• |
ide | kryesore

Grabiten 30 mijë euro në mobilieri, roja tregon tmerrin

Lajme, Të fundit



Dy persona ende të paidentifikuar kanë arritur të grabisin rreth 30 mijë euro në kasafortën e një mobilierie në Tiranë.
Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të vona të së enjtes, në vendin e quajtur “Ura e Beshirit”, në rrugën Tiranë – Ndroq.

Pasi kanë arritur të neutralizojnë rojën, duke e lidhur, grabitësit janë futur në ambientet e brendshme të mobilierisë, duke hapur me sende të forta kasafortën.

“Panorama” që citon burime të saj nga policia e Tiranës thotë se janë lajmëruar për ngjarjen disa minuta pasi autorët kishin arritur të largoheshin bashkë me shumën e parave.

Është marrë në pyetje roja i objektit, i cili ka deklaruar se kanë qenë 2 persona, të cilët e kanë zënë në befasi dhe më pas e kanë lidhur, duke i mbyllur edhe gojën që të mos kërkonte ndihmë. Ai ka thënë se nuk ka arritur t’ua shohë fytyrat grabitësve, pasi kishin vendosur kapuça në kokë.

Gjithashtu roja ka thënë se nuk ka arritur të dallojë nëse autorët kanë qenë të armatosur apo jo. Burimet thanë se janë sekuestruar kamerat e sigurisë së objektit, por edhe të disa bizneseve përgjatë rrugës që të çon drejt mobilierisë së grabitur.

Dyshohet se për të realizuar vjedhjen autorët kanë përdorur një automjet, me të cilin kanë shkuar dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *