• |
ide | kryesore

Këshilltari i Ramës: S’ka kamp refugjatësh, vendimet nuk i merr kryeministri austriak!

Lajme, Të fundit



Këshilltari i Kryeministrit Rama, Sandër Lleshi, mohon kategorikisht mundësinë që Shqipëria të kthehet në një kamp pritës për refugjatët që aspirojnë vendet e BE apo për ish-luftëtarët e ISIS, të kthyer nga Siria apo vendet e konfliktit. “Po alarmohemi sot nga ca media, të cilat u bëjnë jehonë axhendave politike të disa vendeve të caktuara të BE. Por vendimet për Shqipërinë nuk i merr Kryeministri austriak, i marrin autoritetet e Shqipërisë dhe autoritetet e Shqipërisë nuk kanë asnjë artikulim që shkon në favor të ngritjes së ndonjë kampi refugjatësh në Shqipëri”, u shpreh Lleshi.

Ndërsa për sa u përket debateve rreth ndërtimit të kampit për luftëtarët e ISIS, këshilltari për Sigurinë i Ramës i quan spekulime “Made in Albania”. “Do të ishte çmenduri që BE të na mbajë derën mbyllur ne sot dhe nesër kur të bëhemi vatër terroristësh, të na e hapë. Ky është ‘Made in Albania’ plotësisht si lajm, këtë e kanë krijuar vetëm shqiptarë, të cilët janë mjaft të informuar si është e vërteta. Kryeministri Borisov tha është ide shumë e mirë dhe propozimin e Shqipërisë tha ne si Bullgari e mbështesim. Pra, ne do të sjellim njerëzit tanë, për ekspertët e vet, jo për terroristët”, tha Lleshi.

Sipas tij, deklaratat e Kryeministrit bullgar janë keqkuptuar, pasi Borisov e kishte fjalën për të sjellë ekspertë për Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe jo terroristë. Sipas tij, misioni i kësaj qendre është koordinimi punën e institucioneve në bazë rajonale. “Misioni i saj është të koordinojë punën e institucioneve tona për të zbatuar një strategji kombëtare kundër ekstremizmit dhe kjo ishte ideja që këtë qendrën tonë ta bëjmë rajonale, të ftojmë ekspertë, akademikë dhe përfaqësues të medias, klerit nga këto vende që të bashkojmë përpjekjet në kuadër të qendrës sonë”, është shprehur këshilltari i Kryeministrit. Nga janari deri më sot përllogaritet se në vendin tonë kanë hyrë ilegalisht rreth 2500 refugjatë nga vendet e Lindjes së Mesme që destinacion fundor kanë vendet perëndimore.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *