• |
ide | kryesore

Rama kërkon plotfuqinë nga Meta: Marrëveshja me Greqinë, është e duhura!

Lajme, Të fundit



Për negociatat me Greqinë, Edi Rama flet në kohën e shkuar, megjithëse thuhet se zyrtarisht ato ende nuk janë mbylur dhe presidenti Ilir Meta nuk ia ka dhënë ende plotfuqinë. Sipas Ramës arritje mbetet heqja e ligjit të luftës.

“Jemi investuar për të ndërtuar një marrëdhënie afatgjatë strategjike me Greqinë. S’ka qenë e thjeshtë, ka kaluar nëpërmjet një tensioni të jashtëzakonshëm, jo sepse e kemi pasur për qëllim të prishim marrëdhëniet me Greqinë, por të korrigjohen të gjitha marrëdhëniet që janë krijuar pas ndryshimit të sistemit, vatrat e tensionit, duke na dalë përpara rrugët e së ardhmes… Për ata që i njohin ngërçet që kjo marrëdhënie ka pasur, që peshojnë peshën e këtyre ngërçeve në procesin e bashkëpunimit dhe ndërveprimit me fqinjët, kuptojnë se hapat që kemi hedhur janë historike. Është historike që Greqia e ka njohur si fakt ligjin absurd të luftës dhe ka pranuar ta shfuqizojë. Kur kemi nisur këtë diskutim as e njihnin si fakt. Por, e vërteta është se është një fakt shumë pengues me pasoja juridike sot e gjithë ditën që do zhbëhet nga parlamenti i Greqisë. Është një fakt edhe që për shumë e shumë vite emigrantët shqiptarë në Greqi kanë pasur vështirësi të shumta burokratike dhe u janë kursyer më shumë se 5.000 euro në vit nga vendosja e një regjimi të ri nga marrëdhënia e tyre me burokracinë”.

Rama foli edhe për marrëveshjen e detit. Sipas tij kush ka hedhur akuza do të ketë mundësi të shohë vetë në hartë diferencën me marrëveshjen e shkuar.

“Marrëveshja për detin do materializohet vizualisht në harta. Do kenë mundësi të gjithë që me mendjen e tyre e jo te partive, apo atyre që përcjellin lajme të rreme të gjykojnë midis pamjes së detit në marrëveshjen që ishte dhe që do të kemi. Kufirit që ishte dhe kufirit që do te kemi. Jo vetëm që kemi bërë marrëveshjen e duhur, por kemi treguar edhe çfarë janë në gjendje të bëjnë këta të dëshpëruar që s’kanë as ide, as program, as skuadër dhe gjithë pafuqinë e tyre që të qenurit një alternative qeverisëse po e kthejnë në një fuqi destruktive, duke luftuar kundër çeljes së negociatave”.

Qeveria pret plotfuqinë nga presidenti Ilir Meta për të firmosur marrëveshjen me Greqinë, megjithatë ende asgjë nuk është publike. Deklarata e Ramës duket se shton presionin ndaj Metës, pasi ata që ia kundërshtojnë paktin me Greqinë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *