• |
ide | kryesore

Ndarje e Kosovës? Ditmir Bushati: Kujdes! Mos hapim Kutinë e Pandorës për raste të tjera në rajon!

Lajme, Të fundit



Gjatë një vizite në Uashington, Ministri jonë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati mori pjesë në Ministerialin e parë të Departamentit amerikan të Shtetit për “Lirinë Fetare”. Gjatë qëndrimit në SHBA, Bushati dha një intervistë për Zëvendëspresidentin Ekzekutiv të Këshillit Atlantik, Damon Wilson, i cili pati një pyetje direkte për Ministrin tonë të Jashtëm për shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës.

 

Wilson: Cili ka qenë reagimi juaj ndaj mundësisë për shkëmbime territoriale midis dy shteteve?

Bushati: Mendoj se kjo do të shkonte kundër frymës së të gjitha përpjekjeve të bëra në Ballkan gjatë tre dekadave të fundit. Do të shkonte kundër frymës së Aktit Final të Helsinkit dhe dokumenteve të tjera ndërkombëtare me vlerë ligjore. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos hapim kutinë e Pandorës për raste të tjera në rajon. Shtetet e Bashkuara, BE dhe NATO kanë investuar shumë në promovimin e multietnicitetit të Ballkanit, për të siguruar që shoqëritë të mbeten të hapura. Unë e di shumë mirë se është një sfidë e vështirë për të ndërtuar shoqëri dhe institucione që i shërbejnë këtij qëllimi, por ne duhet të vazhdojmë në këtë rrugë.

Gjithashtu në intervistë Bushati flet për “lëshime të dhimbshme” për hir të integrimit në Bashkimin Europian: “Ka ardhur koha për Serbinë dhe Kosovën që të bëjnë lëshime më të dhimbshme dhe me shpresë të arrijnë një marrëveshje reciprokisht të dobishme, e cila gjithashtu mund të jetë ligjërisht e detyrueshme. Është shumë e qartë se për Serbinë nuk ka pranim në BE pa njohjen e Kosovës. Për Kosovën, nuk ka rrugë drejt BE-së apo NATO-s pa adresuar çështjet që kanë të bëjnë me Serbinë apo pakicën serbe në Kosovë” 

Gjatë intervistës, Bushati flet edhe për Bosnjën, duke vënë në dukje se platforma që u aplikua atje pas marrëveshjes së Dejtonit nuk po funksionon.

“Ne themi se Marrëveshja e Dayton-it shpëtoi Bosnjën, por tani duket se nuk ofron një platformë të vërtetë për t’i lejuar Bosnjës të bëjë disa hapa të domosdoshëm për të arritur anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian” tha Ministri jonë i Jashtëm.

.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *