• |
ide | kryesore

Vila-mania/ Si po rritet me shpejtësi ndërtimi i tyre, ekspertët: Ka një mbiofertë në bregdet

Lajme, Të fundit



Në periferinë e kryeqytetit dhe në bregdet ka nisur mania e ndërtimit të vilave. Ekspertët e pasurive të paluajtshme, por edhe të turizmit, flasin për mbiofertë të tyre në bregdet dhe të papërshtatshme për llojin e turistit që synojmë, që nuk i sjellin vlerë të shtuar ekonomisë. Si po ndryshon tregu i vilave, çfarë kërkohet dhe kush po blen? Pse po ndërtohet kaq shumë kur çmimin e tyre mund ta përballojnë vetëm 5% e shqiptarëve? Paralajmërimi i ekspertëve: Në bregdet, oferta po e tejkalon ndjeshëm kërkesën…

Nga Ledina Loga

Për një kohë të gjatë, vilat kanë qenë një produkt pa shumë interes për shqiptarët, kryesisht të ndërtuara në zonat rurale të vendit. Mirëpo vitet e fundit, vilat po parapëlqehen, kryesisht nga individët me të ardhura mbi mesatare. Në periferi të Tiranës dhe në fshatrat përreth, kompanitë e ndërtimit kanë ardhur me projekte ambicioze, vila pompoze, me sipërfaqe të mëdha, si të brendshme dhe të jashtme, kryesisht të ndërtuara në komplekse rezidenciale dhe në zona me infrastrukturë të ngritur.

Aktorët kryesorë të tregut, përfaqësues të kompanive, por edhe agjencitë kryesore të pasurive të paluajtshme në vend pohojnë trendin në rritje për vilat. Disa prej tyre thonë se pikërisht kërkesa ka kanalizuar ndërtimin në këtë segment të pasurive të paluajtshme. Ata e cilësojnë tregun dinamik dhe në rritje të vazhdueshme dhe thonë se individët kërkojnë komoditet dhe hapësirë, por edhe cilësi në ndërtim. Ndër zonat kryesore ku po ndërtohet me ritëm të shpejtë është zona e Farkës dhe e Lundrës. Blerja e një vile në Tiranë shpesh e tejkalon shumën prej 1 milion euro.

Por nuk po mungojnë as projektet në bregdet. Nga ato më të thjeshtat ku ndërthuren apartamentet, me duplekset dhe vilat, ku rrallëherë janë të shoqëruara me plan për ngritjen e një resorti, nuk mungojnë as projektet vetëm me vila luksi. Çmimet e vilave variojnë nga 1000-1600 euro/m² (çmim shitje) dhe nga 2,000-6,000 euro/muaj për qira në varësi të madhësisë dhe kompleksit në të cilën ndodhet edhe prona.

Për vilat brenda Tiranës, burime nga agjencitë e pasurive të paluajtshme thonë se çmimet e vilave brenda Tiranës diktohen nga disa faktorë. Ato variojnë nga 700 euro për metër katror në zona disi më larg qendrës, deri në 3200 euro për metër katror për vilat në Rrugën e Kavajës pranë Bllokut të Ambasadave. Brenda Tiranës, zona ku mund të ketë blloqe vilash janë: në ish-Klubin Dinamo; blloku i vilave në Selitë; Rruga e Elbasanit; pranë Ambasadës Amerikane; vilat gjermane, në Rrugën e Kavajës, rrugën “Ali Demi”.

Në periferi, zonat më të zhvilluara janë TEG, Farka, Lundra, fshatrat pranë Dajtit si Linza apo Surreli, fshatrat si Mulleti, Bërzhita etj.
Çmimet në këto zona variojnë nga 600 euro për metër katror në Mullet, deri në 1800 euro për metër në katror në zonën e Farkës.
Në bregdet, çmime më të ulëta për vilat janë në zonën e Golemit, ku mesatarja, bazuar në të dhënat e agjencive të pasurive të paluajtshme është 700 euro, në Gjirin e Lalëizit çmimet variojnë nga 1500-2000 euro, ndërsa në projektet e Rivierës, çmimet janë edhe më të larta.

Të gjithë duan të shesin vilat në Golem për të ikur te Gjiri i Lalëzit

Arben Dervishi, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve, thotë se aktualisht, zonat ku infrastruktura është e mirë dhe e zhvilluar sipas planit urbanistik, pra nëse janë zona për vila, nuk e kanë humbur destinacionin e tyre, kanë kërkesë në rritje dhe tregu i pasurive të paluajtshme është në lëvizje.

Në zonat e tjera, ku ka ndryshuar destinacioni nga masterplani, pra krahas vilave janë ndërtuar edhe pallate dhe nuk janë respektuar keoficientët e shfrytëzimit, individët që kanë blerë në ato zona po kërkojnë t’i shesin. Duke qenë se objektet janë të ndërtuar shumë pranë njëri-tjetrit, humbet privatësia dhe qëllimi i ndërtimit dhe blerjes së një vile. Dervishi shpjegon se kjo është një mangësi e planit rregullues.
Një prej tyre është dhe Zona e Liqenit të Thatë dhe Kodra e Diellit e cila nisi me vila dhe përfundoi me pallate. Në atë zonë “të gjithë” po kërkojnë që të shesin.

Agjencitë e pasurive të paluajtshme pohojnë për “Monitor” se oferta për shitje ka qenë e lartë kohët e fundit në ato zona. Madje edhe për sa i përket tregut të qirave për vilat dhe për duplekset, ata thonë se çmimet kanë rënë. Një nga transaksionet e fundit të një agjencie të pasurive të paluajtshme në Tiranë, për një dupleks në Kodrën e Diellit ishte finalizuar me çmimin prej 700 euro në muaj, ku sipas agjentes ishte një çmim i ulët për llojin e pronës që u ndërmjetësua.
Në bregdet, Golemi mban vendin e parë për sa u përket ofertave. Të gjithë duan të shesin vilat atje. Arben Dervishi thotë për “Monitor” se tendenca është që të shiten vilat e blera në Golem, të cilat janë të ndërtuar më herët në kohë dhe të amortizuara, për të blerë vila në Gjirin e Lalëzit apo në Jug./ Monitor



2 Comments

  1. Po cfare do i bejne parate e droges keta qener keshtu do i pastrojne duke bere vila -lluksoze-se me djersen e ballit nuk nderton dot nje shtepi te thjeshte per te futur koken.

  2. Shko moj debile. Enderon sikur njeh problemet e tregut te ndertimeve dhe perhapni thashetheme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *