• |
ide | kryesore

Reportazhi i gazetarëve italianë/ “Shqipëria, premtimi i thyer për luftën ndaj drogës”

Kryesore, Lajme



Kjo është pjesa e parë e një investigimi nga “Osservatorio Balcani e Caucaso” mbi çështjen e prodhimit dhe trafikut të drogës nga Shqipëria, një nga temat më delikate në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Bashkimit Europian.

Nga: Giovanni Vale dhe Laetitia Moreni

“Çdo qytetërim vdes, edhe Babilonia ka vdekur”. Me sytë gjysmë të mbyllur nga dielli i fortë në asfalt, një banor i Lazaratit e shpjegon kështu fundin e “vendit të marijuanës”. Ky fashat në jug të Shqipërisë, që deri në fund të 2013-ës prodhonte gati 1 mijë ton në vit (rreth 4.5 miliardë euro sa një e treta e GDP-së në Shqipëri), është sot një kryqëzim rrugësh të shkreta dhe të qeta.

“Sigurisht, është e drejtë që korrupsioni të zhduket në Shqipëri, por mos besoni Rama është një Zot” – shton një kalimtar që preferon të mbetet anonim.

Më shumë se korrupsioni, kryeministri Edi Rama çrrënjosi fizikisht nga Lazarati një sasi të jashtëzakonshme të marijuanës në Lazarat. Gjatë fushatës së tij elektorale, lideri i socialistëve premtoi “një luftë pa mëshirë ndaj drogës” dhe, pas zgjedhjes së tij në shtator të vitit 2013, e vuri nën rrethim fshatin rebel.

“Çfarë thua, që unë të pranoj sot një rrogë me 200 euro në muaj? Po çfarë mund të bësh me 200 euro në muaj? Asgjë! Më duhet të punoj, ndihmoj tim atë… ndonjëherë më thërrasin andej këndej për punë të vogla. E shtyjmë kështu” – vazhdon një tjetër banor i Lazaratit.

Në sheshin e vogël në qendër, në majë të një kodre ku është vendosur fshati, djem të ulur në një bar flasin me njëri tjetrin për kalimin e kohës. Kur evokohet e kaluara dhe vitet e arta të kanabisit, ngrehin shpatullat. Të gjithë kanë një të afërm, apo një mik që ka përfunduar në burg pas maksi-operacionit të policisë të urdhëruar nga Rama. Për ata Lazarati ka sot pak ose aspak për të ofruar dhe të rinjtë ëndërrojnë të nisen jashtë, siç bëjnë moshatarët e tyre në fshatrat e tjerë të Shqipërisë.

“Boom”- i prodhimit të marijuanës.

Por nëse pas mureve të lartë që rrethojnë shtëpitë në Lazarat, marijuana nuk rritet më, “lufta pa mëshirë kundër drogës” e Ramës nuk e ka zgjidhur përfundimisht problemin. Kanabisi u arratis nga fshati rebel për tu rritur diku tjetër pas në vitet në vazhdim. Shoqata “Save the Children” që sot kontrollon një radio-shkollë në Lazarat dhe në tentativë për t’i qëndruar pranë komunitetit ka vënë re se në periudhën 2013 – 2016 marijuana u zhvendos nga kodrat e jugut në pjesë të tjera të vendit.

“Më parë prodhimi ishte përqendruar në Lazarat, nuk ishte i përhapur. Por pas operacionit kemi parë një përhapje në të gjithë vendin. Një fenomen që na ka shqetësuar sepse në këtë kontekst, fëmijët janë të përfshirë që në mosha të vogla” – tregon Anila Meço, drejtore e “Save the Children” në Shqipëri. Guardia di Finanza italiane (GdF), që mbikëqyr vendin që nga viti 2012 në kërkim të qendrave të prodhimit të marijuanës, regjistron këtë progresion. Nga 300 parcela të fotografuara në 2013-ën është kaluar në 2000 në 2016-ën.

Përballë përhapjes së kultivimit, GDF kanë dyfishuar orët e fluturimit dhe sot vëzhgojnë një të katërtën e vendit. Por rritja e zonave të kultivimit nuk e shqetëson qeverinë e Tiranës. Në çdo konferencë vjetore të luftës ndaj drogës, ministria e Brendshme e Shqipërisë siguron në fakt që ka shkatërruar 99% të parcelave të sinjalizuara nga GdF dhe që të ketë përmbushur plotësisht detyrën. Por ajo përgënjeshtrohet nga realiteti. Që nga 2013-a, Italia dhe Greqia vazhdojnë të sekuestrojnë sasi të mëdha të kanabisit shqiptar në vijimësi.

Pavarësisht këtyre mospërputhjeve, Partia Socialiste e Edi Ramës fitoi edhe zgjedhjet e qershorit 2017 duke garantuar qeverisjen pa aleatë. Por i njëjti vit solli në skenë një skandal që megjithëse e trondit qeverinë, nuk e rrëzoi atë. Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, konsideruar “delfin” i Ramës u përfshi në një hetim të Guardia di Finanza për trafikun e drogës nga Shqipëria në Siçili (operacioni Rosa dei venti). I përjashtuar nga partia, Tahiri reziston gjatë në parlament dhe e lë atë vetëm në 2018-ën për tu përballur me hetimet “si qytetar i thjeshtë”.

Një problem ende aktual

Pasardhësi i Tahirit, shefi i ri ministrisë së Brendshme, Fatmir Xhafaj, siguron sot se lufta kundër marijuanës shqiptare është tashme e fituar.

“Të dhënat e vitit të kaluar, në termat e prodhimit janë qesharakë: Shqipëria ka prodhuar 48 herë më pak në krahasim me vitin 2016!” – siguron ministri sipas të cilit: “nëse do të konsiderohen këto rezultate të 2017-ës, mund të konfirmohet se Shqipëria nuk figuron më mes vendeve prodhuese të kanabisit. Dhe nuk jemi ne që e themi, por Guardia di Finanza që është një pjesë e rëndësishme e policisë”.

Ministri i referohet numrit të parcelave të kanabisit të pikasura nga GdF gjatë 2017-ës, më pak se 100. Mes 2016-ës dhe 2017-ës, gjithsesi është regjistruar një ulje e prodhimit për jashtë.

“Është rezultat i aksioneve të marra nga Tirana” – siguron Xhafaj që ilustron operacionin “Forca e ligjit”, i nisur në 2017-ën. “Objektivi është që të identifikojmë grupet kriminale dhe të sekuestrojmë pasuritë e tyre. Në 2016-ën kemi sekuestruar pasuri për një vlerë rreth 40 milionë euro dhe në 4 muajt e parë të 2017-ës rreth 10 milionë euro” – thotë ministri.

Por nëse nga njëra anë është e vërtetë se shifrat e GdF sinjalizojnë një rënie të numrit të parcelave, nga ana tjetër kanabisi shqiptar vijon të vijë në brigjet e Pulias.

“Kemi sekuestruar 860 kg marijuanë dhe hashash në 2015, 13.9 ton në 2016-ën, 34,9 ton në 2017-ën dhe gati 10 ton në 4 muajt e parë të 2018-ës”– shpjegon Nicola Altiero, gjeneral i brigatës së GdF në Bari. Për më tepër që kanabisi i kapur nga forcat e rendit në Itali është prodhim i kohëve të fundit.

“Nga ana tjetër [e Adriatikut], justifikohen se prodhimet e sekuestruara vijnë nga stoku i realizuar vitet e fundit. Por ne e kemi studiuar përqindjen e lëndës narkotike si te kanabisi ashtu edhe te marijuana dhe na rezulton se është prodhim jo më i hershëm se 6 muajt e fundit” – saktëson gjeneral Altiero. Pra, edhe pse kanabisi nuk rritet më në fusha të hapura në Shqipëri, prodhimi vazhdon në fshehtësi, në ndonjë laborator.

Përballë këtyre konstatimeve, opozita shqiptare akuzon qeverinë që të jetë e lidhur direkt me trafikantët e drogës.

“Asnjë boss në Lazarat nuk u arrestua. Çfarë u bë me ata? Ua them unë: janë bërë agronomë dhe e transformuan të gjithë Shqipërinë në një Lazarat të madh” – akuzon Lulzim Basha, lider i Partisë Demokratike.

Pra cili është pra roli i qeverisë së Ramës në luftën ndaj drogës? Në shkrimin e radhës do të përpiqemi t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje? ©Përgatiti LAPSI.al

Lexo edhe: Guardia Di Financa hedh poshtë pretendimin e qeverisë se beteja me hashashin është fituar



6 Comments

  1. Macroni nuk ka konsiderate fare per Ramen, madje e quan nivel te ulet!!
    Prandaj nuk u hapen negociatat… (Veshtire te bindeshin dhe holandezet duke njohur standardin e tyre..)

  2. Ore Hitleri ka 73 qe ka vdekur por akoma dhe sot thojne qe eshte gjalle.Pse ore deshet ju qe asnje njeri ne shqiperi te mos vjedhi apo te mos genjeje? Kjo eshte ceshtje prncipi dhe jo fakt,sidomos ne qe e kemi ne gjak te verteten.Italianet akoma vazhdojne te jene numri nje per mafian dhe kurre nuk thone e hoqem qafe.Po ne?

  3. Bravo rilindja, me cmesazh do na dale mashtruesi,,,,,,Ja se si po levdojne per punen e mire ndaj droges, ja sa i pervetso kjo qeverikeshillat e europianeve. Me gjithe ate kaposhi kryebudalle krekoset se na ka bere arritje,,,,po ne financat e partise e oligarkeve,,,,,bravo qeverise,,,,, e tashti te prese gomari, deri sa te dale bari.

  4. Padyshim që pas një skandali të përmasave të mëdha siç isht viti 2016, ku e gjithë Shqipëria u mbush me mijra plantacione të vogla e të mëdha të kultivimit të kanabisit,e nga policia italiane e greke kapeshin vazhdimisht sasira të mëdha të kanabisit shqiptar dhe më e keqja akoma u vërtetua se në kultivimin e trafikun e drogës ishte përzjerë e gjithë kupola drejtuese e policisë deri tek ministri Tahiri, disa ambasadorë të huaj që i kishin mbyllur sytë për këtë realitet, e kishin ndarë mendjen qe reformën e drejtësisë në Shqipëri, t’ja ngarkonin Fatmir Xhafës si “më i ndershmi” jurist i socialistëve. Por u injorua fakti se ky “jurist i ndershëm”, në kohën e diktaturës enveriste ka qenë hetues i sigurimit, e gjatë kohës që ka qenë në karrierë politike, vëllai i tij ju shmang dënimit të drejtësisë italiane duke u strehuar në Shqipëri.
    A ka bërë përpjekje Xhafa vërtetë për të luftuar kanabisin ?
    Padyshim që ka bërë diçka të paktën për fasadë, ashtu siç bën qeveria e rilindjes për çdo gjë.
    Por a mund të shkulet e keqja e madhe e shpërthimit kriminal të trafikut gjigand të drogës nga Shqipëria, duke hequr kushuririn e mafies së drogës si ministër, e duke sjellë vëllanë e kësaj mafie në vend të tij ?
    Këtë mund ta besojë vetëm ambasadori i Kirgistanit.
    Si z.Lu edhe znj.Vllahutin i kemi dëgjuar që të përshëndesin edhe pas dështimit të hapjes së negociatave, “sukseset” e reformës në drejtësi. Edhe nga qeveritë nga të cilët janë dërguar ti përfaqësojnë e që informacionet zyrtare i marin prej tyre, i kemi dëgjuar të deklarojnë reformën në drejtësi të Xhafës, si një “sukses” të kësaj qeverie.
    Sukses i kësaj reforme, do të ishte që drejtësia me apo pa Veting, duhet të ndëshkonte të gjithë ata deputetë., kryetarë bashkie e ministra, sëbashku me kryeministrin e tyre, të cilët u verifikuan edhe me emra nga ambasadori Lu, si pjesë e krimit të organizuar.
    Që në drejtësi të bëhet një reformë e plotë në seleksionimin e juristëve të korruptuar, kjo është padyshim një gjë e domosdoshme e efektet e saj mund të ndihen ndoshta pas nja 10 vjetëve nëse bëhet në rrugë të drejtë e demokratike.
    Por cilat janë rezultatet e sotpërsotëshme të kësaj reforme “të suksesëshme” ?
    U larguan disa prokurorë nga detyrat e tyre, vetëm se u inkurajuan që të hetojnë edhe politikanët në qeverisje.
    Prokurorja e përgjithëshme “e përkohëshme” u caktua e komandohet vetëm nga kryeministri, që të mbyllë hetimet për qeveritarët e korruptuar, e të bëjë gjueti shtrigash me opozitën.
    Gjoja për të bërë pastrimin e institucioneve të larta të drejtësisë me Veting, Gjykatën kushtetuese e Gjykatën e lartë, këto dy institucione pothuajse kanë dalë tërësisht nga funksioni.
    Kryeministri Rama është realisht sot, edhe kryeministër, edhe kryetar i Gjykatës së lartë apo asaj kushtetuese, por edhe kryeprokuror i Shqipërisë.
    Pokërisht ai që ka përgjegjesinë më të madhe në përzgjedhjen e njerëzve me të kaluar kriminale qe e sollën Shqipërinë në këtë gjendje, me qëllim apo për pa aftësi, në vënd të kërkohet edhe nga vetë socialistët e ndershëm që kjo gjendje i turpëron edhe ata, dorheqjen e e tij, , ngrejnë kartonat si robotë të kurdisur, për çdo marrëzi që i shkrep në kokë shefit të tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *