• |
ide | kryesore

Edhe Maks Velo kundër Ramës: Teatri Kombëtar nuk duhet shembur!

Lajme, Të fundit



Arkitekti Maks Velo, i ftuar në “Studio e Hapur” e gazetares Eni Vasili në “News 24” ka deklaruar prerë se Teatri Kombëtar nuk duhet të shembet.

“Për mua, nuk duhet shembur. Aty ka 4 probleme. Problemi i parë është i tokës, problemi i dytë është i teatrit, problemi i tretë është trashëgimia dhe i katërti projekti.

Shpesh, mundohen t’i ngatërrojnë këto të katërta, ndonëse ato janë probleme veç e veç. Për mua, ajo tokë i duhej dhuruar Teatrit, për faktin se për kaq vjet, aty është zhvilluar një aktivitet i madh, janë krijuar institucione.

Unë kam qenë në teatër që në vitin 1950. Kam parë edhe “Prefektin” me Behije Çelën, etj… Kam bërë disa skenografi, kur drejtor ka qenë Xhemal Broja, i cili më ka ftuar. Aty janë themeluar të gjitha institucionet e kulturës. Aty është themeluar Teatri i Kukullave, Ansambli i Ushtrisë, Orkestra Filarmonike, në 1953 kam qenë aty kur Krantja dirigjoi Filarmoninë e Tiranës, pastaj kam parë baletet “Shatërvani i Bahçisarajit”, “Rusalkën”, etj…

Ka një manipulim, një goditje të keqe ndaj ndërtesës, me justifikimin: vajza ime është 2 vjeç dhe nuk e di se çfarë është bërë aty dhe ta shembim.

Me këtë logjikë, edhe unë nuk kam qenë në kohën e Ismail Qemalit dhe le ta shembim shtëpinë e Vlorës, që për mua, s’ka asnjë rëndësi dhe nuk kam asnjë lidhje me të, ose me godinën ku u mbajt Kongresi i Lushnjës. Unë kam lindur në vitin 1935, ç’lidhje kam unë me të.

Vlerat vijnë nga vjetërsia. Francezët shitën një shishe vere të 1774-ës, 103 mijë euro. Kantina e ka mbajtur që në 1774-n. Kjo e bën vlerë dhe jo aftësia që të bësh një verë të re.

Trashëgimia është pikërisht transmetimi, grumbullimi dhe ruajtja e vlerave, sepse ne kaq kemi. Unë e di mirë dhe më dhembi që këta (aktorët) ishin shumë keq kur shkuan në Londër te “Shekspiri”, por ne këtë nivel kemi. Nuk është se ne në fusha të tjera jemi shkëlqyeshëm. Është gabim i rëndë. Trashëgimia jonë aty është”.

A ka vlera arkitekturore Teatri Kombëtar?

Gjërat janë si t’i gjykosh. Gjithçka në Tiranë mund ta shembin. Duam ta shembim Kryeministrinë? E shembim dhe ndërtojmë një 10-katësh!

Duam të shembim ish-Komitetin Qendror? E shembim! Madje u bë edhe një projekt atëherë. Nuk është kjo logjika. Ajo ka vlera në ansamblin e ndërtimeve italiane, duke filluar me maternitetin, Bankën, Teatrin, “Dajtin”, Kryeministrinë, Akademinë, Universitetin.

Stadiumin e shembëm. Rama thotë që ajo është shumë e mirë, por ajo është një gjë kaq gjigante, kaq e madhe, kaq e frikshme, saqë po merr që tani pjesë mbi Bulevard. I ka ardhur kaq afër kolonave, saqë nuk ka më mashtab.

Gjëja më themelore në arkitekturë, që e kanë ruajtur europianët dhe që i kanë bërë qytetet aq të këndshme, është mashtabi” – thotë Velo.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *