• |
ide | kryesore

5 gjërat e bukura të Botërorit…

Kryesore, Rusi 2018, Sport



Faza e parë e Botërorit përfundoi, bashkë me 48 ndeshjet e grupeve. Grupe, në fakt, që kanë shënuar rekorde statistikore (lojtari më i vjetër që ka zbritur ndonjëherë në fushë në Kupën e Botës, seria gati pafund e ndeshjeve pa 0-0, hera e parë e një skuadre që kualifikohet falë numrit të kartonëve të verdhë). Tani radhën e kanë 1/8, por në mendje kanë mbetur të paktën pesë gjëra të bukura për tu përmendur.

Kroacia spektakolare: Ku do të arrijë?

Belgjika e Kroacia kanë treguar futbollin më të bukur: luajnë mirë, shënojnë, kanë futbollistë me kualitet të lartë. Por duhet pranuar se kombëtarja kroate është ajo që ka impresionuar më shumë, jo vetëm për 3-0 ndaj Argjentinës. Modric po dhuron futbollin gjeometrik, duke u kandiduar për Topin e Artë, por është e gjithë skuadra që po përkthehet si një e tërë, duke konkretizuar të gjithë dozën e kualitetit që disponon. Agresiviteti i Mandzukic, galopimet e Perisic, një mesfushë në të cilën Kovacic ulet në pankinë e ku Badelj, Brozovic e Rakitic janë protektorët e mrekullueshëm të Modric. janë pikërisht këto që e bëjnë Kroacinë një nga favoritët e mundshëm. Mund të ketë përballë Spanjën në cerekfinale, e në atë rast do të jetë një ndeshje për të mos u humbur.

Faleminderit VAR

Ka ende nga ata që nuk e kanë kuptuar, nga ata që e kanë të vështirë ta pranojnë, e pra ky sistemi VAR nuk është edhe aq keq.. Pyesni Spanjën, që kaloi si e parë e grupit me vlerësimin teknologjik të golit të Iago Aspas në kohën shtesë. Asistenti kishte sinjalizuar pozicion jashtë loje, por ky është vetëm një nga shembujt. Ka patur raste që nuk është thërritur në cështje (rasti më flagrant në Gjermani-Suedi, Boateng), ndonjëherë ka qenë dashamirës (kartoni i verdhë Ronaldos kundër Iran), ndonjëherë i pashpirt (kemi mbërritur në rekordin e penalltive të akorduara). Por me Var Botërori është pastruar nga një seri gabimesh që pa teknologjinë do të kishin shkaktuar polemika pafund.

Ronaldo-Messi, sfida pambarim

Mund të sfidohen në cerekfinale e do të ishte kulmi i rivalitetit të tyre sportiv. Në dy javë kemi parë gjithcka. Tregolëshin e Ronaldos ndaj Spanjës, dështimin e Messi me gabimin nga pika e bardhë kundër Islandës, golin e CR7 me kokë përballë Marokut, psikodramën argjentinase, gabimet e portugezit kundër Iranit, ringjalljen e Messi e të një kombi të tërë ndaj Nigerisë. Bukur, shumë madje. Më mirë deri tani Ronaldo, ska dyshim. Por më e bukura duhet ende të vijë.

Sulmuesit, të pandalshëm në Rusi

Jo vetëm Ronaldo (katër gola në tre ndeshje). Botërori 2018 ka rizbuluar qendërsulmuesit e zonës dhe golashënuesit. Nëse në Botërorët e fundit sulmuesit kishin mbetur në statistika normale, në Rusi janë zgjidhur nga zinxhirët. Lukaku katër gola në dy ndeshje, Kane madje 5 (të dy nuk kanë luajtur në ndeshjen e fundit të grupit). Do të ketë shumë gola akoma, me Diego Costa, Suarez, Cavani gati të kthehen në lojë për Këpucën e Artë të Botërorit. Por nuk mund të përjashtojmë edhe Neymar, ndonëse deri tani larg pritshmërive.

Maroku, Irani dhe jo vetëm: meritojnë respekt

Është pothuaj e sigurtë që në fund të ndeshjes Iran-Portugali të gjithë kanë menduar: “Këta meritojnë të kalojnë”. Në fakt kështu ishte, Maroku e Irani, dhuruan emocione të forta dhe jo vetëm për cështje simpatie, por për futbollin që treguan në fushë. Skuadra që ishin gati për Botërorin, taktikisht të vendosura mirë, fizikisht super (Spanja e di më mirë), e me vlera teknike të rëndësishme. Korea eleminoi Gjermaninë, Meksika po befason, Panamaja shënoi golin e parë në një kampionat botëror. Aspak keq, apo jo?



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *