• |
ide | kryesore

Zbulohet letra/ Veliaj kundër Ramës për negociatat me BE

Pikante



I dashur Edi!

Me përunjësinë që ti e di se më karakterizon dhe me admirimin e pakufishëm për ty, po i lejoj vetes të të rendis disa gabime që ti bërë në tratativat për hapjen e negociatave më BE. Jam i bindur se rezultati katastrofik që morëm mund të evitohej dhe se po të punonim me Makronin, me kryeministrin e Holandës, Mark Rute dhe me atë të Danimarkës, Rasmusen do të kishim dalë fitimtarë.

Këtë bindje ma forcon edhe suksesi im në negociatat me artistët dhe mashtrimi që u bëra atyre një e nga një, për të na lejuar që së bashku t’i gllabërojmë ato që na ka premtuar Fusha.  

Unë e di që Rasmusen, nuk është aq i leshtë sa Robert Ndrenika, që Rutes nuk mund t’ia prishë mendjen rroga tek Portokallia si Altin Bashës, që Makroni nuk e shet veten vetëm për një palë atlete Adidas si Laert Vasili, dhe me këtë e pranoj që detyra jote ka qenë më e vështirë.

Megjithatë, jam i prirur të mendoj se strategjia jote nuk ishte e duhura. Kam frikë se ky dështim tregoi se ke humbur vetinë tënde kryesore, atë për të joshur deri në mashtrim të tjerët dhe që unë, si pasuesi yt besnik, e kam shndërruar në art.

Po i marr me radhë disa pika ku nuk jam dakord me strategjinë që ndoqët dhe që ne të bashkisë, do t’i kishim bërë ndryshe.

Së pari, më kujtohet kur erdhe nga ai takimi i beftë me Makronin në mes të muajit maj. S’i harroj fjalët që i the miqve tanë të përbashkët gazetarë. U tregove se presidenti francez ishte i befasuar nga ty, aq sa ishte shprehur se për Edi Ramën mund t’i hapte negociatat, por fatkeqësisht, nuk e bënte këtë dot për Shqipërinë. Aty më zuri frika e parë. Aty mendova se të kishte kapluar një ndjenjë deliri. Aty dyshova se egoja jote po të pengonte të vendosje qëllimin para “UNI-t” tënd.

Ja, unë për shembull, bëra të kundërtën. I dëgjova me orë idiotësirat e atyre gomerëve të mykur të realizmit socialist. Ndava me ta pjatën e paçes dhe krikllën e birrës. Pashë ndeshje dhe harxhova kohën time, që kushton flori, në dëgjesa publike, vetëm për t’i bërë të besojnë se ato kufoma të pakallura, janë qënie të respektueshme. Ku me një favor, ku me ndonjë lek, ku thjeshtë me qoka arrita t’i bind, sepse unë pranova të sakrifikoj nga uni im për hallin e xhepit tonë të përbashkët.

Së dyti, mendoj se ti dështove në këto negociata pasi je bërë aq makut sa nuk di më të japësh. Ti nuk ishte i aftë të vazhdoje shembullin që ndoqe për të gënjyer grekët, të cilëve u fale atë pjesë të detit që donin. Me të tjetrët u bëre cingun. Nuk bëre dot as sa ai, të cilin ne shqiptarëve ia shesim për një plak të çmendur, por që në të vërtetë është shumë më dobiç sesa kaq. E mban mend si i fali Berisha kontratën e blerjes së helikopterëve Sarkozisë, për të marrë liberalizimin e vizave? Ndërsa ti doje ta hidhje lumin me një palë këpucë sportive. Duhet të ishe treguar më dorëlëshuar, më pak cingun, aq më tepër që me shtetet nuk fal gjë nga pasuria e jote.

Ndërsa unë, për t’ia arritur qëllimit, harxhova nga të miat. Po, po, nga xhepi im privat. Jo ato darkat e drekat që ke dëgjuar në media, por edhe të thata në dorë. Sepse po ta them një gjë që e kuptova nga negociatat e mia me këta debilat e teatrit dhe që ne e kemi harruar prej kohësh: njeriu sa më brekëgrisur të jetë, aq më të madhe e ka tafmanë për t’i kapur të gjitha me një dorë. Kështu ishin dhe ata. Plus që, psikopatia se janë aktorë të mëdhenj, e ngrinte tepër çmimin.

Më fal të bëj edhe një parantezë, që mësova nga ky negocim. Zbulova se ka mes nesh një specie që as nuk shiten dhe as nuk blien. Delirantë të sëmurë që nuk i vënë vetes çmim. Jo jo, mos kujto se flas për Fatos Lubonjën. Gjeta një tjetër, mes artistëve, Kastriot Çipi quhej. Gëzohej për çdo shok që i bleja se i dukej vetja edhe më i moralshëm. Lumturohej për çdokënd që e dridhte se e ngrinte veten edhe me lart në piramidën e ndershmërisë. Qëllimi i tij nuk qe të mbronte teatrin, më shumë sesa të shikonte të tjerët se si po e rrënonin atë.

Thuaj shyqyr që kjo shoqëri ka pak tipa të tillë dhe shumë zhurmaxhinj, që s’e kuptojnë pse bërtasin, si Arben Dërhemi, se pisk kishim për ta pasur punën.

Së treti, i dashur Edi, ti dështove prej arrogancës, prej paaftësisë për të bërë sikur tërhiqesh përballë atyre që mendojnë ndryshe nga ti. Nuk t’i fal njeri në Europë sulmet mediatike që organizove ndaj Krishbaum. Nuk t’i fshijnë kollaj nga dosjet qëndrimet alla Gramoz Ruçi që ua përplaste në sy deputetëve holandezë se ne kanabisin e kishim mësuar nga ta.

Jo, unë zgjodha rrugë tjetër. E mban mend Mirush Kabashin që ka 20 vjet që reciton të njëjtën vjershë, ai s’linte rast pa më qëlluar me gurë, po unë gjithmonë ia ktheva me bukë. E mban mend atë ish mikun tënd që në kohë të Rovenës, atë Tan Imamin për të cilin vet ke thënë se nuk e sinkronizon kurrë zërin me mendimin? Me siguri që po. Edhe ai nuk u bë kot përkrahësi ynë. I dhashë fjalën se do ta fitojë atë shoqatën e të drejtave të autorit që kërkon. Nuk duhet përplasje me të gjithë, por joshje për të gjithë, i dashur shefi im.

Dhe tani po i lejoj vetes dhe një gjë të fundit, që kam frikë se mund ta marrësh edhe si personale. Por e mendova gjatë dhe u konsultova dhe me Ajolën dhe menduam se nuk e lëmë dot pa ta thënë. Gabimi yt i madh qe që i ngarkove atij Ditmirit rolin kryesor në këtë proces. Unë e di që grupi i tyre nuk më do. E di që më urrejnë, që kur i nxora jashtë loje Saimirin. E di që Klosi nuk ma fal kurrë faktin se Fuga e ka censuruar në shumicën e mediave. Por prapë vendosa që të ta them. Ai Ditmiri ishte një dështim. Mjafton të shohësh ç’kushurinj ka. Mjafton ta dëgjosh kur flet gjithë cinizëm. Mjafton t’i shikosh vështrimet përçmuese që u hedh bashkëbiseduesve. Nuk është i sërës sonë ai. Kujton se ne botën e sotme inteligjenca është armë më e fortë se cash. Kujton se do i bindë njerëzit falë njohurive që ka marrë në shkollat e Gylenit. Më thanë se të martën mbasdite, kur në tryezë u hodh version i një JO-je të prerë për Shqipërinë, i kishte ikur gjaku nga fytyra. Dhe faji është krejtësisht i tij, ka pesë vite ministër dhe nuk ka shpenzuar asgjë nga xhepi për të blerë dikë që është kundër nesh. Kaq kisha për këtë. Tani ti e di vetë nëse do të vazhdosh ta favorizosh grupin e tyre.

Pak a shumë kaq kisha dhe doja të ta thoja. Jo vetëm për të nxjerrë veten në pah dhe për të treguar se si arrita në pak se një muaj, që t’i shndërroja ata aktorët nga heronj në lolo më të mëdhenj se ç’i katandisi Dulla, por për të thënë se për të arritur qëllime të përbashkëta, duhet të besojmë tek mjetet që na kanë nxjerrë faqebardhë deri më sot. Duhet të heqim dorë nga deliri personal, nga cingunllëku i tepruar, nga arroganca e pavend. Ato kanë shumë më pak rëndësi sesa qëllimi ynë i madh. Dhe qëllimi ynë i madh është të ta bindim Makronin si Reshat Arbanën, Rasmusenin, si Alfred Trebickën, Ruten si Bujar Asqeriun. Sepse pa e arritur këtë nuk do t’i gëzojmë dot gjatë as ato të Fushës, as ato të Vilmës, as ato të Çetit dhe as ato të atyre të stadiumit.

Kaq kisha unë,

Si gjithmonë je ti që vendos dhe unë që do të bindem,

Yti, Lali Eri      

©Prodhim i Lapsi.al lejohet kopjimi ne te gjitha mediat qe marrin leje nga Lali Eri



5 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *