• |
ide | kryesore

Ambasadori i OSBE zbulon prapaskenat: Si po ndryshon ligji për zgjedhjet, numërimi elektronik…

Lajme, Të fundit



Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Bernd Borchardt ka zbulua disa nga negociatat që po zhvillohen në prapaskenën e politikës për të ndryshuar ligjin për zgjedhjet. Në një intervistë për emisionin “7 pa 5” në Vizion+ ai tha se pavarësisht situatës së ndezur politike ekspertët janë duke vijuar punën për reformën zgjedhore. Ai tregon se nuk priten ndryshime të mëdha, por konfirmoi diskutimet për votën e emigrantëve.

“Përveç votimit jashtë vendit, nuk është diskutuar ndonjë ide deri tani për ndryshime thelbësore në sistemin zgjedhor. Në fakt, njëri prej elementëve do të ishte në dobi të partive të vogla. Një nga shqetësimet e ngritura shpesh është se gjatë numërimit, disa vota numërohen keq, sistematikisht, ose nuk numërohen, ose numërohen në favor të partive të mëdha. Me një sistem numërimi elektronik, këto shqetësime mund të pakësohen” – thotë ambasadori i OSBE.

Ambasadori Borchardt thotë se duhet aplikuar numërimi elektronik i votave.

“Faktori njerëzor eliminohet, pasi mosbesimi nuk ka lidhje me makineritë, por me njerëzit që numërojnë. Ekziston një numër i kufizuar fushash të tjera, ku faktori njerëzor mund të zëvendësohet nga makineritë e pakorruptueshme.

Si për shembull, identifikimi elektronik i votuesve. Dëgjojmë shpesh akuza se diku nga e shtuna mbrëma, njerëzit shkojnë të blejnë ose të marrin hua karta identiteti për dy ditë, me qëllim që simpatizantët e një partie të mos shkojnë të votojnë.

Me identifikim biometrik, nuk e shet dot gjurmën e gishtit. Nga ana tjetër, ka shumë akuza për shitblerje vote, kështu që kjo e zgjidh pjesërisht problemin, jo plotësisht. Pastaj, çështja është të gjendet mënyra për parandalimin e shitblerjes së votës. Më shumë transparencë të financave të partive, për shembull” – thotë ambasadori.

Borchardt tërheq vëmendjen se nuk ka edhe shumë kohë për të aplikuar numërimin elektronik ndërsa për votimin elektronik duhet patjetër të kryhet një provë në zgjedhjet lokale përpara se të aplikohet. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *