• |
ide | kryesore

BE, fonde dhe presion Ukrainës për reforma të thella

Planet



Korrupsioni si dhe konflikti me kryengritësit e mbështetur nga Rusia në pjesën lindore të Ukrainës do të jenë në krye që axhendës së takimit të BE-së me përfaqësuesit e Ukrainës të hënën e ardhshme në Bruksel. Siç njofton korrespondenti Henry Ridgewell, BE-ja po i bën presion Kievit të kryejë reforma më të thella, por ndeshet ndërkohë edhe me zhgënjim në popullatën ukrainase lidhur me perceptimin për përfitimet që sjell lidhja e ngushtë me Bashkimin Europian:

Një falkua prej kristali me vlerë 46 mijë dollarë dhe një BMW jashtë serie me vlerë 300 mijë dollarë janë disa nga objektet e ekspozuara në Kiev si pjesë e “Parkut Anti-Korrupsion”. Ekspozita u organizua me fonde të Bashkimit Evropian për të treguar koston e korrupsionit tek qeveria dhe popullata, shkruan Zëri i Amerikës.

Në maj, Bashkimi Europian ra dakord t’i ofrojë Ukrainës një paketë ndihmash financiare me vlerë 1.2 miliardë dollarë në shkëmbim për reforma të thella në politikat e brendshme.

“Ekziston Byroja Kombëtare Anti-Korrupsion. Ky institucion është plotësisht i shkëputur nga policia e korruptuar. Byroja mund të bëjë punë të mirë pasi është e pavarur. Por ajo nuk mund të arrestojë të korruptuarit nëse nuk realizohet reformimi i gjyqësorit. Byroja kryen detyrën, por gjykatat i lirojnë këta keqbërës,” thotë Andrew Wilson, profesor në Universitetin e Londrës.

Kjo, sipas zotit Wilson, ka shkaktuar ngecjen e reformave:

“Ukrainës i është thënë të ngrejë një gjykatë të veçantë anti-korrupsion. Por është një version i sajuar që askush nuk beson se mund të jetë i pavarur. Kjo është pengesa kryesore,” thotë Profesor Wilson.

Ka kaluar një vit që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Asociimit BE-Ukrainë, pas një numër vonesash. Për shumë ukrainas kjo marrëveshje ofroi shpresa për mundësi ekonomike dhe forcimin e shtetit ligjor, pas dekadash të tëra me rritje të ngadaltë ekonomike dhe korrupsion, shkruan voa.

Bashkimi Europian do ta shfrytëzojë takimin për të riafirmuar mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës, një javë pasi blloku zgjati zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë.

Shtëpia e Bardhë tha këtë javë se politika amerikane ndaj Ukrainës në lidhje me aneksimin rus të Krimesë nuk ka ndryshuar.

Presidenti Donald Trump dhe homologu i tij rus Vladimir Putin do të takohen në Helsinki më 16 korrik, dhe pritet që Ukraina të jetë një ndër temat kryesore në bisedimet mes tyre.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *