• |
ide | kryesore

Spanja nuk ka më kohë, Irani ëndërron kualifikimin

Rusi 2018, Sport



Me një trajner të ri vetëm një ditë para fillimit të Botërorit nuk ishin kushtet ideale për të përballur kampionet e Europës në fuqi. Në këtë prizëm Spanja mund edhe të jetë e kënaqur, ose të paktën të mos e ketë patur problem të ndajë renditjen me Portugalinë, një nga rivalët e përjetshëm, por mënyra se si shkoi ndeshja dhe performanca e Furive të Kuqe duhet të shkaktojë këmbana alarmi. Hierro, që tani e ka në dorë shumë më tepër skuadrën, se në të parën me vetëm dy ditë në drejtim, nuk mund të gabojë përballë Iranit. Skuadra e Carlos Queiroz nuk ka prestigjin e lusitanëve, por janë kryesues grupi.

Mbrojtja solide, e shfytyruar nga CR7…

Cristiano Ronaldo po, por iberikët kontribuuan vetë në rrëzimin e tyre me gabime që sollën dy gola të portugezëve – tre po të llogaritet edhe ndërhyrja fëmijërore e Pique, në hyrje të zonës, nga ku erdhi goli i tretë i Ronaldos. Në atë pozicion qendërmbrojtësi i Spanjës duhet ta kishte të qartë rrezikshmërinë e Ronaldos. Tekniku Fernando Hierro pret përmirësime difensive dhe reagim të menjëherëshme, duke filluar nga David de Gea. Portieri i United duhet të ringrihet psikologjikisht pas provës nën ton me Portugalinë dhe asaj goditje të CR7 që i kaloi nëpër duar, duke e vënë në sindromë makthi atë dhe dilemë teknikun, nëse duhet të bëjë lëvizje në kuadratin e portës.

Diego Costa bëri Spanjën me muskuj…

Jo gjithcka ishte e errët për Hierron. Tekniku duhet të shohë edhe avantazhet në rritje të Spanjës, që lidhet me efikasitetin e Diego Costas. 29-vjecari shënoi dy herë, duke përdorur forcën fizike, dhe kjo mund ti japë vetëm pozitivitet një skuadre të njihur për futboll tërheqës. Diversiteti është arma më e mirë që mund të ketë në duar një trajner dhe Hierro krahas finesës së Iscos e Silvës mund të besojë fort tek Costa që po tregon se ka nisur të rifitojë besimin tek vetja. Nacho shënoi gol në ndeshjen e parë, por rikthimi nga dëmtimi i Dani Carvajal mund ta rikthejë madrilenin në skuadër, në kohën kur Saul Niguez mund të zëvendësojë Koke në mesfushë.

Irani, të gjithë pas topit…

Irani nuk është mësuar me fitoret në Kupën e Botës kështu që kur Bouhaddouz i Marokut e dërgoi topin në rrjetën e tij festimet ngjanë me ekstazë që u shpërnda nga shkallët e stadiumit deri në Iran. La Roja është e qartë se do të dominojë zotërimin e topit përballë Iranit, por cështja është nëse do të gjejë hapësira kundër një kundërshtari ku 11 lojtarë shkojnë të gjithë pas topit, duke asfiksuar të gjithë idetë dhe hapësirat në fushë. Skuadra e Queiroz u fut në turne me vetëm 1 sukses në 12 ndeshje në skenën e madhe, por në Kazan zbret si kryesues dhe do të përpiqet të sillet si i tillë.

Queiroz nuk ndryshon asgjë nga skuadra fituese…

Fituesit nuk ndryshojnë dhe kjo nënkupton se kapiteni, Masoud Shojaei, do të jetë sërisht titullar, pavarësisht se u zëvendësua ndeshjen e parë, ndërkohë që lojtari i Ostersunds, Saman Ghoddos, do të përfundojë sërisht tek rezervat. Spanja është mundësia e artë për Sardar Azmoun – i njohur si ‘Messi Iranian’ – të tregojë talentin përballë një prej mbrojtjeve më të mira në botë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *