• |
ide | kryesore

Reportazh i BBC në Tiranë: Bunkeri nuklear në “Korenë e Veriut të Europës”

Lapsi Leaks



BBC i ka kushtuar një reportazh të gjatë ish Bunkerit anti-nuklear në Tiranë, sot një prej atraksioneve turistike në Shqipëri pas shndërrimit në BunkArt1.

Ky reportazh i BBC, ku në fokus është Bunkart1, të cilin që nga hapja e kanë vizituar mijëra persona, është një promovim i fortë i asaj çfarë ofron Shqipëria për turistët Britanikë.

‘Bunkeri nuklear në Korenë e Veriut të Europës’. Ky është titulli i reportazhit, ku trajtohet me detaje historia e Shqipërisë komuniste, vendi më i izoluar në Europë.

“Të frikësuar nga një pushtim i mundshëm, regjimi ndërtoi këtë bunker në sekret të plotë, ndërsa sot është kthyer në një atraksion për turistët”, shkruan BBC.
Gazetarët britanikë sjellin për audiencën e BBC me detaje historinë e këtij bunkeri i ndërtuar posaçërisht për elitën e kohës komuniste. Në reportazh theksohet se ky bunker i njohur me kodin sekret “objekti 0774” për herë të fundit u përdor nga ushtria shqiptare në vitin 1999 dhe më pas u la në harresë.

Por pse u ndërtua ky bunker?

Me zellin stalinist të Enver Hoxhës erdhi edhe paranoja. Hoxha, një ish-partizan që kishte luftuar gjermanët në Luftën e Dytë Botërore, besonte se armiqtë nga Lindja dhe Perëndimi kishin planifikuar të pushtonin këtë vend malor të vogël. Ai urdhëroi një program të madh të ndërtimit të bunkerëve, i cili do t’i lejonte qytetarët e Shqipërisë të luftonin një luftë guerrilase nga një rrjet i gjerë kutish betoni. Dhe ndërsa luftimet do të nisnin, Hoxha, së bashku me pjesën tjetër të elitës sunduese, do të bashkërendonte rezistencën nga ky bunker.

Objekti “0774” është rezultat i paranojës së veçantë të Hoxhës. I ndërtuar në mes të viteve 1972 dhe 1978, ai krenohet me më shumë se 300 dhoma të shpërndara në pesë nivele nëntokësore, shumica e të cilave janë thellë në ultësirën e Malit të Dajtit, në lindje të kryeqytetit shqiptar. Ky është një kujtim pa dritare, klaustrofobik i Luftës së Ftohtë në një nga qoshet e saj më të neglizhuara.

Ishte viti 2014 thotë BBC, kur falë gazetarit Carlo Bollino kjo vepër gjigante një relike e regjimit komunist u rihap për t’u kthyer në qendër të vëmendjes, duke treguar izolimin e tmerrshëm të Shqipërisë.

Reportazhi tregon punën e madhe që është bërë për ta kthyer këtë bunker, jo thjesht në një muze nga ku njerëzit hynë e dalin thjesht duke parë këtë qytet të nëndheshëm prej betoni.

Sipas BBC, në këtë bunker është punuar që jo vetëm të ndërtohet një muze për të treguar folenë e errët të regjimit komunist, por të bëhet diçka më ndryshe.

Disa prej dhomave të kësaj kapsule gjigante betoni përdoren për instalacione, ku në secilën prej tyre tregohen aspekte të ndryshme të vendit komunist. BBC vlerëson idetë e Bollinos për ta kthyer sallën, ku supozohej të mblidheshin mbledhjet e parlamenti komunist në arenë koncertesh rroku dhe Jazi përfshi teatër.

“E gjitha kjo një ironi pasi të dyja këto forma të muzikës si Rroku dhe Jazzi ishin të ndaluara nga Enver Hoxha”, thekson BBC.

Disa koncerte tashmë janë planifikuar, të cilat e kanë kthyer Bunkart1 një atraksion popullor për turistët që vinë në Shqipëri. Por BBC, duke cituar Carlo Bollinon, tregon se ai ka plane të tjera.

“Projekti im i radhës lidhet me një prej korridoreve jugor të Bunkart1, në të cilën unë dua të ketë një foto-ekspozitë me pamje nga jeta e përditshme gjatë regjimit komunist. Kjo do të jetë një mundësi e mirë për tu treguar vizitorëve, pjesën tjetër të së kaluarës shqiptare, e cila po zbehet”.

Ndërkohë, Bunk’Art po bëhet një arsye për të vizituar Tiranën. Senada Murati, një nga ekipi që drejton kompleksin, thotë se po tregohet shumë më tepër interes nga vizitorë që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA, madje edhe aq larg sa Zelanda e Re.

Një nga guidat, Artemisa Muco thotë se Bunk’Art është përpjekur të mbetet sa më neutral politikisht, pa iu shmangur fakteve të izolimit komunist të Shqipërisë. Regjimi 40-vjeçar i Enver Hoxhës besohet të ketë çuar në gati 5,500 ekzekutime dhe më shumë se 25,000 burgime. Qytetarët shqiptarë mund të qëlloheshin në vend nëse ata kapeshin duke u përpjekur të kalonin gardhet që mbyllën kufijtë e vendit.

Në shtator, Bollino dhe stafi Bunk’Art1, do të mundohen të ndërtojnë një teatër eksperimental unik ku brenda Bunk’Art1 do të vihen karaktere nga e shkuara, të cilët vizitorët mund t’i takojnë pse jo të ndërthuren së bashku me aktrimin.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *