar dhe te permbajtur jane treguar me kete hajdutin qe “po i ndryshon faqen” Tiranes, dhe qe rreket te mbushe mendjen e njerezve qe ka mbjelle 100 mije peme (21 mije thote vete faqja e bashkise) por nderkohe nuk la cep bosh te Tiranes pa e dhene per pallat. Dhe qyteti po vdes ngadale.

    1. Jo vetëm të edukuar po i thonë dhe djalë që punon. Pastaj nuk ja përplasin në fytyrë faktin që po bëhet ligj për t’ia dhënë një kompanie pa tender ndërtimin. Kjo është vjedhje e hapur. Qyetetarët e Tiranës që japin pronën për ndërtim përpiqen të gjejnë dikë serioz dhe që jep përqindjen më të lartë kurse këta ja japin dikujt që duan ata pa e çarë kokën se nuk e kanë pronë të tyren.

  2. Një gjë më bëri përshtypje veç të tjerave, në këtë takim .
    Si është e mundur që disa aktorë të Teatrit kombëtar , nuk e kuptojnë se Erioni është një aktor diletant që luan Uriahipin ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *