• |
ide | kryesore

Lufta tregtare/ Pas Europës Trump kërcënohet edhe nga Kina

F1, Planet



Dy ekonomitë më të mëdha të botës tani janë në luftë mbi tregtinë.

Kina akuzoi SHBA se qëlloi e para të premten, kur Shtëpia e Bardhë konfirmoi se do të vendoste tarifa prej 25% mbi 50 miliardë dollarë mallra kineze.

Njoftimi konfirmon një kërcënim të bërë së pari nga Presidenti Donald Trump në mars dhe pas muajsh bisedimesh tregtare midis dy palëve. Masat shtrënguese u njoftuan që në maj, por nuk hynë në fuqi atëhere.

“Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar të ndryshojnë mendjen dhe tani kanë nisur një luftë tregtare,” tha Ministria e Tregtisë e Kinës në një deklaratë.

Qeveria kineze tha se do të përgjigjet me tarifa njësoj si ato të vëna nga SHBA, të cilat do të zbatohen për rreth 1.100 produkte dhe do të synojnë hapësirën ajrore, robotike, prodhuese dhe auto industrinë kineze.

“Kina nuk dëshiron një luftë tregtare”, njoftoi qeveria kineze, duke shtuar se do të “luftojë fuqishëm” në mbrojtje të interesave të saj kombëtare, globalizimit dhe sistemit të tregtisë botërore.

“Ne do të vendosim menjëherë masat tarifore që do të përputhen me shkallën dhe intensitetin e atyre të nisura nga Shtetet e Bashkuara”.

Sipas Ministrisë së Tregtisë, “të gjitha marrëveshjet ekonomike dhe tregtare të arritura nga negociatat e mëparshme do të anullohen”. Kjo përfshin një marrëveshje paraprake për të rritur blerjet kineze të energjisë dhe mallrave bujqësore.

Deklarata e Ministrisë së Tregtisë nuk dha detaje të mëtejshme për produktet amerikane që do të goditen. Kina ka premtuar më parë se do të përgjigjet me tarifat hakmarrëse ndaj produkteve të SHBA, si makina, aeroplanë dhe soje.

Trump ka kohë që është ankuar për suficitin e madh tregtar të Kinës me Shtetet e Bashkuara. Në një deklaratë të premten, ai tha se tregtia me Kinën “ka qenë shumë e padrejtë, për një kohë shumë të gjatë”. 

                                                                          (SHBA eksporton 187 miliardë dollarë produkte në Kinë, ndërsa importon 524 miliardë dollarë nga ky vend) 

Presidenti amerikan tha se tarifat e reja, të cilat do të fillojnë të hyjnë në fuqi më 6 korrik, ishin të dizenjuara për të ndëshkuar Kinën për vjedhje të pronës intelektuale amerikane dhe teknologjisë.

Dhe ai paralajmëroi se çdo hakmarrje nga Pekini do të shkaktonte një raund tjetër tarifash për mallrat kineze.

Kjo ngre spektrin e një lufte tregtare që do të intensifikohet, e cila do të dëmtonte konsumatorët, kompanitë dhe ekonominë globale. Bursa ra gati 200 pikë të premten pas shpalljes së tarifave.

Parashikimet për rritje të ekonomive të mëdha janë zvogëluar që tani, për shkak të rritjes së proteksionizmit. (përktheu lapsi.al)

“Një mosmarrëveshje globale në rritje mbi tregtinë, ose rritja e gjerë e tarifave të importit do të kishte një ndikim të dukshëm negativ në ekonominë gjermane, e cila është e orientuar drejt eksportit.” – njoftoi Banka Qëndrore e Gjermanisë.

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë vendosur tarifa për çelikun dhe aluminin që vjen nga Kanadaja, Meksika dhe Bashkimi Europian. Të gjithë kanë premtuar të marrin masa.

28 vendet anëtare të BE-së ranë dakord të enjten se tarifat hakmarrëse do të hyjnë në fuqi në ditët në vijim.

“Në këtë ditë, nisja e një lufte tregtare nuk është në interes të botës,” tha Ministria e Tregtisë e Kinës. “Ne i bëjmë thirrje të gjitha vendeve të veprojnë së bashku për të ndaluar me vendosmëri një veprim kaq të vjetër dhe të prapambetur dhe për të mbrojtur me vendosmëri interesin e përbashkët të të gjithë njerëzimit”.

CNN, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *