• |
ide | kryesore

Plani austriak për kampet në Shqipëri/ Kontrolle refugjatëve për simpatizantët e ISIS

Lajme, Të fundit



Ideja e ngritjes së qendrave të refugjatëve në Shqipëri dhe vende të tjera të Ballkanit sa vjen e bëhet më e qartë. Për të kuptuar më shumë, ndihmon një intervistë që drejtori austriak kundër trafikimit, Gerald Tatzgern ka dhënë për Deutsche Welle. Ai ka pranuar se ideja është konkrete dhe se kampet e refugjatëve do të funksionojnë si pika kontrolli. Madje ndihma për policinë shqiptare nga Austria, tashmë ka nisur.

Propozimi i Austrisë duket se synon që në Shqipëri, refugjatët t’i nënshtrohen një kontrolli paraprak, nga ku do të përzgjidhen ata që mund të vazhdojnë rrugën për në vendet e Bashkimit Europian dhe kush jo. Zyrtari austriak shpjegon se me anë këtij kontrolli synohet të zbulohen elementë të ISIS që futen mes refugjatëve dhe kanë si destinacion BE dhe eleminimi i trafikantëve të paligjshëm.

“E kemi parë disa herë se në mesin e migrantëve gjenden edhe simpatizantë të IS-it. Ne punojmë me të gjitha autoritetet në Ballkan në mënyrë që të pengojmë që të krijohet një problem i tillë sigurie në të gjithë rajonin. Aktualisht mund të llogarisim se luftëtarë të caktuar kërkojnë të zbarkojnë këtu dhe përdorin për këtë trafikantët për t’i çuar në vende të tjera”

I pyetur nga Deutsche Welle se sa konkret është plani i Austrisë për ngritjen e një kampi refugjatësh në Shqipëri, Gerald Tatzgern përgjigjet se ky është një vendim që i përket politikës, por ajo që synohet është një pikë kontrolli: “Ne jemi të gatshëm që jashtë Bashkimit Europian të ngremë qendra të tilla të Bashkimit Europian, ku të verifikohet, nëse ekziston apo jo një e drejtë për të vazhduar udhëtimin drejt Europës. Pra ne duam të dërgojmë sinjalin e qartë, se nuk duam t’ua lëmë trafikantëve në dorë se kush ia del të hyjë në Europë dhe kush jo”.

Tatzgern thotë se ka një plan konkret nga Austria që të dërgohen në Shqipëri nëpunës (Zyra Federale e Austrisë për Kriminalistikën shën. red.), për aksione të përbashkëta në kufirin greko-shqiptar. Por sa dëmtohet Shqipëria, në rast të ngritjes së këtyre kampeve?

E vështirë të japësh një përgjigje, – thotë Drejtori austriak kundër trafikimit,- sepse kur shumë njerëz i kushtohen kësaj pune, trafikimit, atëherë krijohen grupime gjithnjë e më të vogla. Pra nuk është se kemi një “kapo” që e ka në dorë të gjithë trafikimin në Ballkan. Por megjithatë kemi të dhëna se në disa vende, Serbi, Maqedoni dhe Shqipëri ka njerëz aktivë që kanë rol drejtues në këto grupe trafikimi. Ka grupe trafikantësh me 20 vetë por edhe deri në 60 kriminelë” është shprehur Gerald Tatzgern, Drejtor i Zyrës Kundër Trafikimit të Njerëzve në Zyrën Federale të Kriminalistës në Austri.©Lapsi.al



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *