• |
ide | kryesore

Pranga shqiptarit, koka e trafikut të njerëzve në Londër (VIDEO)

Lajme, Të fundit


Policia ka shkatërruar një bandë, e cila dyshohet se ka trafikuar me qindra emigrantë në Britani, të fshehur në kamionë frigoriferikë.

Në mesin e të arrestuarve është edhe kreu i kësaj bande shqiptare. Ai është Alket Dauti dhe u arrestua në një aksion të zhvilluar në një apartament në Penge, në jug të Londrës. Operacioni, sipas mediave britanike, ishte pjesë e një hetimi të gjerë mes disa vendeve të Europës.

31-vjeçari u arrestua në shtëpinë e tij. Teksa e shoqëruan jashtë banesës me pranga në duar, ai iu drejtua një prej oficerëve të infiltruar të Agjencisë Kombëtare të Krimit, i cili e mbajti atë nën përgjim deri në momentin që u arrestua, me fjalët: “Ty të mbaj mend shumë mirë”.

Bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij të vegjël mbetën të shtangur kur oficerët e morën nga apartamenti i familjes.

Ndërkohë që po hipte në makinën e policisë Dauti iu drejtua gazetarëve të britanikes “Standard” me fjalët: “Shkruani mirë për mua, kapët fotografi të mira?”

10 pjesëtarë të tjerë të kësaj bande ishin arrestuar më parë në operacione të zhvilluara në Belgjikë, Francë dhe Spanjë.

Banda përdorte shoferë të korruptuar kamionësh për të marrë emigrantët në Belgjikë, të cilët i fusnin në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet porteve të ndryshme.

Sipas “Standard”, ata dyshohet se janë të përfshirë në trafikimin e qindra emigrantëve në Britani. Dauti u arrestua, pasi për të ishte lëshuar një urdhër arrest nga Policia Federale Belge, e cila po drejton hetimet.

Një oficer belg, i cili ishte pjesë e aksionit të kësaj të mërkure, tha: “Ka kaq shumë para në trafikun e njerëzve sa dikush tjetër do të jetë në radhë për të zënë vendin e tij. Do ta marrin përsipër këtë rrezik ndonëse e dinë që mund të arrestohen. Viktimat nuk dhunohen apo trajtohen keq, por rreziku i futjes së grave dhe fëmijëve në kamionë frigoriferikë është shumë i madh. Një moment mund të mbeten pa ajër”.

Banda dyshohet se trafikonte shqiptarë, të cilët paguanin shifra të mëdha parash për të qëndruar në hotele në Belgjikë, përpara se të shkonin në Britani. /TvKlan


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *