• |
ide | kryesore

Analiza e DW/ Samiti i Londrës, një takim grotesk

Lajme, Të fundit

I zhvilluar në mes të krizës qeveritare britanike, takimi i nivelit të lartë të Ballkanit Perëndimor në Londër dha pak impulse për procesin e bashkëpunimit rajonal dhe perspektivën për t’u pranuar në Bashkimin Evropian.

Takimi ishte grotesk. Në hapjen e samitit për Ballkanin Perëndimor në lindje të Londrës mungonte ai që priste miqtë. Boris Johnson nuk arriti të vinte. Ministri i Jashtëm britanik ishte disa kilometra më tutje i zënë me shkrimin e dorëheqjes së tij.

Dorëheqja e Johnsonit e vendosi në hije takimin aq të rëndësishëm për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe nxori në plan të parë Brexitin. Në vend të freskisë së pranimeve të reja në BE, takimi u sundua nga ajri i prishur i daljes nga BE. Si mund t’i prezantojë në mënyrë të besueshme një vend virtytet e Klubit evropian, prej të cilit ai vetë është duke u larguar?

Londra rrit ndihmat financiare

Britania e Madhe po largohet nga BE, por nuk do të shkëputet nga përgjegjësia që ka për Ballkanin, u mundua të thoshte kryeministrja britanike Theresa May. Ky pohim u shoqërua me premtime financiare: Mbas Brexitit Londra do të rrisë ndihmat financiare për vitet 2020 /2021 me 95% duke dhënë 80 milionë pfund“.

Me këto do të përkrahen projektet në rajon. Ka shumë punë për të bërë- administrata publike dhe drejtësia duhen reformuar, projektet ekonomike duhen vënë në vijë. Theresa May: “Në afat të gjatë mirëqenia është garancia më e mirë për sigurinë “. Me këtë fjali ajo kaloi në temën që i intereson më shumë.

Mbasi foli në takimet e mëparshme kryesisht për bashkëpunimin rajonal, këmbimin mes të rinjve dhe konektivitetin, Britania e Madhe e vendosi çështjen e sigurisë në qendër të bashkëpunimit: Në të ardhmen Bashkimi Evropian do të punojë ngushtë në këtë fushë me gjashtë vendet e perëndimit të Ballkanit. Synimi është pengimi i migracionit ilegal, radikalizimit dhe tregtisë së armëve.

Siguria – emëruesi i vetëm i përbashkët

Ison e mori kancelarja gjermane, Angela Merkel duke thënë se “Siguria e Ballkanit Perëndimor është në interes të Gjermanisë dhe BE-së”. Tema e sigurisë është me sa duket emëruesi i vetëm i përbashkët, për gjithë pjesëmarrësit në të ashtuquajturin Procesi i Berlinit. Ballkani perëndimor duhet të ndihmojë në sigurimin e kufijve të BE-së në kuadër të Frontex-it, po ashtu si në luftën kundër terrorizmit dhe kriminalitetit të organizuar me ndihmën e Europolit.

Në kohërat kur diskutimet në BE sundohen prej frikërave për migracionin dhe humbjen e kontrollit, afrimi i Ballkanit me BE mund të prezantohet tek populli votues, i lodhur prej zgjerimit, më së miri nëpërmjet kësaj teme.

Por jo vetëm brenda për brenda. Edhe tek vetë vendet që duan të pranohen, BE mbetet në akt balancimi. Shtetet e Ballkanit Perëndimor duhen mbajtur në vazhdë megjithëse është e qartë për të gjithë, se pranimi konkret në BE kërkon shumë sforcime. BE duhet ta forcojë ndikimin e vet në rajon me projekte të dukshme dhe konkrete. Sepse lojtarë të tjerë globalë ndodhen tek dera: Rusia, Kina, madje Turqia e kanë rritur prezencën e tyre në mënyrë të ndjeshme.

Prandaj kohët e fundit BE rriti presionin për zgjidhjen e konflikteve të vjetra: Marrëveshja midis Maqedonisë dhe Greqisë me të cilën u zgjidh grindja dhjetravjeçare për emrin, u arrit me ndërmjetësimin e BE dhe duhet të shërbejë si model për gjithë konfliktet bilaterale.

“Ne nxorëm mësime nga shembulli i Kroacisë. Në të ardhmen asnjë vend nuk do të hyjë në BE, pa zgjidhur më parë problemet bilaterale”, – tha Komisari për Zgjerimin Johannes Hahn, në një intervistë për DW. Që në mes të 2019 do të fillojnë bisedimet me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Serbia dhe Mali i Zi janë duke i bërë bisedimet me zell dhe janë vendet më premtuese për pranim në BE, me gjithë konfliktin e pazgjidhur me Kosovën.

Polonia vend mikpritës në 2019-n

Por lajmet e mira në procesin e pranimit shuhen rrugës për tek publiku i BE-së për shkak të frikërave për rreziqet e mundshme që vijnë nga vendet e Ballkanit. Një aspekt i rëndësishëm këtu është largimi i vazhdueshëm nga vendi, sidomos të rinjve. Perspektiva të këqija ekonomike, pak besim tek politika janë shkaqet më të rëndësishme pse rinia largohet nga vendi i vet. “Rinia nuk është e bindur ende se ka të ardhme në vendin e vet, prandaj ne duhet të bëjmë të pamundurën në mënyrë që ata që kanë ikur të kthehen atje dhe të gjejnë vendin e tyre, dhe të qëndrojnë aty, sepse kanë të ardhme”, – tha kancelarja Merkel në konferencën e shtypit të mbajtur në fundit të samitit.

Një postulat i bukur! Por çfarë u diskutua në këtë takim për këtë gjë dhe çfarë vendimesh u morën, mbetet ende të shihet. Sepse komunikimi me shtypin, që kishte ardhur në numër të konsiderueshëm nga vendet e Ballkanit Perëndimor, arriti nivelin më të ulët të mundshëm në samitin e Londrës: Në konferencën e shtypit me Merkelin May-in dhe kryeministri polak Morawiecki, i cili do e zhvillojë këtë takim vitin tjetër në vendin e vet, nuk u lejua të bëhej asnjë pyetje për Ballkanin Perëndimor. Dhe asnjë pyetje nga një gazetar prej Ballkanit Perëndimor. Komunikimi i barabartë sy më sy nuk duket kështu! “Turp”, – thanë edhe gazetarët britanikë. Ndërsa për Brexitin mund të bëheshin pyetje!
—————
Takimi në Londër u zhvillua në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili u nis më 2014 nga kancelarja Merkel dhe që prej atëherë mblidhet vit për vit në një vend të ndryshëm të BE. Synimi kryesor i tij është integrimi i mëtejshëm i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian./DW

1 Comment

  1. Grotesku ne samit ndodhi nga komiksibufon i sallave serioze, si gjithemone nga ky karagjoz e i ceket. Por si njeri i tjeter suar, i merr si mete vegjel e me te pa ditur rivalet e tjere te shteteve pjesemarres, se kujton se po mashtron e genjen nje europe me dhembet, e kepucet. Idene e ka marre nga fabula e kecave me ujkun, prandaj edhe ky i ngjyu kembet me miell se po ha(merr) ndonje llokem a merite nga europa. Ishalla ka bere ndonje vizite neuroze e narkotike qe te na e sjellin te sheruar nga fantazite e ketije hajni.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu