• |
ide | kryesore

“Penta campeao” zbret në fushë, Zvicra kthen sytë nga Shaqiri

Rusi 2018, Sport



Vështirë se mund të gjesh një komb tjetër të jetojë me futbollin ashtu si brazilianët. 5 herë kampionët e Botës, që nuk është se janë rekordmenë vetëm për numrin e trofeve, por janë gjithashtu e vetmja skuadër prezente në cdo finale Botërori e që ka fituar dy Kupa bote rradhazi, në Rusi 2018 vijnë si favoriti kryesor për trofeun. Samba dhe futbolli janë në gjakun e brazilianëve, që me ndërthurjen natyrale të komponentëve të tyre përcaktues, janë një nga skuadrat më zbavitëse të planetit, për të mos u shtyrë edhe më tej. Në Rostov mbi Don për Grupin E, Selecao do të ketë përballë Zvicrën, një kundërshtar që e kanë ndeshur vetëm një herë në këtë nivel, barazimin 2-2 në turneun e vitit 1950.

Tite “magjistari” i pankinës…

Nëse Brazili rigjeneroi skuadrën dhe kaloi traumën e pësuar në 2014 në shtëpi, kjo është natyrisht meritë edhe e Tite. Me teknikun në pankinë brazilianëve i është kthyer krenaria, 4 vjet nga turpërimi në shtëpi në gjysëmfinalen më Gjermaninë 7-1. Tita i ka dhënë përsëri Selecaos dimensionin e futbollit ofensiv: të gjejë golin nuk është problem për Brazilin që ka shënuar më shumë se 3 gola në 61% të ndeshjeve kualifikuese për një mesatare 2.27 gola për ndeshje.

Neymar “Zoti” i fushës…

Neymar Junior është përsëri njeriu simbol i Brazilit, por këtë herë ka dicka ndryshe. Selecao nuk është më aq e varur nga sulmuesi i PSG, edhe për faktin se ka një repart ofensiv të të gjithë prestigjit. Filozofia e Tites është sulmi, jo më kot treshja përpara është ajo e ëndërrave Neymar-Jesus-Ëillian, duke llogaritur që në mesfushë është një fantazist si Coutinho, e krahët e mbrojtjes janë mesfushorë në fazë zotërimi të topit. Në pankinë janë të gjithë titullarë potencialë. Firmino shkoi në finalen e Champions me Liverpool, Douglas Costa personifikimi i suksesit të Juventus në Serinë A, por askush nuk errëson dot Neymar. Numri 10 ka shënuar 55 gola në 85 ndeshje me Kombetaren dhe pas dëmtimit, që mbajti në ankth një komb të tërë, është kthyer po aq i frikshëm sa më parë.

Mbrojtje e kundërsulm, Petkovic di cfarë të bëjë…

Selecao ishte e para e kualifikuar në Rusi me 12 fitore në 18 ndeshjet kualifikuese, në të cilat humbi vetëm një. Por ky fakt nuk turbullon Zvicren, që kapet fort pas fitores në përballjen e fundit: 1-0 në miqësoren e Baselit në 2013. Zvicra është një skuadër e organizuar dhe në 35 ndeshje asnjëherë nuk ka pësuar më shumë se dy gola. Tekniku Petkovic ka krijuar një formacion solid që në fushatën kualifikuese, fitoi cdo ndeshje, përvec të fundit të humbur 2-0 përballë Portugalisë, duke shënuar 23 gola dhe duke pësuar vetëm 7.

Shaqiri shpresa e vetme e Zvicrës…

Kritikat për skuadrën e Petkovic janë të gjitha për varësinë ndaj Shaqirit në aspektin ofensiv. Sipas tyre nëse nuk luan Shaqiri, kombëtarja vuan shumë për të patur ide përpara. Shtatshkurtri kosovar ka shënuar 4 nga 6 golat e fundit të zviceranëve në turnetë madhorë dhe kjo është një e dhënë për mënyrën se si fantazisti i Stoke City është deciziv për zviceranët. Problem mund të jetë mungesa e Admir Mehmedi, në një sistem loje që Petkovic e ka ndërtuar të njëjtë me atë të zhvilluar në Euro 2016, ku në majën e sulmit duhet të jetë Haris Seferovic shënuesi më i mirë i kualifikueseve me 4 gola. Seferovic megjithatë duhet ta fitojë vendin si titullar, pavarësisht se në hierarkitë e teknikut ka një vend të vecantë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *