• |
ide | kryesore

Historia e arratisjes së dy futbollistëve të “Vllaznisë” në 1987 në Athinë (fotot e rralla të ekipit)

Dossier



Historia e panjohur e dy ngjarjeve me ekipin “Vllaznia” e Shkodrës në Helsinki dhe Athinë në vitin 1987, vjen premierë në RTSH1 me një dokumentar televiziv të realizuar nga gazetarët e njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Stafa, me dëshmitë e rralla të disa prej protogonistëve të saj, ish-futbollistë të njohur, si: Rragami, Jera, Borshi, Shaba, Zmijani dhe Arvid Hoxhës nga SHBA, i cili flet për herë të parë pas 31 vjetesh për atë ngjarje që i ndryshoj rrjedhën e jetës…?!

Nga Dritan Xhemalaj, TemA

Në kuadrin e ciklit të dokumentarëve “Përballje me të kaluarën” i cili është një projekt i ideuar dhe mbështetur fillimisht nga zyra e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Radio Televizionin Publik Shqiptar dhe nën kujdesin direkt të drejtorit të Përgjithshëm z. Thoma Gëllçi, dy bashkëautorët realizues të projektit në fjalë, gazetarët e njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Shoshori Stafa, (Doktore e Shkencave Historike), sjellin para teleshikuesëve dokumentarin e trembëdhjetë, me titull “Arratisja e madhe”,(Kushtuar dy futbollistëve të ekipit “VLLAZNIA” të Shkodrës, Arvid Hoxha dhe Lulzim Bërshemi, të cilët në dhjetorin e vitit 1987, teksa ktheheshin nga Helsinki i Finlandës ku kishin zhvilluar ndeshjen me ekipin vëndas,“Rovaniem”, në kuadrin e kampionatit të kupave të Europës, gjatë ndalesës tranzit në kryeqytetin helen, shfrytëzuan rastin dhe u arratisën nga hoteli në qëndër të Athinës, për të kërkuar azil politik pranë ambasadës jugosllave të akredituar në atë vënd fqinjë me Shqipërinë.

Ky cikël dokumentarësh i cili ka filluar prodhimin që në muajin shtator të vitit të kaluar dhe trasmetimin në ekranin e RTSH1 që nga fillimi i muajit dhjetor, sjell para teleshikuesëve ngjarje të bujshme apo dhe të panjohura nga periudha e regjimit komunist të para viteve ’90-të, kryesisht ngjarje që kanë të bëjnë me krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës nga viti 1944 e deri në 1991-in.

Në këtë kuadër, dy autorët e sipër cituar, Kaloçi dhe Stafa, si dhe stafi i tyre realizues, (Dritan Xhemali, Iv Kaloçi, Brunilda Muceku, Gjergj Reveli, Gjergji Pano, etj) në këtë dokumentar kanë tentuar të rindërtojnë ngjarjen e vitit 1987, atë të arratisjes së dy futbollistëve që përmëndëm pak më lart, Hoxha dhe Bërshemi, të cilët nuk u kthyen më në atdhe së bashku me pjestarët e tjerë të ekipit “Vllaznia” e Shkodrës. Ngjarje e cila duhet thënë se e pati zanafillën e saj që në Helsinki të Finlandës, më datën 5 dhjetor 1987, kur katër futbollistë të ekipit “Vllaznia”, u përfshinë në një incident në një nga supermarketet e kryeqytetit finlandez dhe si rezultat përfunduan në rajonin e policisë.

Më pas, me ndërhyrjen e stafit drejtues dhe shoqërues të ekipit “Vllaznia” si dhe të dërguarit të ambasadës shqiptare në Suedi që shoqëronte ekipin, ajo ngjarje u zgjidh duke paguar një gjobë dhe katër futbollistët u lanë të lirë duke u bashkuar me pjesën tjetër të eikpit, i cili po atë ditë u nis me avion duke udhëtuar tranzit për në Greqi, pas një ndalese të shkurtër në Budapest të Hungarisë.

Por, duhet thënë se pas atij incidenti të ndodhur në Helsinki, gjëndja e pjestarëve të ekipit shkodran dhe atyre që e shoqëronin ishte mjaft e nderë, gjë e cila vinte edhe për shkak të ngarkesave psikologjike të tyre, pasi ata mendonin se çfarë do të ndodhte me ta pas mbërritjes së tyre në atdhe. Dhe për këtë ata kishin parasysh atë çka kishte ndodhur me dy shokët e tyre futbollistë, Ferit Borshi, Faslli Fakja dhe Rudi Vata, të cilët (për arsye biografike) nuk i kishin lejuar të udhëtonin me pjesën tjetër të ekipit, duke ua komunikuar atë gjë, pak para nisjes për në Rinas, në një nga hotelet në qëndër të Tiranës, ku ishte akomoduar ekipi “Vllaznia”.

Kështu në këtë atmosferë dhe gjendje të tensionuar psikologjike ku ndodhej ekipi “Vllaznia” dhe kryesisht stafi drejtues e shoqërues i tyre, të gjithë u ndanë nëpër dhomat e tyre në hotelin ku ata ishin akomoduar diku në qëndër të Athinës, për t’u nisur të nesërmen me autobus për në atdhe. Por të nesërmen në mëngjez, teksa stafi drejtues priste të grumbullohej i gjithë ekipi dhe të niseshin për rrugë, recepsionisti i hotelit, i njoftoj se dy prej futbollistëve kishin dalë nga hoteli në orën 4 të mëngjezit dhe nuk ishin kthyer më.

Bëhej fjalë për Arvid Hoxhën dhe Lulzim Bërshemin, të cilët drejtuesit e ekipit të ndihumar dhe nga një përfaqësues i ambasadës shqiptare në Athinë, me në krye kapitenin e ekipit, Ferit Rragami, i kërkuan për disa orë nëpër qytet, duke menduar se do kishin shkuar në ndonjë lokal nate për të dëfryer. Por ajo gjë rezultoi e kotë, pasi stafi i ambasadës shqiptare në Athinë u bëri të ditur drejtuesëve të ekipit shkodran se ata duhet të niseshin për në Shqipëri, sepse me “punën” e dy futbollistëve do të merreshin ata.

Dhe ashtu ndodhi, ekipi shkodran udhëtoi për në Shqipëri, ndërsa ambasada shqiptare në Athinë me anë të kanaleve të saj zyrtare u informua se Arvid Hoxha dhe Lulzim Bërshemi, kishin kërkuar strehim politik pranë ambasadës jugosllave në Athinë, gjë e cila ishte pranuar prej saj.

Dhe ashtu siç dhe pritej të ndodhte, me të mbërritur në Shqipëri, ekipi “Vllaznia” iu nënshtrua disa mbledhjeve të njëpëasnjëshme me analiza dhe dhënie llogarie për çdo pjestar të ekipit dhe stafit drejtues, ku si përfundim, një pjesë e madhe e tyre morrën dënime të rënda duke u përjashtuar përgjithmonë nga sporti i futbollit dhe duke u dërguar me punë në zona të thella malore. Siç ndodhi me tranierin Astrit Hafizi, ndihmësin e tij, Esat Rrakiqi, mjekun e ekipit, Zydi Çoba, kapitenin Ferit Rragami, etj që u dërguan në Dukagjin.

Dënimet më të rënda ishin për familjet e Arvid Hoxhës dhe Lulzim Bërshemit, të cilat u internuan po në zonën e thellë të Dukagjinit, apo të afërm të tyre që i larguan nga punët dhe funksionet që ata mbanin më parë. Gjë e cila bëri që ekipi “Vllaznia” nga kryesues i kampionatit dhe pjesmarrës në kupën e kampionëve të Europës, të shkonte drejt shkatërrimit të plotë.

E gjithë kjo ngjarje, nga Helsinki në Athinë dhe më pas me pasojat e rënda që erdhën për shkak të dënimeve, vjen në këtë dokumentar me dëshmitë e rralla para kamerave nga disa prej protagonistëve kryesor të saj, ish-futbollistëve si: Ferit Rragami, Ferit Borshi, Kujtim Shaba, Hysen Zmijani, etj si dhe trainerit Astrit Hafizi dhe mjeku Zydi Çoba.

Por një nga dëshmitë më interesante është e ajo e protagonistit kryesor të asaj historie të largët, Arvid Hoxhës, i cili flet dhe dëshmon për herë të parë pas 31 vjetesh për atë ngjarje që i ndryshoi rrjedhën e jetës, duke filluar nga incidenti në Helsinki, kthimi në Athinë dhe bisedat me shokun e tij të ngushtë, Lul Bërshemin, pas vendimit që ai kishte marrë prej kohësh për t’u arratisur dhe për të mos u kthyer më në Shqipëri. Gjë të cilën e shfrytëzoi pikërisht më 6 dhjetor të vitit 1987, duke kërkuar strehim politik në ambasadën jugosllave në të akredituar në shtetin helen, veprim për të cilin, regjimi komunist në fuqi nuk ja fali kollaj, madje duke iu hakmarrë me ashpërsi ndaj familjes së tij.

Po kështu, Arvid Hoxha në dëshminë e tij para kamerave në dokumentarin në fjalë tregon edhe për dërgimin e tyre në kampin e Llavros-it në pritje të marrjes së azilit politik, si dhe angazhmin më pas dhe aktivizimin me ekipin e njohur grek, Panionios, (në kampionatin kombëtar të ligës superior helene), ku ai bashkë me shokun e tij, Lul Bërshmin, fillimisht shkonin në stërvitjet duke udhëtuar me një motor, ku në dy raste atyre tentuan t’ju bënin aksident, persona që u kishin zënë pritë….?!

Me mjaft interes në dokumentarin në fjalë vjen dhe dëshmia para kamerave e Muho Asllanit, ish-sekretar i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Shkodrës në atë kohë dhe njëkohesisht anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së. I cili tregon mbi raportet që ai kishte me ekipin e futbollit “Vllaznia” si dhe versionin e tij mbi atë ngjarje që edhe atij i kushtoi jo pak andralla.

Të gjitha këto dhe të tjera fakte të panjohura nga ngjarja me ekipin e futbollit “Vllaznia” e Shkodrës, kanë tentuar t’i zbardhin dhe të hedhin dritë mbi to, dy bashkëautorët realizues të dokumentarit, gazetarët e njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Stafa (Doktore e Shkencave Historike) të cilët për vite me rradhë në fokus të punës së tyre, me shkrime, libra, studime, emisione dhe dokumentarë televiziv, kanë pasur kryesisht ngjarjet e periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës. Edhe dokumentari në fjalë, “Arratisja e madhe”, vjen si nëpërmjet dëshmive të personave të sipërcituar, ashtu dhe nëpërmjet fotove e filmimeve të rralla autentike dhe dokumenteve arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (Fondi 14, Komiteti Qëndror i PPSH-së) dhe Arkivi i Ministrisë së Brendëshme në Tiranë.

Ky dokumentar që realizohet nën kujdesin direkt të drejtorit të përgjithshëm Radio Televizionit Publik Shqiptar, z. Thoma Gëllçi, dhe është prodhim ekskluziv i këtij televizioni, vjen premierë të mërkurën, dt. 4 korrik në ora 20 e 35 dhe ritrasmetohet të premten, dt. 6 korrik, në ora 13 e 15 në Radio Televizionin Publik Shqiptar.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *