• |
ide | kryesore

Vetingu mbyll njërin sy/ Kalon gjykatësin që u gjet me lidhje kriminale 

Kryesore, Lajme



Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Apelit, Artur Malaj u kualifikua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me vendim unanim.

Vendimi ishte surprizë jo vetëm për atë që u raportua në seancën dëgjimore, por duke qenë se filtrat e vetingut kishin vendosur një standard të rreptë, duke skualifikuar gjykatës apo prokurorë për shumë më pak.

Vëzhguesja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit kishte ngritur një sërë pikëpyetjesh për Malajn, por duket se trupa e KPK nuk ndau të njëjtën përshtypje.

Duke qenë se vendimi për këtë gjykatës përbën një përjashtim në atë që është parë deri tani, Lapsi.al sjell një përmbledhje të disa prej fakteve kryesore që u gjetën për gjykatësin, që nga raportimet për lidhje me krimin apo dyshimet mbi pasurinë e tij.

1. Raportimi i DSIK për lidhje me krimin

Relatorja e çështjes, Pamela Qirko, deklaroi në seancë se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, kishte përgatitur një raport negativ për Malajn. DSIK ngre dyshime të shumta se Malaj është i përfshirë në korrupsion pasiv dhe ka lidhje me elementë kriminalë. Ishte Komisioni i Pavarur i Kualifikimit që rrëzoi raportin e DSIK.

Sipas Komisionit, raporti nuk ishte i mbështetur në prova. Automatikisht, Artur Malaj u zhvesh nga dyshimet për lidhje me krimin dhe korrupsionin pasiv.

2. Pronar i një vile trekatëshe?

Sipas relatores së çështjes, Pamela Qirko, adresa zyrtare e gjyqtarit Artur Malaj rezulton në një vilë trekatëshe pranë shkollës “Halim Xhelo” në Vlorë.

Sipas shumë indicieve, kjo vilë i përkiste gjyqtarit. Artur Malaj e kishte shënuar këtë shtëpi si adresën e vet zyrtare në deklaratat e pasurisë për shumë vite, si dhe kishte raporte të shumta qytetarësh për banimin e tij në atë vilë.

Komisioni theksoi se edhe Hipoteka e Vlorës kishte bërë rezistencë ndaj kërkesave të përsëritura të Komisionit për të dhënë informacion për këtë pronë.

Madje, edhe një nga bashkëpronaret e intervistuara kishte dhënë deklarata kontradiktore, duke lënë të kuptohej se nuk banonte tek vila trekatëshe.

Ekspertja e huaj e pranishme në seancë, kërkoi shpjegim nga Malaj se pse, përveç adresës ku figuronte se ai kishte jetuar te vila për vite me radhë, në këtë vilë ai kishte shënuar një numër telefoni fiks?

Malaj këmbëngulte. Vila nuk ishte në pronësi të tij. Ai nuk kishte banuar kurrë në të.

Zyrtarisht kjo vilë është e regjistruar nën emrat e pasardhësve të një avokati deri në ndarjen e tij nga jeta në 2007-n. Ky avokat kishte inicialet A.S.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti një sërë pikëpyetjesh për përfitimin e kësaj vile përmes një vendimi gjykate nga shtetasi A.S.

Gjykatësi deklaroi se si kryetar i Gjykatës së Vlorës, nuk kishte pasur rol në vendimin gjyqësor që i dha këtë pronë avokatit A.S. të ndarë nga jeta. Ky vendim kishte pikëpyetje mbi ligjshmërinë. Por, gjykatësi argumentoi se avokati i ndjerë kishte mjaftueshëm burime ekonomike për të pasur një pronë të tillë falë viteve të tij të gjata në karrierë.

Artur Malaj ishte përgatitur për çdo pyetje.

Ai fillimisht deklaroi se kurrë nuk kishte banuar tek ajo vilë. Sipas Malajt, gjendja civile familjare e tij gjendej në adresën e vilës në mënyrë rastësore. Ai deklaroi se aty kishin banuar vëllai dhe nëna e tij për një periudhë kohe me qira.

Artur Malaj zbuloi se në periudhën në fjalë kishte banuar me bashkëshorten me tezen e tij të paralizuar. Ndërsa prej vitit 2008 e deri në 2011-n kishte jetuar në shtëpinë e vëllait të tij.

3. Çmimi i dyshimtë i shtëpisë në Tiranë 

Artur Malaj rezulton se është pronar i një apartamenti me sipërfaqe 106 metra katrorë me vlerë 55 mijë euro, për të cilin gjyqtari kishte paguar 5 milionë lekë nga një kredi bankare.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shprehu dyshime se është deklaruar një vlerë fiktive për këtë apartament, në masën e 5 milionë lekëve. Për më tepër, ky apartament shoqërohet edhe me një parking të cilin gjyqtari ka deklaruar se e ka blerë për 500 mijë lekë. Në këtë zonë të kryeqytetit, në rrugën “Irfan Tomini”, çmimi i një apartamenti nuk është 300 euro, sikurse i rezulton Malajt.

Por, gjyqtari deklaroi para Komisionit se ai e kishte blerë apartamentin të papërfunduar. Artur Malaj tregoi edhe një kontratë blerjeje nga komshiu i tij me një çmim të përafërt.

Këto tre pikëpyetje, por jo vetëm, ngrenë hije dyshimi mbi mënyrën si këmbana e vetingut ra për Artur Malajn, të konfirmuar tashmë në detyrë si gjykatës së Gjykatës Administrative të Apelit.

©LAPSI.AL 



5 Comments

  1. Akoma po habiteni me rezultatet e vetingut? Listat jane bere gati qe pa filluar procesi, tani thjesht konferencieret qe kane zgjedhur po lexojne vendimet e shefave te tyre, Rama, Xhafaj dhe Agaci…..

  2. Ka ardhë koha për të ba nji “veting” n 2 i cili do të kontrollojë këta të cilët po bajnë vetingun n 1 lol.

  3. Arturi ka marre para edhe nga Muhammad Obaidul Karim nje bangladeshes qe eshte marre me pastrim parash dhe mik i Ilir Metes por qe gezon nenshtetesine shqiptare por edhe 1140 ha toke bujqesore ne Fier.E mban ate toke si dhurate te Metes.Mos harrojme se kte padtrues te parave edhe te organizatave terroriste Ilir Metes ia prezantoi Menduh Thaci. Arturi i ka dhene te drejte ketij Muhhamad Karimit ne nje gjyq edhe pse i kishte infot per te..Ceshtja eshte ne Gjykaten e Laete.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *