• |
ide | kryesore

Përcillet sot për në banesën e fundit Adem Demaçi

Lajme, Të fundit



Do të përcillet sot për në banesën e fundit aktivisti dhe patrioti Adem Demaçi, i cili ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare në Kosovë. Familjarët, të afërmit, miqtë, mbështetës dhe dashamirësit e tij do t’i japin lamtumirën e fundit Demaçit, në shenjë nderimi dhe respekti.

Adem Demaçi, fitues i Çmimit Saharov për Paqe, ishte liruar nga burgu më 21 prill të vitit 1990, në kohën kur pushteti i Sllobodan Milloshevicit po instalohej në gjithë ish-Jugosllavinë.
Por kush ishte simboli i rezistencës kombëtare? Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë.

Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë. Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Demaçi konsiderohet si ‘Nelson Mandela’ i Evropës.

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995.
Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së.
Ai ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).

Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse me punën e tij dhe me veprën e tij, u bë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombin shqiptar për mbi pesë dekada. Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare. Ai ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjeta.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *