• |
ide | kryesore

Zbulohet sekreti, pse funksionon dyshja Rama-Sejdini në Elbasan

Arkiva, Kryesore



Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i njohur ndryshe si “Lala” njihet për të folurën e hapur dhe të drejtpërdrejtë në publik. Nuk është habi që llogaritë se sa shanse ka që ta bindë Edi Ramën ta rikandidojë për një mandat të katërt, i bëri publikisht, në një intervistë për një televizion lokal, Tv Skampa.

Rrëfimin e nis me dilemat që kishte në kokë kur e kandiduan për kryetar bashkie, për modelin që i duhej të ndiqte për të drejtuar Bashkinë e Elbasanit. Për të gjetur përgjigje thotë se iu fut leximit. Shfletoi librat për Nikola Sarkozinë dhe Rudi Xhulianin, për të zgjedhur më pas këtë të dytin, modelin e Rudi Xhulianit, ish kryebashkiakut të New York-ut.

“Kur kam pranuar të kandidoj për kryetar bashkie, disa miq më këshilluan dhe më thanë: Kush do të jetë modeli yt? Sepse detyra e kryetarit të bashkisë është një punë me përgjegjësi të madhe qytetare dhe kombëtare. Të vish i papërgatitur në këtë karrige do të dalësh blof. Atëherë hulumtova dhe kisha në dorë dy libra. Një libër të Sarkozisë, jeta e tij si kryetar bashkie. Dhe një libër tjetër të Rudi Xhulianit për Neë York-un. I lexova të dy ato libra për të gjetur një model. Lind pyetja: Me ata do krahasohesh ti? Jo, por bashkitë në të gjithë botën kanë të njëjtat probleme, pavarësisht numrit të popullsisë dhe qarkullimit të qytetit. Ngeca te Xhuliani, më dukej më pranë tipit dhe temperamentit” tregon Lala.

Por në ato pak minuta të intervistës, idetë degradojnë dalëngadalë. Nuk flitet aq për Nju Jorkun e Xhulianit, sesa për Elbasanin e Sejdinit, një botë tjetër ku për postin e kryebashkiakut luftojnë kandidatë me miliona euro në xhep, ku më shumë se gjithçka vlen marrëdhëniet e ngushta me Edi Ramën, por edhe ku ndahen tenderat e bashkisë, në të vegjël dhe të mëdhenj.

Në këtë ambjent, Sejdini e di si funksionojnë gjërat dhe i jep drejtim me fjalët:

“Do filani apo do fisteku. Ja fusin kot. Dua të kandidoj unë, se kam 1 milion euro, mund të thotë ndonjë. Ik bëj ndonjë punë me ato pare, siç i ke vjedh, ashtu do i ndash”

Gjithsesi kundër Lalë Qazimit nuk punon vetëm koha, që e konsumon në detyrë. Shndërrimi i Elbasanit në një qytet të marrë peng nga bandat, me të cilat kryetari i bashkisë rezulton të jetë familjarizuar, janë një njollë e fortë në mandatin e tij të kaluar.

Me gjithë këto, Lala duket i sigurtë në ato që thotë: Unë, aktualisht, jam bashkëpunëtor i Kryeministrit. Bashkëpunëtor i rregullt dhe i afërt i tij. Dhe do të jem bashkëpunëtor i tij, kjo është dëshira ime, por nuk besoj të mos jetë e tij.

Siguria me të cilën flet kryebashkiaku duket e habitshme. Përse duhet të rikandidojë Edi Rama në Elbasan një figurë të konsumuar nga akuzat për lidhje me bandat dhe që ka qenë për tre mandate në detyrë?

Sekreti zbulohet nga vetë Lalë Qazimi në fund të intervistës. I pyetur se si ia del që sondazhet e nxjerrin përherë fitues, Lala tregon parimin e tij për të mos u marrë me tenderat e mëdhenj. Si shembull jep projektin e impiantit të djegies së plehrave, që ishte 22 milion euro. Dhe çfarë bëri Sejdini në këtë rast? “E lashë ta bëjnë në Tiranë”, thotë ai, duke rrëfyer edhe sekretin e harmonisë me Edi Ramën.

TV Skampa: Përse ju në sondazhe jeni përpara PS-së?

Qazim Sejdini: Po u nise nga ideja që unë kam qejf të bëhem kryetar bashkie se do fitoj 5 lekë, ta harrojë. 22 milionë euro ishte projekti i impiantit të djegies së plehrave. Po ta hedhim në sondazh të gjithë, do të donin ta tenderonin vetë. Unë jo. E lashë ta bëjnë në Tiranë, në ministri.

Me këto fjalë mbyllet intervista e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit. Një zbërthim në pak fjalë i teknikës se si të ruash postin që të ka dhënë partia, një mënyrë që nuk e gjen as në librat për Sarkozinë apo për Rudi Xhulianin. Ato t’i mëson vetëm eksperienca, puna e gjatë dhe eksperienca thotë Sejdini, që betohet se do të jetë përherë borxhli Partisë Socialiste.

“Unë i jam borxhli Partisë Socialiste, pavarësisht nëse e kam justifikuar apo jo. I jam borxhli sepse PS më ka bërë prefekt, më ka kandiduar për deputet dhe për tre mandate më ka kandiduar dhe jam zgjedhur kryetar bashkie. Jam me vulën e asaj partie”



6 Comments

  1. Ti more xha-Qazo-nuk ke lexuar asgje pervec librit–Ali Baba me dyzet hajdutet-.Kete po e ke lexuar ,e ke studiuar dhe me se shumti e ke aplikuar ose me popullorce e ke zbattuar ne jete .

  2. Mjere ky vend ne dore te kujt ka rene! GJobevenes e injorant keto jane cilesite qe ka lala Qazo!
    Turp per popullin elbasanas qe ka kete kellire ne krye te puneve, si nuk mund te zgjidhet nje njeri normal?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *