• |
ide | kryesore

Tre herë jo aventurave të Thaçit

Blog



Nga Arbër Zaimi

Dikush argumenton: meqenëse kufiri mes Kosovës e Serbisë është rezultat i disa padrejtësive historike dhe i disa planeve shoviniste, atëherë pse të mos përkrahet iniciativa e H. Thaçit për t’i ndryshuar kufijtë, apo siç e quan ai, për t’i “korrigjuar kufijtë”?

Arsyet pse duhet të kundërshtohet kjo nismë janë këto:

1. H. Thaçi është dëshmuar si humbës në tryeza negociatash dhe përgjithësisht në diplomaci. Ai ka mbërritur që t’i kthejë pikat e forta në pika të dobëta (psh. çarmatosja e UÇK-së, pranimi dhe stabilizimi i moskontrollit të veriut, apo mënyra se si prej vendimit të GjND-së e nxori fusnotën). Pse është Thaçi dështak i diplomacisë nuk shpjegohet prej injorancës së tij, në fakt ai paguan tufa këshilltarësh e ekspertësh me diploma të shquara. Por ambalazhi, sado i bukur, nuk mund ta shesë mallin e keq. Problemi është se ambicia e pafre për pushtet dhe korruptimi e krime të tjera të lidhura me të, e bëjnë Thaçin në fund të shantazhueshëm. Shantazhit ai shpesh i përgjigjet me lëshime në shpinë të Kosovës, me kusht që të marrë “garanci” për pushtetin e vet. Kur këto garanci mungojnë, i shantazhuari bëhet shantazhues dhe lëshohet në aventura, të cilat përpiqet t’i shesë si patriotizma.

Shkurt, Thaçi është i paaftë si negociator për arsye kontingjente dhe pa kredibilitet për arsye personale.

2. Thaçi po paraqitet se po e arrin marrëveshjen me Vuçiqin në mënyrë gati bilaterale, por Kosova (edhe për faj të Thaçit) nuk ka mbërritur të ndërtojë kapacitete institucionale, ushtarake apo ekonomike që të sigurojë ushtrimin e pushteteve në territorin e vet. Kjo gjë e bën peshën e Kosovës në marrëdhënie bilaterale, thuajse të pakonsiderueshme. Parë në këtë këndvështrim, edhe nëse marrëdhëniet konsiderohen si multilaterale, gjithnjë peshorja rëndon në anën e kundërt të Kosovës. Skandalet e mëdha të korrupsionit, lidhja e fortë e klasës politike me krimin, shkatërrimi e vjedhja e shërbimeve publike, përdorimi i luftës dhe i narrativave historike për të justifikuar kapjen e pushtetit, të gjitha këto e sjellin Kosovën në një moment të pavolitshëm, edhe pse me idiotësi e me hajni, janë shpenzuar miliona në reklama për “imazh ndërkombëtar” të Kosovës.

Shkurt, Kosova duhet këndellur, duhet të rrisë peshën e saj specifike, para se të hyjë në procese të tilla.

3. Marrëveshja mes Vuçiqit e Thaçit, në kushtet ku pesha specifike e Kosovës është shumë e vogël, do të kërkonte ndërhyrje nga palë të treta për të garantuar që rezultati i saj do të ishte “korrigjim i padrejtësive” e jo thellim i tyre. Por palët e treta që tradicionalisht kanë shërbyer si mbështetje për shqiptarët, janë në mes të një paqartësie. Rritja e peshës ekonomike të Kinës mund ta shtyjë ShBA-në në marrëdhënie më të mira me Rusinë, për ta shkëputur atë prej Kinës. Bashkimi Evropian është i kapluar prej krizës nga e cila më shumë po përfitojnë të djathtët ksenofobë dhe eurofobë, të cilët kanë (së paku) simpati për regjimin rus. Vëmendja e mbështetja për shqiptarët e për Kosovën nuk është prioritare në agjenda. Dikur, kur kjo vëmendje e kjo mbështetje ishte maksimale, udhëheqësit si Hashim Thaçi etj. e keqpërdorën për të legjitimuar ambiciet e veta për pasuri e pushtet, por jo për të realizuar ndonjë agjendë kombëtare.

Shkurt, në kushte të tilla ndërkombëtare, hapja e çështjes së kufijve më shumë ngjan si kapitullim, si dorëzim ndaj presioneve e ndaj kërcënimeve, se sa ndonjë marrëveshje nga e cila fiton Kosova, apo fitojnë të dyja palët.

Kapitullimi i Thaçit (që ai përpiqet ta bëjë kapitullim të Kosovës), mund të shfaqet në dy forma. Si dorëzim direkt i territorit në veri, ku gjenden burime të rëndësishme madje jetike për Kosovën; por edhe si pranim i “Zajednicës” përmes një operacioni të frikësimit të opinionit publik prej Thaçit dhe Vuçiqit. Kjo e dyta do ta çonte Kosovën drejt rrugës së Bosnjës, në një shtet jo-funksional me të ardhme gjithnjë të kërcënuar e të pasigurt. Përveç kësaj, të dyja format e kapitullimit nënkuptojnë tension dhe pasiguri të mëdha për fshatrat shqiptare në komunat veriore të Kosovës, e po ashtu edhe për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *