• |
ide | kryesore

Video/ I fundit i amerikanolatinëve del nga skena, Belgjika e Courtois në gjysëmfinale

Rusi 2018, Sport, Video



Botërori Rusi 2018 është pronë e europianëve. Brazili 5 herë kampionë bote është i fundit amerikanolatin që i jep lamtumirën turneut në çerekfinalen e luajtur në “Kazan Arena”. Shumë mund, përpjekje e grintë dha në fushë skuadra e Tites, por Belgjika mori maksimumin në një ndeshje, e sidomos një pjesë të parë, ku me një goditje në portë kryesoi 2-0. Pikërisht kështu, sepse në minutën e 13′ Fernandinho i pafat devijoi në portë një krosim nga këndi.

Martinez ndërtoi një ndeshje në pritje, për t’u nisur në kundërsulm, për të shfrytëzuar aftësitë që Djajve të Kuq nuk ia mohon dot askush. U pa në mënyrën si nxirrte Lukaku skuadrën përpara, si Hazard manovronte mes linjave e si Kevin De Bruyne siluroi Alison me një gol që do ta mbajë mend gjatë. Bjondi shpërndau ide, qetësi dhe organizim në fushë, duke merituar titullin Lojtari i ndeshjes, edhe pse ai që mbajti në lojë Belgjikën ishte tjetër lojtar.

Por e gjithë çfarë bëri Belgjika ishte kjo. Lojën e bëri Brazili, që ndoshta ka dëshpëruar të gjithë tifozët për daljen nga skena para kohe, por justifikoi statusin që kishte, duke vepruar me elegancë, intensitet dhe veprime spektakolare golin që do ti fuste në lojë. Me dy gola është e vështirë për këdo, madje edhe për Belgjikën ti rikuperonte Japonisë në 1/8, por verdhejeshilët e provuan. Provuan me zemër, me karakter, me dinjitet, por u ndalën jo përballë mbrojtjes belge, por përballë një Courtois në mbrëmjen e jetës.

Portieri i Chelsea mbajti larg këdo: Neymar, Jesus, Coutinho, Marcelo, Douglas Costa e Paulinho. Po të gjithë, sepse ajo që ndodhi në portën e Djajve të Kuq ishte një ofensivë totale, deri në golin e Renato Augustos 14′ minuta nga fundi, kur Coutinho bëri të vetmen gjë të bukur të ndeshjes, duke peneluar krosimin për mesfushorin e sapofutur.

57% i zotërimit të topit, 26 tentativa drejt portës, 9 goditje në kuadrat kundër vetëm 3 të belgëve, e në fund, pikërisht kur kronometri kishte kaluar në shtesë, ajo dorë e Courtois që ndaloi goditjen e Neymar të barazonte, vendosi ndeshjen.

Brazili doli jashtë me lotët e një kombi që dashuron futbollin dhe ushqehet me të. Nuk ka më rëndësi nëse seria e rezultateve pozitive ishte 15 apo ditët e pathyeshmërisë 392, në gjysëmfinale shkoi Belgjika…por për atë që treguan në fushë, nuk dihet nëse përballë Francës doli skuadra më e mirë…



https://clips.clippit.tv/vxbnya/720.mp4



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *