• |
ide | kryesore

Profil – Koha kur “I Arti” i Kroacisë, Dalic udhëhoqi Dinamon…

Sport



Ishte e shkruar kohë më parë, ndoshta që kur u pagëzua me emrin Zlatko, “i Arti”, se Dalic do shkëlqente në botën e futbollit… Kjo jo vetëm si paracaktim hyjnor, por edhe duke parë ecurinë e tij si trajner në 18 vite eksperiencë e ku, që në eksperiencën e parë që pati si asistenti i më të mirit: Miroslav Blazevic (foto poshtë), njeriut që e coi Kroacinë në gjysëmfinale të Kupës së Botës në 1998…

Jo rastësisht Dalic ishte aty dhe sot këtu… Intuita e fortë, aftësia e lartë menaxheriale, raporti korrekt e afektiv me lojtarët e bënë shumë shpejt një lider frymëzues më shumë se teknik. E ky ishte çelsi i suksesit të tij, në një rrugëtim gjithnjë në ngjitje që po shkon drejt kurorëzimit të një ëndërre të paimagjinuar 10 vjet më parë, në finalen e një Botërori.

I tillë ishte edhe kur takoi Dinamon, pikërisht 10 vjet më parë, ndonëse premisat ishin që Shqipërinë ta zbulonte edhe më parë dhe gjërat duhet ti kishin shkuar ndryshe. Shqipëria e asaj kohe ishte në zbulim të horizonteve të reja, të huajt erdhën për ti dhënë një tjetër dimension futbollit tonë, por jo rrallë herë u përballën me një bllokadë që vinte herë nga lojtarët e herë nga drejtuesit. Ky Dalic i adhuruar sot si heroi pa fjalë, që po bën mrekullinë me kombëtaren e tij, nuk është se gjeti terrenin ideal tek Dinamo ndaj dhe gjithcka duhet mbajtur mend nga Zlatko, i cili erdhi si i ri ambicioz, i gatshëm për çdo sfidë, duke fituar eksperiencë në pankinë, është ai trofeu i Superkupës.

Në korrik të vitit 2008 Daliç u prezantua te Dinamo e Tiranës. Nuk ishte një emër i famshëm, por intuita e Besnik Sulajt, që në takimin e parë me trajnerin në atë kohë të Varteks, ishte thirrje e qartë për bashkëpunim. Vetëm se nuk bëhej fjale për 2008. Prapaskena është se Sulaj donte ta merrte Dalic që në 2005, pas ndeshjes për Kupën Intertoto, por situata u bë e favorshme vetëm 3 vjet më pas dhe tek Dinamo kampione erdhi një teknik i ri, autoritar, që adhuronte disiplinën dhe që raportet njerëzore i vlerësonte më tepër se çdo gjë…

Kanë kaluar 10 vjet nga koha kur Zlatko shkeli ambjentet e klubit Dinamo, lojtarët me të cilët punoi kaluan, gjatë viteve, shumë trajnerë të tjera, koha që qendroi në krye të Dinamos nuk ishte e gjatë, vetëm 6 muaj, e megjithatë çuditërisht Dalic ka lënë gjurmë dhe të gjithë e kujtojnë me nostalgji…
“Në seancat e para stërvitore u kuptua menjëherë që ishte një trajner me kualitet, edhe pse i ri – tregon Julian Brahja, ish-mbrojtësi i Dinamos. “Vendi nga vinte fliste vetë për idetë që kishte ai në stërvitje. më ka bërë shumë përshtypje raporti që krijoi me ne futbollistët. Bashkë me Dalic u afruan edhe disa lojtarë si Petricevic, Jusufi, Halilovic e Nikolic, por edhe pse i solli vetë tek Dinamo nuk bënte kompromis dhe më kujtohet që edhe pse isha mbrojtës i djathtë me spostoi tre ndeshje në të majtë se nuk ishte i bindur nga Nikolic. Ndaj e kuptoj fare mirë zgjedhjen e tij për të çuar në shtëpi Kalinic në Botëror. Dalic që njohëm ne nuk bënte kompromise”.

Inovator, që në atë kohë, Dalic ishte i pari që futi sistemin e konferencës për shtyp para ndeshjes. Në atë kohë nuk ishte e vështirë të bëje gjetje, por ishte problem të kishe bashkëpunimin e të gjithëve. Kroati 41 vjecar me inteligjencën natyrale zgjodhi të bënte trajnerin dhe shokun për ta mbajtur skuadrën të bashkuar. “Më kujtohet kur erdhi për herë të parë, krejt i qeshur dhe i dashur me të gjithë – shpjegon Elvis Kotorri, portieri i Dinamos në kohën kur Dalic ishte trajner. “Kishte aftësinë të mbante pas vetes lojtarët më të rëndësishëm gjë që e shoh edhe sot tek Kroacia, ku Modric e të tjerët sakrifikohen për tu vënë në dispozicion të tij. Këtë bëri edhe tek Dinamo, por ishte kohë tjetër dhe realitet tjetër”.

“Një episod që sa herë e kujtoj më bën të qesh është kontrolli i imtësishëm që bënte për ushqimin sidomos lojtarëve që i konsideronte mbi peshë. Capja nuk i fshihte dot embëlsirat në rroba se Dalic i kontrollonte deri edhe xhepat”, tha Kotorri.
Me pak fjalë një profesionist i vërtetë edhe pse në hapat e parë të rrugës së tij drejt suksesit. Në Shqipëri megjithatë nuk mjafton vetëm kaq dhe gjërat për teknikun nuk shkuan mirë. Ndonjëherë është fati i keq, ndonjëherë vështirësitë krijohen nga hici e ndonjëherë të gjithë të vihen kundër. Pas 6 muajsh dhe dy humbjesh rradhazi në derbi, me krenarinë e një njeriu pasionant, Zlatko dha dorëheqjen.

“Në humbjen 4-2 me Tiranën mora karton të kuq dhe nuk luajta në ndeshjen me Partizanin, tregon me detaje Kotorri. E pashë nga tribuna atë sfidë dhe ndoshta ishte fati i keq i Dalic, por Dinamo atë ndeshje bëri një prej ndeshjeve të saj më të dobëta”.

Ndërsa Igli Allmuca, atëherë futbollist e sot trajner i Dinamos përmend një tjetër detaj: “Më erdhi keq atëherë kur Dalic u largua, e më vjen keq edhe sot që e kujtoj. Dalic ruajti në zemër raportet me skuadrën edhe pasi u largua. erdhi dhe na takoi gjatë fazës përgatitore, një vit më pas, kur ne drejtoheshim nga Blanko dhe na përqafoi të gjithëve, duke na uruar sukses”.

Tirana e pa teknikun të bënte një jetë të thjeshtë, sepse i tillë ishte kroati. Raportet me qytetin Dalic ndoshta nuk i ka ruajtur, por me njerëzit po. “Nëse veprimet e tua inspirojnë të tjerët të ëndërrojnë me shumë, të mësojnë më shumë, të bëjnë më shumë e të bëhen më të mëdhenj sec janë. Atëherë po, ti je një lider”, kjo filozofi udhëhoqi 41 vjecarin e atëhershëm në 10 vite suksese, ndoshta jo me emra të mëdhenj (Slaven Belupo në Kroaci, Al-Faisalin në Arabi Saudite e Al Ain në Emiratet e Bashkuara Arabe), por me sfida që e joshën të ecte përpara, me arritje që e bënë zhurmën edhe nga Lindja e Mesme, me dëshirën për të bërë atë që dashuron më shumë – liderin. Zlatko nuk hoqi dorë në asnjë moment nga ëndërra e tij e sot është në finalen e Botërorit. Ndoshta edhe vetë nuk do ta kishte menduar se një ditë do të barazonte mentorin e tij Blazevic, në çatinë e botës. Nuk ka më asnjë rëndësi nëse fiton apo jo, “I arti” shkëlqen, me apo pa trofe…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *