• |
ide | kryesore

Lufta për Teatrin/ Erion Veliaj “josh” Alert Çeloaliajn në kafe (FOTO)

Lajme, Të fundit



Pak para se të fillonte protesta e artistëve përballë Teatrit Kombëtar këtë të shtunë, Erion Veliaj ka qenë në kafe me një nga kryetarët e shoqatave të artistëve që kundërshtojnë prishjen e godinës së Teatrit. Siç duket në foton që ka siguruar Lapsi.al, Veliaj ishte duke biseduar me Alert Çeloaliajn, kryetar i Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit.

Çdo mbrëmje para Teatrit Kombëtar zhvillohet protesta e artistëve kundër shkatërrimit të godinës së Teatrit Kombëtar, sipas projektit të pranuar nga qeveria dhe kompania e ndërtimit Fusha sh.p.k.

Artistët paralajmërojnë grevë urie dhe ngujim në teatër, nëse godina prishet pa një marrëveshje me ta, por në anën tjetër qëndron Erion Veliaj.

Pasi projekti u publikua dhe pasi projekligji u publikua nga Ministria e Kulturës, kryebashkiaku i Tiranës nisi dialogun me artistët. Ai organizoi dëgjesa me artistët dhe me arkitektët, u përball me deputetët e opozitës për teatrin dhe vazhdimisht orkestron në media daljet publike të atyre që përkrahin projektin e Ramës, për rrafshimin e godinës së vjetër të teatrit dhe ngritjen aty të një teatri të ri, bashkë me disa qiellgërvishtëse me vlerë qindra miliona dollarë.

As artistët janë të gjithë në një mendje. Në njërën anë, janë emra si Robert Ndrenika, Reshat Arbana, Mirush Kabashi, Alfred Trebicka, Bujar Asqeriu, Vasjan Lami etj. Në anën tjetër janë emra si Erion Isai, Laert Vasili, Hervin Çuli, Zamira Kita etj.

Ia vlen të thuhet se ata që mbështesin prishjen e godinës së vjetër dhe ndërtimin e një teatri të ri në këmbim të truallit të teatrit, janë ose drejtorë, ose përfitues të rregullt të projekteve qeveritare.

Kjo është një veçori që gjithnjë bie në sy mes artistëve që përkrahin projektin e qeverisë. Të jetë kjo mënyra me të cilën Erion Veliaj tenton të joshë artistët? Deri tani, nuk ia ka dalë t’i ndryshojë mendim askujt, por ofertat janë të hapura.©Lapsi.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *