• |
ide | kryesore

Zëri i Amerikës zbulon kush i gjeti shkeljet e gjyqtarit Admir Thanza

Lajme, Të fundit



Në Shqipëri të dhënat e grumbulluara nga Operacioni ndërkombëtar i Monitorimit, i cili mbikqyr dhe ndihmon procesin e rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve, zbuluan sot se gjyqtari i Gjykatës së Lartë Admir Thanza ka qenë dënuar në vitin 1999 për vjedhje në Itali ku dhe është dënuar. Gjatë seancës dëgjimore, gjykatësi tha se kishte marë përsipër krimin për të ndihmuar një të afërm të tij, por ai e ka mbajtur të fshehur këtë fakt. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka gjetur probleme në të tre shtyllat e rivlerësimit, ndërkohë që gjyqtari Thanza rezulton të jetë hetuar dhe për korrupsion, në një çështje të mbyllur më pas nga prokuroria.

Ndërsa nuk ka mbushur ende 50 vjec, gjyqtari Admir Thanza ka patur një karrierë për t’u patur zili, me një ngjitje të shpejtë në majat e sistemit, nga anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në anëtar të Gjykatës Kushtetuese në moshën 40 vjeçare dhe aktualisht në Gjykatën e Lartë. Por sot, në seancën dëgjimore të procesit të rivlerësimit, ai pa se gjithshka rrezikon t’i shembet para syve. Atij i janë komunikuar probleme me pasuritë e deklaruara: fshehje të të ardhurave apo deklarime të rreme. Probleme janë konstatuar dhe në vlerësimin profesional, për mënyrën e administrimit të dosjeve. Ndërsa goditja më e madhe ka ardhur lidhur me integritetin e figurës së tij.

Ekspertët ndërkombëtarë që asistojnë procesin kanë zbuluar një fakt që ai e ka mbajtur fshehur prej shumë vitesh e që nuk e ka deklaruar as gjatë procesit të rivlerësimit. Në qershor të vitit 1999, ndërsa ishte në funksionin e gjyqtarit, ai është dënuar nga Gjykata e Pizës në Itali me 40 ditë burgim dhe 100 mijë lireta gjobë për vjedhje në bashkëpunim me të tjerë, madje ka qenë vetë i pranishëm në sallën e gjyqit kur është dhënë vendimi.

Gjyqtari e ka pranuar këtë ngjarje, duke shpjeguar se ai nuk e kishte kryer vjedhjen porse kishte marrë përsipër aktin e bërë nga kunata e tij për të shpëtuar nipin që ndodhej i shtruar në spital nga një sëmundje e rëndë, dhe nëse do të dënohej e ëma atëherë ajo do të kthehej në Shqipëri dhe nipi s’do kish patur mundësi kurimi.

Po ashtu ndaj tij, u bë i ditur dhe një tjetër fakt i vetëm para dy viteve të cilin ai sërish nuk e kishte deklaruar në formularët e vettingut. Për gjyqtarin Thanza, ka patur dhe një procedim penal për korrupsion. Ndërsa policia vëzhgonte të afërmin e një të dyshuar për një vepër penale, ajo ka filmuar takimin me gjyqtarin Thanza. Dyshimet kanë qenë për një pagesë e bërë në favor të tij që ai të ndërhynte për të lehtësuar pozitën e të akuzuarit në gjykatën e Shkodrës. Por çështja është mbyllur në korrik të vitit 2016 nga prokurori Kosta Beluri.

Koincidencë ose jo, prokurori Beluri kishte radhën sot pas gjykatësit Thanza që të dilte para Komisionit të pavarur të Kualifikimit. Ndërsa pasuria e tij ka rezultuar pa probleme, pushimi i çështjes ndaj Thanzës ka qenë pika e errët në procesin ndaj tij. Rreth këtij momenti janë vërtitur edhe pyetjet e trupës gjykuese, ndërsa prokurori ka deklaruar se çështja i ka kaluar atij dy muaj nga momenti i filmimit, gjë që e pamundësonte vërtetimin e korrupsionit të dyshuar. Sipas tij policia do të duhet të kishte ndërhyrë për të bërë ndalimin në flagrancë. Ai deklaroi gjithashtu se pamjet që i ishin vënë në dispozicion nuk kishin qenë të qarta, ndryshe nga ato që zotëron vetë KPK për ngjarjen, duke këmbëngulur më pas, se ishte i bindur se kishte vepruar drejt.

Por nëse shpjegimet e tij kanë qenë bindëse ose jo për Komisionin, kjo mbetet për t’u mësuar pas dy ditësh, ndërkohë që për Thanzën, vendimi do të jepet pas një jave/ VOA



3 Comments

  1. Nuk e kam idenë se kush është ky zotëria Thanza, por më duket se për rastin për të cilin akuzohet, ai ka bërë një vepër humane si njeri, duke dëmtuar karierën e tij si gjyqtar. Ka marë përsipër fajin e “vjedhjes” së kunatës, për ti shpëtuar jetën nipit të vogël të sëmurë rëndë.
    Në kohën kur “kryetari i komisionit të reformës në drejtësi” e ministri i mbrendshëm shqiptar , Fatmir Xhafa, për 15 vjet rrjesht, jo vetëm e ka fshehur faktin se vëllai i tij ka qenë dënuar si trafikant ndërkombëtar i drogës në Itali, por edhe bën çmos për ta mbrojtur ate, duke ja justifikuar krimin se “gaboi se ishte i ri”, Vetingu nxjer fajtor një gjykatës të Gjykatës së lartë, që në fillimet e karierës së tij, për të shpëtuar jetën e një fëmije, ka marë përsipër një “vjedhje” të kunatës.
    Shkelje të rënda të gjykatësve duhen konsiderohen kur atyre ju zbulohet se duke marë para, kanë shpëtuar nga ndëshkimi kriminelë e trafikante droge e jo se një gjyqtar paska marë përsipër për të shpëtuar jetën e një fëmije të pafajshëm, e me ndërgjegje fajin e kanë marë vetë.
    Vëllai i Fatmir Xhafës me drogën që ka trafikuar, ka bërë krimin e madh për të shkatëruar jetën e mijra fëmijve, kurse kunata e Thanzës, si nënë, për të shpëtuar jetën e fëmisë së saj, paska “vjedhur” ca para e që dënimi maksimal për këtë “krim” , qenka 40 ditë burg.
    Prokurori që e “ka mbrojtur” Thanzën, ka bërë një vepër njerëzore për një vepër tjetër njerzore. pamvarësisht se mund të kenë bërë të dy një shkelje ligjore me motive humane.

  2. E ku bazohet dikush per te thene qe ka bere veper humane??E ku bazohet dikush qe takimi korruptiv me te pandehurin dhe prokurorin “jane gjera te paperfillshme”, apo moskompetenca totale , “nuk eshte gje”..Ky eshte njelloj si qelbesirat e tjera te gjykates…Hiqini gelbasat..se ka te tjere plot..Na ndyne cdo gje…

  3. E njoh mire familjen Thanza sepse kam nje kohe te gjate qe bashkejetoj me villain e Admirit. Jane nje familje e perkryer shkodrane dhe vete Admiri eshte nje djale artist si ne profesion, karakter dhe teper human. Jam e shokuar per cfar kam degjuar, se nuk kane asnje fare lidhje me Admirin, eshte thjeshte politike e qelbur qe perpiqet ti ule kohen njerezve te afte dhe ti zere ate karrike qe e ka zene me aftesi profesionale, me mastera dhe doctoratura ne vende te ndryshme te botes. Por sot ne jetojme ne korrupsion te plote, dhe ate karrike po e kerkon dikush tjeter jo se ka me shume aftesi profesionale por se eshte I lidhur direkt me krimin dhe kriminelet qe drejtojne vendin. Me vjen keq dhe per mediat qe kane te punesuar ato gazetare jo profesional qe I trajtojn ceshtjet si te duan ato, e ulin dhe e ngrene volumin e zerit sikur po flasin per nje kriminel te thekur. Turp tju vi qe e beni politiken si te doni ju por mos hartoni qe ka nje Zot lart qe e con ne vend cdo gje. Vetem ato qe e njohin Admirin nga afer ja dine vlerat. Per mua eshte dhe do te mbeten nje person I respektuar me vlera te vecanta humane dhe profesionale. Ashtu sic eshte zoteri nga pamja eshte dhe nga shpirti e karakteri. Ne jete mund te ndodhin dhe gjera jo te kendshme, por jo te merren si kapital per te ulur figuren dhe personalitetin e personit. Keni persona te tjere mjaftushem qe me kuptimin e plote te fjales jane te korruptuar por qe ju vazhdoni ti beni fresk. Kthehuni me kembe ne toke dhe jepeni drejtesine aty ku e ka vendin. Me rrespektin me te madh per Admirin dhe familjen e tij.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *