• |
ide | kryesore

Kosta Rika e Navas, sfidon ballkanasit e talentuar

Rusi 2018, Sport



Në një grup me Brazilin, pikët duhen bërë në ndeshjet e tjera. për më tepër, në ndeshjen e parë të historisë, në Samara Arena, askush nuk kërkon të zhgënjejë, as Kosta Rika e as Serbia. Dy skuadrat luajnë shanset e tyre me gjithcka për gjithcka, edhe pse brenda tyre e kuptojnë se luhet për vendin e dytë dh në Grupin E forcat janë të balancuara, po të heqësh 5 herë kampionët e botës.

“Super Navas”, Kosta Rika pret nga portieri i Real…

Kosta Rika në prezantimin e tyre të 5 në një Kupë Bote nuk vjen pa ambicje, për më tepër që në 4 rastet e fundit, dy herë ia kanë dalë të shkojnë deri në fazën me eleminim direkt. Bryan Ruiz mbetet pika e referimit në fazën sulmuese, por ylli i skuadrës nga kontinenti amerikan është Keylor Navas, portieri i Real Madrid, një siguri në kuadratin e portës. Noshta nuk ishte rastësi që në 2014, në Brazil, Costa Rika u eleminua pa humbur asnjë ndeshje, u dorëzua vetëm me 11 metersha ndaj Hollandës në cerekfinale.

Mbrojtje solide, strategjia e Ramirez…

Tekniku, Oscar Ramirez, i di shumë mirë limitet e skuadrës së tij e për këtë arsye luan me shumë forca pas. Skema e preferuar është ajo me 5 mbrojtës, që është detaj përcaktues në 3 ndeshjet pa pësuar në 4 sfidat e fundit në Botëror. Kosta Rika ka qenë gjithnjë një skuadër fizike: nga 17 golat e shënuar në Kupën e Botës, 13 ose më saktë (76.5%) i ka shënuar në pjesën e dytë. Por në Rusi të besuarit e Ramirez vijnë ndryshe: janë skuadra me moshën më të madhe në botëror dhe kanë humbur 6 nga 8 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet.

Në Botëror ka diçka që nuk shkon me Serbinë…

Vetëm një statistikë ka Serbia në favor: që në kohët kur quhej Yugosllavia, ata i kanë fituar të 3 precedentët me kombetare të CONCACAF, por ballkanasit kanë dalë jashtë që në grupe në dy Kupat e fundit të Botës dhe kanë humbur dy ndeshjet hapëse në edicionet e fundit, pa përmendur 6 humbjet në 7 ndeshjet e fundit në një Botëror..

Fantazi dhe finalizim armët e Krstajic…

Tekniku i Serbisë, Mladen Krstajic, i ka idetë e qarta për mënyrën si duhet të luajë skuadra e tij. Pjesa ofensive e serbëve ka fantazi me 7 asist të Tadic në kualifikuese, talentin e Ljajic pas shpinës së një finalizuesi race si Mitrovic: 6 gola në 9 ndeshje kualifikuese.

Garancinë për mbrojtjen e jep mesfusha…

4-2-3-1 duket varianti më i përshtatshëm për mënyrën si funksionon Serbia me yllin e mesfushës Milnkovic Savic përkrah Nemana Matic. Mbrojtja edhe pse me veteranë, përfshirë edhe portierin Vladimir Stojkovic e ku Branislav Ivanovic me prezencën e 140 do të bëhet lojtari që ka luajtur më shumë ndeshje me përfaqësuesen, mund të mbijetojë me digën që krijojnë dy gjigantet serbë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *