• |
ide | kryesore

Gjyqtari Astrit Faqolli para vetingut, si kanë ndryshuar të ardhurat e tij në 14 vite

Lajme, Të fundit

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Astrit Faqolli do të përballet të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupi gjykues që do të kryejë rivlerësimin e tij përbëhet nga Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Genta Tafa Bungo.

Faqolli bërë pjesë e listës prioritare të vetingut për shkak të kandidimit në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Ai e ka nisur karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si inspektor në Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku ka punuar gjatë viteve 2003-2010. Në vitin 2010, Faqolli u emërua gjyqtar në Gjykatën e Durrësit dhe prej vitit 2013 e ushtron detyrën në Gjykatën e Tiranës. Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Astrit Faqolli nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Astrit Faqolli zotëronte një pasuri prej 2.5 milionë lekësh në vitin 2003-kur deklaroi pasurinë për herë të parë. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e zotit Faqolli është rritur mbi 3 herë, duke kapur vlerën e 9.3 milionë lekëve. Pasuritë e paluajtshme zënë pjesën kryesore me një vlerë prej rreth 8.3 milionë lekësh. Sipas deklaratave periodike të dorëzuara në ILDKPKI, ai zotëron një apartament në Tiranë dhe një objekt me funksion lokal dhe banesë në Librazhd. Në fund të vitit 2017, ai zotëron gjithashtu likujditete në bankë në vlerën e 322 mijë lekëve dhe automjet në vlerën e rreth 700 mijë lekëve. Të ardhurat familjare të gjyqtarit Astrit Faqolli për periudhën 2003-2017 kapin vlerën e 29.8 milionë lekëve. 66 për qind e të ardhurave kanë si burim pagën e tij, 28 për qind pagën e bashkëshortes dhe 5 për qind të ardhurat nga qeraja.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit dhe asnjëra prej deklaratave nuk rezulton me probleme.

BIRN ka evidentuar si “flamur të kuq” faktin që gjyqtari Astrit Faqolli ka marrë hua te të afërmit në shumat 10 mijë euro në vitin 2006 dhe 1 milion lekë në vitin 2011. Të dyja huatë janë shlyer plotësisht deri në fund të vitit 2017. Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik./BIRN

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu