• |
ide | kryesore

Si shpëtoi Merkel nga rrëzimi? Por, kriza e BE-së vazhdon

F1, Planet



“Fillimi i fundit të Anxhela Merkel si kancelare” – ishte titulli i një shkrimi. “Të imagjinuarit e një Europe pas Merkelit” – ishte një titull tjetër. Këto shkrime mund të ishin shkruar dje, para se Merkel të bënte një marrëveshje mbi refugjatët në minutën e fundit për të shpëtuar qeverinë e saj nga kolapsi i mundshëm. Por, këto shkrime janë publikuar në nëntor, herën e fundit që kancelarja gjermane ishte gati të rrëzohej, por ia doli për të formuar qeverinë.

Në atë kohë, kancelarja 13-vjeçare po luftonte për të formuar një qeveri të re pas zgjedhjeve të përgjithshme të shtatorit, në të cilat votat u ndanë mes partive të shumta politike, duke e bërë pothuajse të pamundur formimin e një koalicioni. (Krijimi i qeverisë së koalicionit vuri Merkelin përfundimisht në detyrë, por ajo ishte dobësuar në mënyrë drastike. Gazeta gjermane ‘Bild’ e cilësoi atë si një “fitore makthi”.) Këtë herë, kriza ishte rreth një minisëri të Merkel i cili i doli kundër, një koalicioni në luftë, dhe rreth një debati të ashpër rreth asaj që Gjermania dhe pjesa tjetër e Europës duhët të bënte lidhur me azilkërkuesit në kufinj.

(Horst Seehofer, Anxhela Merkel) 

Edhe një herë, Merkel provoi se i mbijetoi krizës. Kancelarja arriti një marrëveshje të hënën në mbrëmje, pasi ministri i saj i Brendshëm, Horst Seehofer, organizoi një ‘kryengritje’ mbi refugjatët, që kërcënonte të shembte qeverinë e saj. Marrëveshja shënon tentativën e fundit të një konflikti që kishte nisur muajin e kaluar, kur Seehofer filloi të kërcënonte se do të fillonte të kthente azilkërkuesit, në kundërshtim me Merkelin, të cilët së pari kishin kërkuar strehim në një vend tjetër të BE-së në kufirin gjerman. Seehofer gjithashtu është kryetari i CSU-së, një parti e qendrës së djathtë në shtetin gjerman të Bavarisë, që ka qenë aleate me CDU-në konservatore të Merkel që nga viti 1949. Të dy partitë kanë kaluar mosmarrëveshje të tilla ndër dekada dhe gjithmonë kanë vendosur që të qëndrojnë së bashku në fund, edhe pse kjo e fundit mund të ishte mosmarrëveshja me e keqe që dy partitë kanë pasur.

Sipas kushteve të marrëveshjes, emigrantët që kërkojnë strehim në Gjermani, por që kanë qenë regjistruar në vendet e tjera të BE-së, nuk do të kthehen automatikisht në kufi, por do të vendosen në qendra tranziti përgjatë kufirit jugor gjerman me Austrinë. Prej aty, Gjermania ka në plan t’i dërgojë azilkërkuesit e refuzuar në vendet nga të cilat ata kanë ardhur fillimisht (Gjermania është në pritje të marrëveshjeve me ato vende). Azilkërkuesit e refuzuar që janë regjistruar në vendet ku nuk ekziston një marrëveshje e tillë, do të kthehen në Austri. (Kjo pjesë do të kërkonte një marrëveshje që duhet negociuar me Vienën).

Merkel e quajti marrëveshjen një “kompromis të mirë”, ndërsa Seehofer, i cili as një ditë më parë kishte kërcënuar të jepte dorëheqjen, konfirmoi se ishte “shumë i kënaqur” me marrëveshjen. Por, nëse kjo marrëveshje mes liderëve të CDU dhe CSU duket se ka zgjidhur një luftë të menjëhershme me Seehoferin, ajo ka sjellë një sërë problemesh.

Duhet theksuar se deri tani nuk ka asnjë indikacion se Austria do të bjerë dakord me Gjermaninë për të marrë azilkërkues nga ky vend. Qeveria austriake paralajmëroi sot se çdo përpjekje nga Berlini për t’i kthyer njerëzit në kufirin e saj do ta detyronte Austrinë të bënte të njëjtën gjë, me kancelarin austriak Sebastian Kurz që paralajmëroi një “efekt domino”, që mund të nxiste rënien e sistemit të hapur të kufijve të BE-së. Ishte ky lloj skenari që nxiti kundërshtimin e Merkelit ndaj planit të Seehoferit që në fillim.

(Sebastian Kurz, Anxhela Merkel) 

Pastaj është Italia. Megjithëse numri më i madh i emigrantëve në Gjermani vjen nga Italia, qeveria e re e krahut të djathtë të Romës ka sinjalizuar se nuk do të pranojë më shumë azilkërkues, veçanërisht nga vendet e BE-së, që i ka kritikuar se nuk kanë bërë mjaftueshëm për të ndarë barrën e saj në krizën e refugjatëve.

Propozimi i Seehoferit nuk u pëlqye nga liberalët brenda Gjermanisë, të cilët kanë synuar të gjejnë një mënyrë për të mikpritur refugjatët në Gjermani. Por, propozimi i Seehoferit po kundërshtohet edhe jashtë Gjermanisë nga qarqet anti-emigracion, të cilët nuk duan të shohin Gjermaninë teksa dërgon azilkërkuesit në vendet e tyre. Gerard Knaus, themeluesi i “Iniciativës Europiane të Stabilitetit”, shprehet se përveç Italisë, propozimi fillestar i Seehoferit ishte i pakëndshëm edhe për qeveritë anti-emigracion në Hungari dhe Austri. “Në thelb, papritmas rezulton se në të vërtetë është e pamundur të kontrollosh një kufi në mënyrë të njëanshme, nëse fqinjët e tu nuk janë dakord”. 

(Kryeministri anti-emigracion i Hungarisë, Viktor Orban) 

Pastaj është edhe çështja e partnerit të tretë të koalicionit të qeverisë gjermane, Social Demokratët. Edhe pse mungoi gjerësisht në raundin e fundit të konfliktit brenda koalicionit, partia Social Demokrate refuzoi idenë e krijimit të zonave tranzit kur Merkel i sygjeroi ato para tre vitesh, dhe duket se kjo parti këtë pozicion po ruan edhe tani. Partia njoftoi sot se nuk është dakord me këto qendra, duke theksuar se ndryshe nga tre vite më parë, numri i refugjatëve që vijnë në kufijtë e Gjermanisë është reduktuar ndjeshëm. Por, kaq mund të kundërshtojë kjo parti. Fuqia e saj politike u dobësua ndjeshëm pas zgjedhjeve të fundit të përgjithshme të vendit. Nuk ka gjasa që Social Demokratët të rrezikojnë të rihapin një krizë tjetër brenda koalicionit qeverisës.

Kjo është një marrëveshje me të meta dhe e çuditshme, gjë që e bën atë disi tipike për Merkelin dhe sekretin e saj për të devijuar kundërshtarët dhe për të mbajtur pushtetin. Vazhdimisht ajo ka arritur të përfshijë koalicione dhe marrëveshje të përkohshme që kënaqin mjaft njerëz mjaftueshëm sa për të ruajtur qeverisjen e saj deri në krizën e ardhshme, kur ajo do të bëjë gjithçka përsëri. Kjo marrëveshje lejon Seehoferin të ruajë reputacionin e tij, por jo vetëm kaq. Ai do të marrë kreditet për arritjen e të pakën disa prej kërkesave të tij për kufirin gjerman dhe do të vazhdojë të jetë ministër i Brendshëm në kabinetin e Merkelit. CSU përballet me zgjedhje në Bavari për disa muaj, dhe partia përballet me kërcënimin e partisë anti-emigracion “Alternativa për Gjermaninë”. Seehofer dukej i vendosur që të provonte se edhe partia e tij mund të ishte e ashpër me emigracionin. Sikurse njoftoi Nju Jork Tajms, Bavaria priti dhjetra mijëra të ardhur përgjatë kufirit të saj 800-kilometërsh me Austrinë, në kulmin e krizës së refugjatëve. Edhe pse këto shifra kanë rënë ndjeshëm që nga ajo kohë, ato ishin sërish të mjaftueshme për një parti si Alternativa për Gjermaninë që të fitonte popullaritet, duke bërë që CSU-ja të luftojë për të mbrojtur mbështetjen që ka në këtë shtet gjerman.

Megjithë marrëveshjen, përpjekjet e Seehofer mund të kenë bërë të kundërtën e asaj që deshi ai. Sondazhi i të hënës tregoi se 67% e gjermanëve e konsideronin luftën që bëri CSU për të ndaluar azilkërkuesit “të papërgjegjshme”. Shumica e votuesve të CSU thanë se nuk pajtohen me udhëheqjen e partisë së tyre. Nga ana tjetër, nëse CSU-ja dëshironte më shumë mbështetje nga e djathta, mund ta ketë marrë atë. Mes votuesve të Alternativës për Gjermaninë, CSU-ja e Seehofer mori mbështetje të madhe (85%) për bllokimin e azilkërkuesve. “CSU po vepron kundër interesit të vet strategjik” – tha Leopolt Traugott, analist i politikës në ‘Open Europe’, përpara marrëveshjes së të hënës në mbrëmje. “Shumica e shtetasve gjermanë, duke përfshirë edhe qytetarët bavarezë, mendojnë se CSU po e tepron.”

Ai shtoi në fund se kjo manovër mund të forcojë pozitën e Merkel.

“Merkel sigurisht që ka dalë më e fortë nga kjo krizë se sa kritikët e saj nga CSU-ja. Ajo tani mund të propozojë një sistem funskional për politikën europiane të kufirit dhe azilit. Nëse ajo e bën këtë me aleatët në Europë, ajo do të dalë më e fuqishme nga kjo krizë” – u shpreh analisti.

The Atlantic, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *