• |
ide | kryesore

GRAFIKU/ Si ndryshoi pasuria e prokurores Rovena Gashi brenda një viti

Arkiva, Lajme, Të fundit



Rovena Gashi, prokurorja e pezulluar nga detyra për shkak se është nën hetim për fshehje pasurie do të përballet të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupi gjykues që do të shqyrtojë procesin e rivlerësimit për prokuroren Gashi drejtohet nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Lulzim Hamitaj.

Rovena Gashi e ka filluar karrierën në Prokurori në vitin 2004. Ajo ka punuar si prokurore në Tiranë nga viti 2004 deri në vitin 2013, kur u emërua në krye të Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme.

Gashi e mbajti këtë detyrë deri në fund të dhjetorit 2017, kur kryeprokurorja e re Arta Marku e uli në detyrë. Ndërsa në maj 2018, Prokuroria regjistroi procedimin penal ndaj saj dhe bashkëshortit Dritan Gina, të cilët po hetohen për pasurinë e tyre, ndërkohë që Marku i pezulloi të dy nga detyra.

Çifti i prokurorëve Gashi-Gina iu drejtuan Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për të kontestuar vendimin e pezullimit të tyre nga kryeprokurorja e përkohshme, Marku, por kjo kërkesë nuk u rrëzua nga Kolegji.

Gashi u bë pjesë e listës prioritare të vetingut përpara telasheve me pasurinë, për shkak të kandidimit të saj për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe për Gjykatën e Lartë.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurores Rovena

Gashi nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017.

Skeda e pasurisë së deklaruar të prokurores së pezulluar, Rovena Gashi për vitet 2004-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurorja Rovena Gashi nuk kishte asnjë pasuri në vitin 2004-kur dorëzoi deklaratën e parë në ILDKPKI. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e saj kap vlerën e 17.3 milionë lekëve.

Sipas analizës së deklaratave periodike të pasurisë, zonja Gashi zotëron familjarisht 1 apartament në Shkëmbin e Kavajës si dhe një apartament të dytë në Tiranë, dhuruar nga babai i saj. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare përbëhet gjithashtu nga 2.1 milionë lekë likujditete në bankë, 1.9 milionë lekë kursime në cash dhe automjete në vlerën e 2 milionë lekëve.

Të ardhurat familjare të çiftit Gashi-Gina për periudhën 2004-2017 kapin vlerën e 36 milionë lekëve. Përveç pagave të dy bashkëshortëve prokurorë, 13.5 për qind e të ardhurave e kanë burimin nga dhuratat e familjarëve.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik mbi 14 vite të deklaruara të zonjës Gashi dhe asnjëra prej tyre nuk rezulton me diferenca të pambuluara.

Megjithatë, BIRN identifikoi disa “flamuj të kuq” në këtë analizë, të cilat lidhen me dhuratat nga familjarët si dhe mospërputhjet e deklarimeve për kursimet cash.

Më konkretisht, në vitin 2005 Gashi ka deklaruar shitjen e një automjeti, i cili nuk rezulton në deklaratën e pasurisë për vitin 2004.

Ndërsa në vitin 2011, çifti i bashkëshortëve ka blerë një apartament me sipërfaqe 105 metra katrorë në Shkëmbin e Kavajës, me burim një kredi bankare dhe një shumë të konsiderueshme parash dhuratë. Në deklaratat e pasurisë së zonjës Gashi nuk rezulton çmimi total i këtij apartamenti, por referuar deklaratës së bashkëshortit të saj ai ka kushtuar 80 mijë euro; nga të cilat 45 mijë euro janë marrë kredi dhe 35 mijë euro janë deklaruar si dhuratë. Në vitin 2013, Gashi ka marrë gjithashtu dhuratë nga babai i saj një apartament me sipërfaqe 137.5 metra katrorë në Tiranë.

Një tjetër “flamur i kuq” i evidentuar janë mospërputhjet me deklarimet e kursimeve cash ndër vite. P.sh., në fund të vitit 2015, Gashi deklaronte se zotëronte cash shumën 800 mijë lekë, ndërsa referuar deklaratave periodike shuma akumulative e kursimeve deri në atë kohë rezulton 3.8 milionë lekë. Ndërsa një vit më vonë, në 2016, Gashi deklaron se ka depozituar në një llogari bankare 10 mijë euro me burim kursimet ndër vite.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

 



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *