• |
ide | kryesore

Artistët nxjerrin “blof” Veliajn: Nuk kemi arritur asnjë marrëveshje për Teatrin

Lajme, Të fundit



“Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit” dhe “Sindikata e Pavarur të Artistëve të Teatrit Kombëtar” hedhin poshtë deklaratat e bëra nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj që paraditen e së dielës tha se “ishte pranë gjetjes së një kompromisi për pranimin e idesë së shembjes së ndërtesave historike të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental”.

Në një deklaratë të këtyre dy sindikatave sqarohet se Veliaj, gjatë një takimi privat me kryetarin e SASE, Alert Çeloaliaj, ka ftuar artistët të marrin pjesë në një dëgjesë të organizuar prej tij, me artistë dhe arkitektë, të hënën e ardhshme.

“Së pari, nuk ka në horizont asnjë kompromis, madje asnjë afrim në pozicionet e palëve. Sindikatat mbeten të vendosura në qëndrimin e tyre, se ndërtesat historike të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental duhet të shpallen monument kulture dhe, pas një debati të gjerë publik, me pjesëmarrjen e arkitektëve, konstruktorëve, restauratorëve, artistëve por edhe qytetarëve, të merret vendimi nëse ato duhet të rikonstruktohen, apo restaurohen. Çdo opsion tjetër, është i panegociueshëm për ne!” – thuhet në deklaratë.

Artistët thonë se me deklaratat e bëra të dielën, Veliaj ka e kompromentuar dëgjesën pa filluar ende.

“Ai nuk vjen për të dëgjuar, pra, duke qenë i hapur edhe të tërhiqet nga pozicioni i tij fillestar, por për të na bindur, ose manipuluar” – thonë ata.

Ata kujtojnë se sindikatat e artistëve iu përgjigjën ftesës së tij të parë për dëgjesë dhe morën pjesë masivisht. Mbi 90% e folësve në atë dëgjesë u shprehën kundër ndërtimit të teatrit të ri, mbi truallin e teatrit të vjetër.

“Dy ditë më pas, Veliaj bëri një farsë, me nëpunës të shtetit dhe arkitektë e inxhinierë përfitues të fondeve, ku spikasnin drejtori i Institutit të Ndërtimit, ish-kryetari i diskredituar i Shoqatës së Arkitektëve dhe autorët e projektit “Turbina”. Asnjë zë kundër nuk ishte ftuar në atë dëgjesë. Z. Veliaj, u mundua ta shiste këtë si dëgjesë finale me këtë grup interesi. Tani z. Veliaj po mundohet të shesë farsën e radhës si mundësinë e sheshimit të divergjencave dhe arritjen e kompromisit final.

Në këto kushte, sindikatat e artistëve refuzojnë të bëhen pjesë e farsës së radhës, rezultati i së cilës është paracaktuar nga organizatori dhe i bëjnë thirrje të gjithë artistëve, arkitektëve dhe qytetarëve të Tiranës ta bojkotojnë këtë farsë” – thuhet në deklaratë.

“Sindikatat e artistëve mbeten të vendosura për dialog, në të mirën e komunitetit të artistëve dhe interesit më të mirë publik, mbrojtjen e trashëgimisë dhe kursimin e fondeve publike që krijohen nga taksat e shqiptarëve.

Për këtë qëllim, ne e ftojmë z. Veliaj në një dëgjesë të hapur, në sallën e Teatrit Kombëtar, me një panel artistësh, arkitektësh, restauratorësh dhe intelektualësh, të ftuar nga sindikatat. Në dëgjesë do të jetë e mirëpritur edhe zonja ministre e kulturës, së cilës ia kemi drejtuar këtë ftesë qysh në 8 shkurt.

Duke marrë parasysh axhendën e ngjeshur të z. Veliaj dhe znj. Kumbaro, ua lemë atyre në dorë të caktojnë datën dhe orën e dëgjesës. Nëse ftesa jonë do të refuzohet ose injorohet, publiku do ta ketë shumë të qartë se kush është për dialog, e kush për diktat, kush është për mbrojtjen dhe kush është për grabitjen e pronës publike, kush e mbron dhe kush po i ve kazmën trashëgimisë sonë kulturore. Ne jemi këtu, në sheshin e Teatrit. Ju presim!” – thuhet në deklaratën e gjatë të artistëve.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *