• |
ide | kryesore

Adriatik Llallës pasi i shpëtoi Vettingut, do marrë gjysmën e pagës për tre vjet

Lajme, Të fundit



Vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i cili konfirmoi vendimmarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për të ndërprerë procesin e Vetingut për ish-kryeprokurorin, Adriatik Llalla, ka edhe efekte financiare. Përpos shpëtimit nga kontrolli i trefishtë për ligjshmërinë e pasurive, kontaktet e mundshme me krimin dhe aftësisë profesionale, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla do të përfitojë edhe një shpërblim. Konkretisht, me legjitimimin e dorëheqjes nga dy komisionet e Vetingut, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla do të marrë për tre vjet me radhë gjysmën e pagës që merrte kur ushtronte detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm.

Gjithashtu, Llalla do të marrë edhe tre paga të plota pas përfundimit të mandatit si kryeprokuror. Kjo mund të jetë edhe një nga arsyet se pse ish-kryeprokurori u angazhua fort për t’i shpëtuar procesit të Vetingut, ku në përfundim ose do të shkarkohej ose do të konfirmohej në detyrë. Por cila është baza ligjore e shpërblimit për ish-kryeprokurorin? Pika 2 e nenit 56 të ligjit të Vetingut, parashikon që pas dhënies së dorëheqjes, subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të përfitojë pagesë kalimtare, sipas nenit 7, pika 1, të ligjit “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”. Neni 7 ndan në grupe zyrtarët e lartë të shtetit që përfitojnë paga të plota dhe gjysmë page pas largimit nga detyra.

Llalla, duke qenë ish-kryeprokuror, hyn në grupin e parë. Për personat e grupit të parë, pika e parë e nenit 7 të ligjit për pensionet shtetërore suplementare, parashikon që pas largimit nga funksioni, u jepen tri paga mujore të funksionit dhe pas këtyre pagave marrin 50 për qind të pagës referuese, për aq kohë sa kanë punuar në funksione të tilla, por jo më shumë se 3 vjet nga momenti i largimit nga ky funksion. Pra me anë të dorëheqjes, ish-kryeprokurori duhet të qëndrojë 15 vite larg drejtësisë së re, por aga ana tjetër, do të marrë deri në tre vite gjysmën e pagës pa punuar.

Sa përfitojnë të tjerët

Shtatëmbëdhjetë prokurorë dhe gjyqtarë dhanë dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë për t’i shpëtuar skanimit të trefishtë të Vetingut. Edhe këta do të përfitojnë nga pika 2 e nenit 56 të ligjit të Vetingut, por jo aq sa ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese që kanë dhënë dorëheqjen do të marrin dy paga mujore të funksionit dhe pas këtyre pagave marrin 50 për qind të pagës referuese, për aq kohë sa kanë punuar në funksione të tilla, por jo më shumë se 3 vjet nga momenti i largimit nga ky funksion.
Ndërkaq, gjyqtarët dhe prokurorët e niveleve të tjera, nuk reflektohen në pikat e nenit 1 të ligjit për pensionet shtetërore, por megjithatë, ata janë parashikuar si përfitues në pikën 2 të nenit 56 të ligjit të Vetingut./ Shqiptarja.com



4 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *