• |
ide | kryesore

Lamtumirë kampion, ndahet nga jeta Skënder Hyka

Sport



Futbolli shqiptar ka humbur sot një personalitet të fushës, që dikur me fanellën e Tiranës emociononte tifozët me golat e tij. Skënder Hyka është ndarë nga jeta pas një sëmundje të gjatë dhe të rëndë. I lindur në kryeqytet ku kreu edhe studimet universitare në Institutin e Kulturës Fizike dhe Sportit në 1968, Hyka nuk mund të mos ishte pjesë e skuadrës së tij të zemrës Tirana, atëherë 17 Nëntori. Me bardheblutë Hyka u bashkua që në moshën 13 vjecare në 1957, ku kaloi të gjitha grupmoshat përpara se të vishte fanellën e skuadrës së parë në fillim të viteve 60. që në prezantimet e para si profesionist Hyka e vendosi veten si lojtar kyc të 17 Nëntorit, duke ndihmuar në fitimin e 4 titujve kampion gjatë karrierës së tij. Hyka shënoi 60 gola në kampionat me 17 Nëntorin, gjë që kur u tërhoq nga futbolli i luajtur, në vitin 1974, e vendosën atë në krye të shënuesve më të mirë bardheblu të të gjtiha kohërave.

Por pavarësisht një karrierë të suksesshme me 17 Nëntorin, Hyka kurrë nuk arriti të linte gjurmë në Kombëtaren e Shqipërisë. Kjo për fatin e keq se në të njëjtën kohë me kampionin bardheblu luanin edhe Mehdin Zhega e Panajot Pano. Prezantimi i vetëm i tij është në 8 prill 1967 kundër Gjermanisë Perëndimore në Dortmund, ndeshje të cilën kuqezinjtë e humbën 6-0…

FSHF MESAZH NGUSHELLIMI PER FAMILJEN

Pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë, është ndarë nga jeta Skënder Hyka, ish futbollist i shquar i Tiranës, ish-shef i klubit FK Tirana, ish Sekretar i Përgjithshëm i FSHF dhe për 5 legjislatura i zgjedhuar anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, ka dërguar mesazh në lidhje me këtë lajm:
“Me hidhërim të thellë dhe me dhimbje njerëzore, ndaj me Ju, të nderuar miq të komunitetit të futbollit, lajmin e trishtë, se Skënder Hyka, një ish-lojtar i shquar, drejtues klubi dhe mik e dashamirës i madh i futbollit, është ndarë nga jeta, përgjithmonë. Në këtë çast të dhimbshëm për të gjithë ne, për familjen, miqtë dhe dashamirësit e shumtë, besoj dhe shpresoj, që kjo humbje e madhe të lërë mes nesh kujtimin më të mirë të të ndjerit. Kujtimin e një njeriu, që gjatë gjithë jetës së tij ju përkushtua futbollit, punoi dhe dha më të mirën për zhvillimin e tij. Kujtimin e një lojtari legjendë, të një drejtuesi të devotshëm dhe të një njeriu zemërgjerë dhe të ndershëm. Skënder Hyka, ishte një prej futbollistëve më të shquar të viteve 60-70, i cili ka spikatur me talentin dhe aftësinë e tij, duke u bërë i dashur për tifozët anë e mbanë Shqipërisë. Ai spikati edhe si drejtues i FSHF në rolin e Sekretarit të Përgjithshëm apo për disa legjislatura radhazi atë të anëtarit të Komitetit Ekzekutiv. Në çdo cast ai ka ndihmuar me përkushtimin dhe mendimet e tij, që futbolli të ecë përpara. Në emër të komunitetit të lojës tonë të mrekullueshme, të Federatës Shqiptare dhe të gjithë, miqve dhe dashamirësve të tij, gjej rastin që ti shpreh familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta, për humbjen e njeriut të dashur. Parajsa, qoftë vendi ku do të prehet. Kujtimet që na ka lënë, do të jenë të paharruara”.
Këto kanë qenë fjalët e Presidentit të FSHF, Armand Duka pasi ka mësuar lajmin e trishtë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *