• |
ide | kryesore

Korrigjim kufijsh Kosovë-Serbi/ A duhet hapur Kutia e Pandorës?

Kryesore

Deklarata e Hashim Thaçit për “korrigjim kufijsh” mes Kosovës dhe Serbisë ka nxitur hamendësimet se çfarë për përmban “kompromisi i dhimbshëm”, përmes të cilit do të shkohet në një marrëveshje përfundimtare mes dy shteteve.


Për Associated Press, Thaçi joshi me idenë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, kur tha: Nuk do të ketë ndarje, por korrigjim të kufijve që nënkupton respektimin e kërkesës tashmë të institucionalizuar të Luginës së Preshevës me Kosovën”


Por a është marrëveshja vetëm kaq?

Kuptohet që jo, sepse vetë presidenti Thaçi e konsideron atë një marrëveshje “të balancuar” dhe një situatë “win win” për të dy vendet.

Anën tjetër të medaljes e vuri në dukje Zëri i Amerikës, që hedh idenë se në këmbim të Luginës së Preshevës, Serbia kërkon Veriun e Kosovës.

“Zyrtarë të lartë serbë kane hedhur idenë e ndarjes tokësore të Kosovës, që nënkupton shkëputjen e veriut të banuar me shumicë serbe, por edhe atë të shkëmbimit të mundshëm të territoreve, veriun e Kosovës për Luginën e Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Presidenti Thaçi tha se “nuk do të ketë ndarje, por korrigjim të kufijve”, por pa e saktësuar nëse kjo nënkupton edhe ndryshimin e kufijve ne veriun e Kosovës” vuri në dukje Zëri i Amerikës.

Në një analizë të Agustin Palokajt për këtë çështje, jemi pranë krijimit të një “Republika Srpska” në Kosovë.

“Është pranuar logjika e Serbisë se “Kosova ka fituar gjithçka e serbët asgjë”, sikur kjo të kishte qenë një garë. E tash jo për ta bërë Beogradin fitues, por për ta bërë edhe Kosovën “humbëse” duhet dhënë diçka më shumë.

Ajo “më shumë” duket se do të jetë krijimi i një “Republika Srpska” në Kosovë, apo formalizim i ndarjes së Kosovës, qoftë në mënyrë territoriale apo edhe institucionale. Kjo mund të shitet në fillim si kompromis e pastaj gradualisht do të kërkohej diçka më shumë, sepse në praktikë nuk do të jetë funksionale, siç nuk është sot funksionale Bosnjë-Hercegovina sipas Marrëveshjes së Daytonit dhe serbët gjithnjë e më shumë kërkojnë ndarje nga ky shtet” shkruan Palokaj.

Fitorja në këtë rast, ngjan me atë të Pirros, thotë Palokaj.

“Fitorja e dhimbshme ekziston si fenomen dhe ajo quhet “Fitore e Pirros” sipas mbretit epirot, fitoret e të cilit kundër romakëve çonin në vetëshkatërrim “dhe ca fitore të tilla dhe do të zhdukemi”, është thënia me të cilën më së shpeshti ilustrohet fitorja e Pirros”.

Enver Robelli nuk sheh dallim mes “ndarjes së Kosovës” dhe “korrigjimit të kufijve” në analizën e tij.

“Presidenti paskësh theksuar se: «Pretendimi i Serbisë për ndarje të Kosovës gjithmonë do të jetë i papranueshëm, por në kuadër të korrigjimit të kufijve duhet të shtrohet, në procesin e dialogut, tanimë kërkesa dhe e drejta e Luginës së Preshevës për t’iu bashkuar Kosovës».

Ky është tani eufemizmi i ri për ndarjen e Kosovës: korrigjimi i kufijve”

Rrezikun për një efekt domino nga shkëmbimi i territoreve në Ballkan, Robelli e sheh në aspiratat e serbëve të Bosnjës për t’u ndarë, tek shqiptarët e Maqedonisë, e pse jo, edhe tek ata që jetojnë në Malin e Zi.

“Serbët e Kosovës janë vetëm një monedhë për kusuritje. Ata do të flijohen të parët nga Vuçiqi, sepse pas precedentit të ndarjes së Kosovës i vjen radha Bosnjës. Nëse ndahet Bosnja përse të jetojnë gjysmë milioni shqiptarë në Maqedoni? Përse të jetë Ulqini pjesë e Malit të Zi? Beogradi gjatë është përpjekur ta fusë në lojën e ndryshimit të kufijve Edi Ramën. E pritën në Serbi me nderime, duke ia bërë me dije se serbët nuk kanë problem me burra modernë si Edi Rama, por me krerët e fiseve shqiptar të Kosovës. Kur kancelaria gjermane Angela Merkel ia tërhoqi vërejtjen Tiranës se po bënte lojën e djallit, Rama u tërhoq. Tani këtë rol e ka marrë Thaçi” shkruan Robelli.

Akoma më tej ka shkuar prestigjiozja e The Economist në një analizë që i ka bërë mundësisë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë pak muaj më parë.

“Brenda vetë Serbisë nacionalistët boshnjakë në krahinën e Sanxhakut do të kërkonin bashkimin me Bosnjen, ndërsa shqiptarët në Perëndim të Maqedonisë dhe në Mal të Zi do të kërkonin bashkimin me Shqipërinë”, thuhej në shkrim.

Aq larg mund të shkojë kjo, hamendësoi “The Economist”, sa një konflikt i ngjashëm mund të përfshinte edhe dy vende anëtare të BE-së.

“Nacionalistët hungarezë nuk e kanë harruar ende humbjen e Transilvanisë në Rumani, ndërsa vetë nacionalistët rumunë do të kërkonin rivijëzim të kufijve për të përfshirë në Rumaninë e madhe edhe Moldavinë. Ky është Ballkani dhe “ballkanizimi! Në ditët e sotme, politika e duhur duhet të jetë zhdukja e kufijve, sesa rishikimi i tyre”./ Lapsi.al

2 Comments

  1. Pra me pak fjale pazar me territoret shqiptare! Bravo Serbise, nuk leshon kollaj! Keta tanet historikisht, vetem breket dine te ulin! Kam frike se do ndodhe. Prandaj kemi mbetur sa nje glase-pule ne Ballkan!

  2. Nuk e di se sa fuqi ka Presidenti Thaqi në Republikën Parlamentare të Kosovës. Por në qoftë se pas ndërrimit të teritoreve, Serbia, Rusia, Kina pranojnë shtetin e Kosovës si antare të OKB, atëher pse jo. Teritoret pas urës Ibrit do bëhen Kosovare, kur Krimeja të bëhet Ukrainase. Mos bëhemi si “Tregtari i Venedikut” që në fund mbeti me gisht në gojë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu