• |
ide | kryesore

Greqi, rishfaqet pas 8 muajsh i dyshuari shqiptar për vrasjen e avokatit të njohur grek

Lajme, Të fundit

Policia greke ka rënë në gjurmët e një të dyshuari shqiptar, për vrasjen e një avokati të njohur grek vitin e kaluar. Mihalis Zafeiropoulos u ekzekutua në zyrën e tij në qendër të Athinës, më 12 tetor 2017. Policia cilësoi si autorë të vrasjes dy shtetas shqiptarë, njeri prej të cilëve, Mikel Brahimaj, u arrestua dhe pranoi kryerjen e veprës penale.


Bashkatdhetari i tij u shpall në kërkim, madje policia publikoi fotografinë dhe të dhënat e identitetit të tij. Sipas komunikatës zyrtare të policisë, ai quhet Aleksandro, Aleksandros apo Eno, me mbiemrin Mata, i lindur në Shqipëri, më 14 janar 1987. Që prej atij momenti vlerësohej se Mata është larguar në Shqipëri.


Por një vjedhje në një argjendari në zonën Zografou të Athinës, dhe një letër e gjetur në vendngjarje, ka ngjallur dyshimet e autoriteteve se Aleksandër Mata ndodhet në Greqi. Sipas policisë, një nga autorët e vjedhjes hodhi një letër duke u larguar. Në atë letër shkruhet në greqisht:

“Në çështjen e zotit Zafeiropoulos jemi të dy viktima. Këtë e shkruaj sepse di të marr përgjegjësinë time. Në rast se e dija që do të bëhej kështu siç u bë… Nuk e dija; ma futi. Po, kryej vjedhje, po nuk jam vrasës, nuk marr pjesë në gjëra të tilla”. Letra mban nënshkrimin “Maradona ne flatra”, që është nofka e Matës nga koha kur ai luante futboll me ekipin e qytezës ku jetonte në Greqi. Policia dyshon se letra është shkruar nga vetë Mata, ose nga njeri prej vjedhësve të argjendarisë, i cili mund të ketë lidhje miqësore apo dhe farefisnore me shqiptarin e shpallur në kërkim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu