• |
ide | kryesore

Qindra lëkundje në dy ditë, sa e rrezikuar është Shqipëria nga tërmetet

Kryesore, Lajme



Zona e Gjirit të Lalëzit në Durrës ka qenë epiqendra e rreth 520 tërmeteve që prej paradites së të mërkurës e deri më sot. Këto janë të dhënat që vijnë nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit. Tërmete shkaktuan dëme materiale në disa zona të vendit, ndërsa qytetarët përjetuan momente paniku nga lëkundjet e forta. Zyrtarisht dëmet ishin këto:

1. Rënia e një catie në një banesë të braktisur, njësia administrative Manzë

2. Në Yrshek, Kashar i është çarë muri i një banese

3. Në Marqinet, Bashkia Vorë, raportohet dëmtimi i catisë së një banese.

4. Në lagjen Dyl Haxhire Myzyri, pallati nr. 8 ka plasaritje të mureve.

5. Njësia Cudhi, Bashkia Krujë është plasaritur një banesë.

6. Fshati Brret, Bashkia Krujë një banesë e plasaritur.

7. Plasaritje e një supermarket në lagjen 17, Bashkia Durrës.

Shqipëria është një nga vendet me sizmicitetin më të lartë në Europë. Vendi ynë bën pjesë në Ballkan dhe dihet që Ballkani është një zonë me aktivitet të lartë sizmik.

Në zonën mesdhetare ndodhin rreth 15% e tërmeteve në botë, ndërsa pjesa tjetër, rreth 80% e tërmeteve, ndodhin në unazën e Paqësorit. Pikërisht kjo është arsyeja që vendi ynë shpeshherë goditet nga tërmetet. Shkaku i tyre është përplasja e mikropllakave të Adriatikut, të cilat janë pjesë e dy pllakave të mëdha kontinentale, që janë pllaka Afrikane dhe pllaka Euroazitike. Por shqetësimi që kanë të gjithë është si të mbrohemi nga tërmetet dhe a mund të parashikohen ato?

Në Shqipëri kanë ndodhur shumë tërmete. Ato janë studiuar nga specialistët sizmologë dhe janë rajonizuar zonat me sizmicitet të lartë dhe mesatar. Në hartën e intensiteteve maksimale janë dalluar zonat me intensitet të vrojtuara maksimalisht IX,VIII,VII dhe VI ballësh të shkallës MSK-1992. Zonat IX ballëshe janë zona të vatrave të tërmeteve të fuqishëm. Intensiteti maksimal i të cilave ka qenë IX ballë (ose më shumë). Tërmetet nuk mund të parashikohen, po duke qenë të përgatitur nga rajonizimet e kryera, mund të merren masa efektive, për të mos pasur katastrofa të dhimbshme.

Mini-tërmetet ndodhin gjatë gjithë kohës në të gjithë territorin e Shqipërisë, kjo pasi vendi ynë është një territor aktiv. Statistikat kanë treguar se tërmetet me magnitudë 4.5 janë të shpeshta maksimumi dy herë në vit, minimumi njëherë, ndërsa tërmetet mesatare 5 deri në 5.5 ndodhin njëherë nga 2 deri në 5 vjet. Tërmetet e forta, ato mbi 5.5 janë tepër të rrallë, kërkojnë dekada, mbi 10 vjet. Kjo për një arsye fare të thjeshtë, sa më i madh të jetë tërmeti aq me shumë energji akumulohet, dhe aq më shumë kohë do që të ndodhë.

Qytetarët duhet të dinë se pas nje aktiviteti sizmik, sidomos me magnitudë mbi 4 ose më shumë në 99 përqind të rasteve, shoqërohen më pas me pasgoditje. Kjo do të thotë, se dhe pasgoditjet janë po aq të rrezikshme se tërmeti i parë, në të shumtat e rasteve dhe këto vijnë duke u ulur. Gjatë një tërmeti, duhet ruajtur qetësia e para, uluni menjëherë në dysheme dhe mblidhini duart dhe krahët, përpara se tërmeti t’ju rrëzojë, duke u ulur poshtë një tavoline, apo poshtë ndonjë mobiljeje që nuk mund të rrëzohet mbi ty. Kur nisin lëkundjet, gjëja më e mirë që duhet të bëni, është të mos lëvizni nga njëra dhomë në tjetrën, dilni me kujdes nga banesa pas tërmetit.

Duke u nisur nga tmerri që kemi përjetuar këto dy ditë, çdokush pyet me të drejtë: A do të bjerë më tërmet? Ekspertët sizmiologjisë thonë se aktiviteti i lëkundjeve vjen duke u ulur dhe tërmetet e tjerë që do të bien pritet të jenë me magnitudë të vogël dhe të mos përbëjnë rrezik.

© LAPSI.al 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *