• |
ide | kryesore

Fundi tragjik i binjakeve që ngritën në këmbë Greqinë

Lajme, Të fundit



Historia e dy vajzave binjake që konsideroheshin të humbura pas zjarreve vrastare në periferinë e Athinës këtë javë përfundoi në mënyrën më tragjike: ato u gjetën të vdekura, në përqafimin e gjyshërve të tyre.

Binjaket 9-vjeçare mallëngjyen gjithë botën pas publikimit të historisë së tyre nga gazeta “Times” e Londrës, kur prindërit të dëshpëruar i kërkonin ngado dhe nuk i gjenin.

Por si u gjetën trupat e dy binjakeve që tërhoqën vëmendjen e gjithë botës?

E përditshmja Protothema shkruan se shpresat për gjetjen e tyre gjallë u shuan kur Giorgos Tsoukalis, një hetues privat i punësuar nga prindërit e binjakeve zbuloi se trupat e tyre ishin identifikuar në spital.

Sipas Tsoukalis, motrat binjake humbën jetën në krahët e gjyshërve të tyre në Mati.

Lajmi për zhdukjen e vajzave tërhoqi vëmendjen edhe të së përditshmes britanike The Times of London, që e mbuloi të gjithë sagën për kërkimin e vajzave.

Trilleri për fatin e tyre u intensifikua edhe më shumë kur babai i tyre mendoi se i kishte parë vajzat duke zbritur nga një varkë shpëtimi në Mati dhe kjo bëri që të shtohej edhe frika se mund të ishin rrëmbyer.

Lajmi tragjik u konfirmua edhe nga një mik i familjes i cili në faqen e tij në Facebook shkruajti: “Epilogu u shkrua. Të katërt u gjetën të përqafuar. As vdekja nuk mundi t’i ndante”./tvklan.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *