• |
ide | kryesore

Besimtarët myslimanë rikthejnë faljen në bulevard, pse u shmang sheshi Skënderbej

Lajme, Të fundit



Një vit më parë, kur sheshi Skënderbej sapo kishte përfunduar, kryetari i Bashkisë së Tiranës e quajti jodinjitoze që besimtarët myslimanë të faleshin në rrugë ditën e Bajramit. Veliaj vuri në dispozicion sheshin dhe parkingun falas, për faljen e Namazit ditën e Fiter Bajramit ndërsa doli publikisht me Myftiun e Tiranës, Ylli Gurra për të thënë se ” sheshi është për njerëzit, ndaj siç përdoret për koncerte, për evente, për aktivitete, ashtu duhet të përdoret nga të gjithë besimtarët”.

Por një vit më pas, myslimanët u rikthyen në bulevard për t’u falur dhe jo në Sheshin Skënderbej. Edhe këtë mëngjes në shesh ishin ekranet gjigande ku transmetohen ndeshjet e kampionatit botëror. Nuk lëvizën nga vendi as kioskat ku shiten qofte dhe birra, as llotot ku mund të vendosësh baste dhe të luash kumar, ndërsa shikon ndeshjet e botërorit.

Nëse vlen ende deklarata e Veliajt një vit më parë, është e qartë se Bashkia e Tiranës do të ishte e gatshme ta “pastronte” sheshin nga alkoli dhe kumari, të paktën për paraditen e faljes së namazit ditën e Bajramit.

Por vendimi për ta shmangur sheshin Skëndërbej dhe për t’u rikthyer në bulevard për faljen e Namazit, është një vendim i vetë myslimanëve.

Një vit më parë, pas faljes në sheshin Skënderbej erdhën debatet dhe provokimet. Gjithçka nisi me disa foto të shpërndara në rrjetet sociale që tregonin në njërën anë myslimanët duke u falur dhe në anën tjetër monumentin e Skënderbeut mbi mijëra besimtarë. Fotot provokuan pakënaqësi mes besimtarëve për kombinimin dashakeq, që i ishte bërë djallëzisht në një moment faljeje.

Disa muaj më pas, në shtatorin e vitit të kaluar, gjatë faljes së Kurban Bajramit në sheshin Skënderbej, në mes besimtarëve që faleshin dhe monumentit të Skënderbeut u vendosën disa ekrane gjigande. Sërish rinisën debatet nëse ky ishte një mbulim i heroit kombëtar, nëse kjo ishte e drejtë apo jo, etj etj. Kësaj radhe besimtarë myslimanë shpjeguan në media se gjatë ushtrmit të riteve fetare, besimtarët nuk duhet të kenë figura idhujtare apo statuja përballë tyre, por debatet sërish nuk u shuan.

Pikërisht këto debate, keqpërdorimi dhe provokimi që u nxit në media dhe rrjetet sociale duket se kanë qenë arsyet që e shtynë Komunitetin Mysliman të marrë vendim për të mos u rikthyer për falje në sheshin Skënderbej. Në Bashkinë e Tiranës, duket se këtë vit, kërkesa ka qenë për t’u falur në bulevardin Dëshmorët e Kombit, aty ku falja do të kalojë e qetë dhe pa debate. ©Lapsi.al



2 Comments

  1. asnjeri nga keta nuk ka bere mekate, e cudicme, te falesh perpara zotit duhet te jesh njeri i paster……zoti fal gabimet jo fajet.

  2. po i falen rames e erdogan keta fllian.keta jan si rama 99 perqind komunist,0,5 perqind pis e 0,5 perqin mysliman.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *