• |
ide | kryesore

Shikoni pistën 350 mijë euro të Loro Boriçit: IAAF i heq licensën, atletët rrezikojnë dëmtimet

Sport



Pistat e tartanit janë konsideruar shpëtimi për atletikën në vendin tonë, duke patur parasysh vështirësitë e kushteve ku stërviten sportistët tanë. Por nuk mjafton vetëm investimi, sepse për të patur sukses gjërat duhen bërë si duhet. Nuk është i vetmi, por është rasti i fundit ku një investim dhe ky aspak i vogël del jashtë standarteve në një hark kohor shumë të shkurtër. Kanë kaluar dicka më tepër se 6 muaj nga shtrimi i pistës së stadiumit Loro Borici në Shkodër me tartan, por tani ajo është krejt jashtë normave, duke u dëmtuar thuajse në gjithë gjatësinë e korsisë fundore, përballë pankinave. Pista e tartanit është ngritur sipër duke marrë ajër, për shkak të punimeve të kryera jo siç duhet. Sipas specialistëve, kur është vendosur shtresa e fundit e pistës së tartanit nuk është ngjitur sipas parametrave të duhur (është kryer në kushte të lagështirës së madhe), duke bërë që të nisin gradualisht problemet. Federata Ndërkombëtare e Atletikës (IAAF) ka marrë vendimin për ti hequr licensimin kësaj piste dhe të mos njohë asnjë rezultat të dalë aty, gjë që e vështirëson gjendjen, kur e njëjta problematike qëndron edhe në dy pistat e Korcës.

Presidenti i Federatës së Atletikës, Gjergj Ruli, është shprehur tepër i shqetësuar nga kjo situatë që penalizon në rradhë të parë atletët, që rrezikojnë dëmtimet gjatë garave, apo stërvitjes aty. “Nuk është normale që të përballemi me këtë situatë. Ajo pistë ka dalë jashtë standarteve dhe përfaqësuesi i Federatës Ndërkombëtare të Atletikës e ka vëzhguar nga afër Loro Boricin, që tashmë i është hequr licensa. Po kështu edhe në Korcë, vetëm Elbasani ka kushtet më të mira për atletët, por kaq nuk mjafton” ka deklaruar Ruli.

350 mijë euro ka qenë investimi në bashkëpunim mes FEderatës Shqiptare të Futbollit dhe Qeverisë për pistën e Loro Boricit që tashmë kërkon ndërhyrje emergjente. Mundësia e vetme është të bëhen prerje për riparimin e saj të pjesshëm aty ku është dëmtuar, ose shtresa e fundit të hiqet për t’u rivendsour edhe njëherë, sepse në të kundërt investimi në Loro Borici është i marrë fund.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *